fbpx
albswiss.com
Intervista

Komunikimi fisnik – ofron njerëz dhe thyen largësi

Loading...

Intervistë me krijuesin, publicistin dhe kryeredaktorin e Alb’swiss TV Avni Azizi
Z. Azizi Kur keni filluar të merreni me krijimtari?
Në rininë time të hershme pa kuptuar as vet kam filluar të shkruaj poezi… Disa herë kam pyetur veten, cila ishte vërtet ajo dëshirë imja që më dërgoj drejt letërsisë dhe shkrimit, meqë atëbotë më shumë më pëlqente sporti veçanërisht futbolli… për të folur për këtë duhet të kthehem pak mbrapa në një periudhë që ne e quajmë adoleshencë. Si i ri isha i hutuar dhe disi i çorientuar çka të studioja… Pëlqeja Gjeografinë, historinë… Po ashtu më tërhiqte edhe letërsia por, përcaktimet e mia ishin konfuze…Megjithatë, fillova të studioj Gjeografinë. Më pëlqente posaçërisht Astronomia, njohja e planetëve…
Në vitet e rinisë së hershme, kur edhe lindi dëshira ime për të shkruar, që në valët e para, atëherë kur thellësitë duken të pa arritshme për tu bërë krijues, kjo dëshirë pothuajse shkonte drejt fashitjes. Familja dhe rrethi i miqve tanë tubonte njerëz të profesioneve të ndryshme si agronom, juristë, profesorë, bujq, mjeshtër… Dhe natyrisht, në gjitha këto punë që nuk ishin shumë “romantike”, nuk ndodhej asnjë shkrimtar mes tyre. Prandaj, imazhi i një shkrimtari më kishte krijuar një vakum informativ. Një mosnjohje të përafërt të njeriut i cili vendos fjalët në letër. Pra, fillimisht dëshiroja ta njihja kozmosin dhe planetët por, në mënyrë të paqartë dhe ngadalë fillova ta zbuloj përbrenda edhe kozmosin e botës sime emocionale, e që mendoj se e ka çdo njeri… Këtu duhet të theksoj dhe i jam fundësisht falënderues shkrimtarit, poetit dhe studiuesit të letërsisë Dr. Merxhan Avdyli i cili ka ndikuar thellësisht tek unë që të merrem me krijimtari.
Çfarë përbën letërsia në jetën tuaj?
Letërsia për mua është një pjesë e rëndësishme e jetës. Pa letërsinë, ndjehem sikur nuk mund të jetoj. Ndër momentet e mia të lumtura janë edhe ato kur shkruaj. Gjatë krijimit dua që të jem një zë autentik. Të zhvilloj artin tim dhe të jem përherë në kërkim të mënyrave të reja… Si në jetë po ashtu edhe në letërsi të jesh autentik kjo është mënyra e vetme më e ndershme.
Mundohem të shpalos shpirtin, të flas nga thellësia e shpirtit dhe zemrës atë që e ndjej apo e mendoj të drejtë. Bëj përpjekje të vazhdueshme ti shfaq fjalët dhe bindjet e mia mbi botën edhe në qoftë se ato janë të gabuara, mendimet duhet të reflektojnë dhe ato më përkasin mua. Nuk vras shumë mendjen për atë lloj krijimtarie e cila brenda ditës bëhet “modë”… Subjektet e mia letrare shpesh janë ngjarje politike apo prapavijë e mendimeve politike. Mundohem që në veprën time të shkëlqejnë histori delikate, ngjarje autentike që kemi përjetuar si popull me robëri shekullore.
Arti i vërtet lind aty ku krijohet një besim i përzemërt midis lexuesit dhe autorit. Puna e shkrimtarit është të derdh botën e tij në letër, njëkohësisht, të japi dhe të pasqyroj edhe botën e njerëzve të tjerë, dhe këtë botë në tërësinë e saj të plotë ta transmetoj me anë të përshtypjeve të tij…të shpirtit të tij. Artisti është ndjeshmëria e vendit të tij, klasës së tij, veshit, syrit dhe zemrës së tij… Ai është po ashtu edhe zëri i epokës së tij. Ai duhet dhe është i detyruar të dijë sa më shumë të e mundur. Sa më mirë ai të njeh të kaluarën, të tashmen dhe vizionin për të ardhmen, aq më qartë dhe më thellë do jetë krijim-frymëzimi, aq më e fortë ndjenja dhe jetëgjatësia e veprës së tij…
Ju jeni edhe publicistë, sa ndikon gazetaria në krijimet tuaja?
Nuk mendoj se mund të ketë një ndarje, sepse kur krijoj unë shërbehem me të njëjtin laps dhe me të njëjtin kompjuter, shkruaj si gazetarinë po ashtu edhe poezinë dhe prozën. Pastaj poezia mund të themi se është një art real. Ajo ndonëse në mënyrë të fshehtë luan një rol të rëndësishëm edhe për gazetarinë. Pra ajo ka një fshehtësi efikase stilistike mund të thosha. Po ashtu edhe gazetaria e cila është një praktikë reale ka një influencë mbi poezinë dhe ndalon sentimentalizmin e caktuar.
Unë dua dhe kam dëshirë të jem rrënues i këtyre kufijve stilistik. Qëllimi i gazetarit është që të marri informacione dhe ta trajtoj atë si më të qartë, më të lexueshëm, më të thjeshtë dhe më bindës për lexuesin, dëgjuesin apo shikuesin. Qëllimi i poetit thuaja se është i ngjashëm. Dallimi qëndron në fushën e përvojës. Temat e gazetarisë, pika e luftës së lajmit dhe subjektet poetike mund të thuhet se në thelb nuk ndryshojnë.
Sipas jush, ku mendoni se ndodhet sot media jonë?
Në shoqërinë e informacionit të zhvilluar, pa mëdyshje një rolë të rëndësishëm mund ta konsiderojmë edhe funksionimin dhe veprimin kryesor të medies. Ato luajnë një rol të rëndësishëm në formimin kulturor e kombëtar të një shoqërie. Duke analizuar mediet dhe ndikimin e tyre tek publiku, para së gjithash duhet theksuar se roli i tyre në shoqërinë moderne është shumë i rëndësishëm. Kur flasim për mediet, kemi një ide rreth komunikimit njerëzor të ushtrimit të informacionit masiv si dhe në ndikimin në ndërgjegjen publike.
Puna dhe veprimtaria e medieve mund të strukturohet në mënyrë të tillë që të ndikojë kryesisht në mendimin e audiencës, duke formuar apo edhe keq formuar atë, si dhe njëkohësisht të jep informacione të gjerë për publikun. Është e kuptueshme se fjalët janë forcë e pavarur shoqërore. Fjalët ashtu siç frymëzojnë dhe vrasin. Me ndihmën e fjalës publike, lehtësisht ushtron tek njerëzit ndikimin në ndër dijen e tij, në ideologjinë, durimin, moralin dhe natyrën fisnike, por edhe ekzaltimin e lartë.
Njohja e realitetit është bërë shumë e vështirë për shkak të vërshimit të rrjedhës së informacionit të shtrembëruar. Paradigma e mjerueshme e medies sonë vazhdon të trullosë opinionin me vogëlsira, intimitete, dhe gjëra të pa rëndësishme. Kur seksi bëhet top – temë atëherë, sikur fashitet ndjenja e gjithçkaje, madje edhe vet lirisë, për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e dëshmore të kombit.
Po ashtu, edhe në fushën profesionale, si në atë gjuhësore, programore dhe edukative, në masmedian tonë nuk është arritur ndonjë nivel i kënaqshëm e premtues. Për shembull. mediet tona ende udhëhiqen nga diletantë dhe njerëz pseudo-krijues. Kështu, ata në mungesë novatorizmi, mbysin shijet e lexuesve, shikuesve dhe me shkrime e programe konfuze, stereotipi të shabllonizuar, me gjuhë të trashë e të bastarduar që është për turp, dhe me prirje për edukim të mbrapsht.
Nëse mediet nuk e kryejnë misionin fisnik që kanë, atëherë ato pa mëdyshje që do të jenë bashkëfajtore e të gjitha të këqijave që mund të ndodhin. Mënjanimi i këtyre klisheve është më se i domosdoshëm për një media të lirë dhe demokratike. Mediet u përcjellin njerëzve mesazhe të përziera dhe burime simbolike të ndryshme që i ndihmojnë në ndërtimin e identiteteve të tyre. Media jonë duhet të jetë e prirë drejt lartësimit të ndërgjegjes masive në nivelet e saj emocionale e racionale dhe kurrsesi kontribuuese e pavetëdijes kolektive…
Në këtë hapësirë të ndryshimeve të thella në strukturat prodhuese të kapitalit, krijimtaria artistike sikur ndjehet nga një vesh i shurdhër! Nga kjo perspektivë, çfarë është kuptimi i poezisë dhe cili duhet të jetë roli i cili e bënë poetin dhe krijuesin shoqëror..?
Kur flasim për poezinë sikur flasim për evolucionin e njeriut dhe marrëdhëniet e tija me natyrën. Po ashtu mendoj se edhe poezia ka përmbushjen e saj të botës reale dhe konkrete, edhe pse ndonjëherë shfaqjet e saja kyçe bëhen përmes simboleve, imazheve, aluzioneve dhe madje edhe abstraksioneve të dukshme.
Dua të argumentoj se poezia është një njohje e thellë e botës; ajo mund të ngritë dhe po ashtu edhe të rrënoj një rend shoqëror. Subjektet e saja janë njerëzore, prandaj ndjenja themelore e poezisë është që të krijoj mënyrat për ta bërë botën më të bukur nga që shihet dhe duket me syrin e zakonshëm. Pastaj, ta transmetoj përvojën e vet të gjuhës krijuese me të cilën krijohet ajo. Dhe zëdhënësit e kësaj gjuhe janë vetëm poetët.
Pra përmes poezisë realiteti bëhet i dukshëm dhe më i manifestuar për shoqërinë; prandaj, poezia ka poetin dhe ai artikulon botën përmes estetikës sublime të gjuhës poetike. Sigurisht, se poetët janë një lloj pararoje ata gjithashtu ngenë vetëdije dhe japin supozime dhe udhëzime rreth këtyre ndryshimeve, qofshin ato si angazhime social poetike me realitetin apo ngjarjet historike.
Poezia do të ekzistoj përherë. Do jetë gjithmonë. Ajo nuk është si bora që një ditë të shkrihet e të humbet. Poezia është në thelb e pandryshuar. Ajo jep lumturi, gëzim, admirim për gjithë të tjerët por, edhe për vet krijuesin. Poezia i jep një ndjenjë domethënëse jetës, specifikave të saj. Ajo është metodë apo mjet, në qoftë se ju doni të prekni disa nga gjërat thelbësore të botës.
Jetoni, krijoni dhe veproni larg atdheut, si ndjeheni si shkrimtar në mërgim?
Kur jam ndarë fizikisht nga toka ime, të afërmit e miqtë e mi me të cilët deri atëherë kishim kaluar bashkërisht atë pjesë jete, kam ndjerë, zhgënjim të papritur, dhembje, zemërim, dëshpërim… Kam përjetuar ndjenja të ndryshme të përziera që më vinin sikur të kombinuara nëpër mendimet e mia… Distanca gjeografike dhe mërgimi sikur shtrembërojnë imazhin e vendit. Të bëhet sikur po jeton në një vend skizofrenik dhe nuk janë vetëm këto dy realitete paralele, por ndoshta edhe një dimension i tretë i cili pa mëdyshje vjen nga kujtesa e shtrembëruar nga nostalgjia.
Njeriu i cili jeton në mërgim e ka të vështirë të pranoj se realiteti i tij është vetëm në vendin ku ai është duke bërë jetën. Marrëdhëniet e tija me vendlindjen ndonëse mund të jenë virtuale, deri diku iluzion, jo reale dhe në një masë imagjinare, ngase me gjithë informacionet që ai mund të ketë mbi ngjarjet të cilat ndodhin në vendlindje ajo megjithatë nuk është e pranishme në jetën e tij të përditshme.
Mërgimi të bën të mendosh se ndodhesh në një vend të vetmuar. Frika e parë që ndjen krijuesi është se fjalët e tija po vdesin ngadalë në heshtje, po shkrihen jo nëpër vepër artistike siç do dëshironte ai por, në trashësinë e gjuhës e cila me kohën vjen e rëndohet. Vërtet, distanca hapësinore bën që unë të mos jem i pranishëm ndoshta në mënyrë të dëshiruar…Por, ashtu siç thash edhe më parë, kjo botë e përparimeve të mëdha teknologjike krijon mundësi të shumta, vetëm varet nga interesimi dhe dëshirat…
Nga ana tjetër shkrimtari në mërgim përjeton një mugullim do thosha – Mugullimi apo lulëzimi i shkrimtarit në mërgim mbase motivohet nga estetika e dhembjes. Distanca hapësinore nga vendi ashtu si dhe dhembja dhe pesha e ndarjes nga vendlindja e bëjnë të mprehtë vrojtimin artistik të shkrimtarit në mërgim. I ndodhur në mërgim, shkrimtari, artisti, poeti nuk ka më çka humbë më tepër… Ai disi sikur bëhet një lloj vendi në vetvete…
Meqë jemi tek mërgimi, ku mendoni se sot ndodhet mërgata jonë?
Mërgata shqiptare me kalimin e kohës ka shkuar gjithnjë e më tepër duke u rritur. Si tek shumë popuj tjerë po ashtu edhe tek Shqiptarët, gjithnjë ka pasur dhe ende kemi migrim të popullsisë…
Mërgata apo Diaspora shqiptare historikisht ka qenë shumë aktive dhe përherë e lidhur me fatin e atdheut duke punuar pa reshtur për të mirën e tij, duke dhënë kontribut të pakursyer në organizimin politik, shoqëror e kulturor, por njëkohësisht edhe në mbështetje financiare, nëpër kohë të rënda… Ajo po ashtu ka qenë edhe një mbështetje e denjë e të gjitha lëvizjeve atdhetare dhe të luftës për liri përparim dhe ngritje të prosperitetit ekonomik të atdheut…
Organizimi i saj në forma të ndryshme, ka bërë që zëri i shqiptarëve të hyjë edhe në zyrat më të rëndësishme të qendrave të vendosjes në botë… Pa dyshim, duke bërë një prezantim dinjitoz të çështjes kombëtare të shqiptarëve në tërësi. Në historinë e kombit shqiptar aktiviteti i këtyre grupeve të mërgatës, jo rrallë kanë luajtur një rolë të madh në vendimet dhe ndryshmet politike që janë marrë mbi qeverisjen e tokave Shqiptare….
Po sot ku ndodhet mërgata jonë?… Si të organizohet ajo në nivelin më të dëshiruar… Si të shpëtohen sidomos brezat e rinj, të merr pjesë aktive në vendim marrjen e çështjeve kombëtare… Është një temë e cila duhet të na preokupoj të gjithëve… Është e natyrshme se sot, më tepër se kurrë duhet që të organizohemi sepse tani sa po i kemi hapur dyert e lirisë dhe të bashkimit… dhe ky bashkim pret veprimin dhe angazhimin e ne të gjithëve që ta ndërtojmë dhe ta ofrojmë deri në realizimin përfundimtar të tij.
Jeni Kryeredaktor i televizionit për mërgatën Alb’swiss TV me seli në qytetin e Gjenevës, mund të na flisni kur keni filluar me këtë projekt dhe cilat janë synimet e këtij mediumi?
Po. Televizioni Alb’swiss, me seli në qytetin e Gjenevë të Zvicrës është krijuar në vitin 2015 nga një grup entuziastësh nga radhët e bashkë mërgimtarëve tanë, të cilët kanë bashkuar potencialet e tyre intelektuale dhe profesionale në shërbim të informimit dhe pasqyrimit të drejtë mbi ngjarjet e mërgatës sonë e posaçërisht asaj në Zvicër, Gjermani e Francë.
Televizioni Alb’swiss si politikë redaktuese ka preokupime e përbashkëta kombëtare me të cilat po kalon populli ynë. Si dhe integrimet e tija drejt prosperitetit dhe përparimeve të gjithëmbarshme kombëtare. Redaksia e së cilës që disa kohë jam edhe udhëheqës i saj, përbëhet nga personalitete profesionale dhe veprimtarë të devotshëm të cilët në mënyrë vullnetare zhvillojnë aktivitetet e tyre vetëm për të krijuar urat lidhëse mes mërgatës sonë dhe atdheut. Por, njëkohësisht edhe në afrimin e njerëzve ngado e kudo që ndodhen.
Synimet dhe qëllimet tona janë të qarta. Mërgata jonë duhet të jetë e informuar drejt, ashtu edhe atdheu për njerëzit larg tokës së tij. Kjo nuk mund të bëhet përmes njëanshmërive të përcaktimeve apo anshmërive politike… Ne si staf udhëheqës do jemi të hapur për gjithë ata të cilët duan të kontribuojnë drejtë këtyre qëllimeve… Duhet theksuar dhe kujtuar faktet historike se Lidhja e Prizrenit nuk ishte parti politike… Andaj, larg duart e partive politike për ta ndarë e përçarë mërgatën tonë…
Kultura kombëtare dhe ngritja e ndërgjegjes sot duhet të bëhen faktorët triumfues drejtë përparimeve. Duke qenë të bindur se do kemi përkrahjen e të gjithë atyre të cilët mendojnë rreth këtyre përparimeve dhe ofrimeve, ne kemi vazhduar për të prezantuar me mundësitë që kemi pasur shumë aktivitete, veprimtari, manifestime, si dhe shumë shpërputhje kulturore të cilat kanë ndodhur në mërgatën tonë.
Për realizimin e projekteve sa më të shëndosha për këtë projekt kemi bashkuar njerëzit dhe shoqatat e ndryshme sidomos ato në Zvicër dhe kemi bashkëpunim edhe me shumë asociacione tjera kulturore të gjithë mërgatës sonë.
Cila do ishte porosia juaj për ata që jetojnë larg atdheut, sidomos për rininë tonë?
Veprimet e përbashkëta dhe të bashkërenduara janë pika e parë e vizionit të unitetit. Sidomos të rinjtë duhet të jenë përfaqësues të ndjenjave të vërteta dhe pretendues të denjë të mbrojtjes së tyre. Ata duhet të ngrihen kundër çdo lloj keqkuptimi shoqëror, po ashtu të jenë edhe promotorët e zhvillimeve të reja. Ata duhet të shohin përherë drejtë të ardhmes por duke mos harruar asnjëherë cilësitë dhe virtytet e çmuara të paraardhësve të tyre.
Gjithashtu, në këtë kuadër një rolë vendimtarë duhet ta kenë edhe prindërit. Ata duhet orientuar drejtë fëmijët e tyre në radhë të parë drejtë shkollimit. Mësimit të gjuhës shqipe…
Në këtë kuadër, shëndeti më i mirë kulturorë do të ishte liria dhe përmbajtja e identitetit origjinal, jo vetëm si dukuri individuale por edhe kolektive. Duke respektuar dhe mbështetur autonominë dhe trendët kulturore të secilit, ngase secili është unik në identitetin e tij. E natyrshme, që këtu gjërat e mira përherë duhet përvetësuar, por asnjëherë duke mos harruar vlerat autoktone dhe origjinale, të cilat janë edhe pasuria jonë kombëtare.
Intervistoi: Shaban Thaçi

Loading...

Të ngjajshme

Yll Blakaj: Korrupsioni pengesë për investitorët nga Diaspora

admin

MITOLOGJIA E MASKIMIT TË PASIONEVE BARBARE

admin
Loading...
Loading...