fbpx
albswiss.com
Kosovë Lajme

Kryetari i LDK-së: Kosova, në rrezikun më të madh që pas shpalljes së pavarësisë

Loading...

Reagon ashpër Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa duke thënë se Kosova është në rrezikun më të madh pas shpalljes së pavarësisë.
“Serbia shkaktoi mbi 13,500 viktima të luftës në Kosovë, hordhitë serbe dhunuan mbi 20 mijë gra, shkatërruan mbi 100 mijë prona, plaçkitën fondin e pensioneve, dezinvestuan në të gjitha fushat, shkatërruan ekonominë, deportuan mbi një milion banorë… Këto janë viktimat dhe disa nga pasojat e shkaktuar nga logjika e Serbisë për të fituar. Prandaj, nuk duhet të krijojmë rast për viktima të tjera, për zhvendosje të popullsisë e për konflikte të reja” ka thënë Isa Mustafa.
Sipas Mustafës, idetë për korrigjim të kufijve, për shkëmbim të territoreve, për autonomi speciale për serbët, janë kanosje serioze ndaj asaj çfarë kemi ndërtuar në dhjetë vitet e fundit, që nga Deklarata e shpalljes së pavarësisë, deri te aprovimi i Kushtetutës dhe Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Nuk ka asnjë arsye që Kosova pas 116 njohjeve ta vë në pikëpyetje shtetësinë e vet, thjesht nga fakti se këtë shtetësi nuk e ka pranuar Serbia, se po u dashka të krijojë hapësirë që edhe Serbia të fitoj diçka”, ka thënë ndër tjerash Mustafa.
Isa Mustafa vazhdon duke thënë se: “Arsyetimi i korrigjimit të territorit me “zbulimet” se komunat në veri i kemi marrë si dhuratë nga Tito dhe Rankoviçi për të prishur përbërjen etnike të Kosovës është joserioz, për aq sa do të ishte joserioze të mendohet se ne paskemi gabuar që e kemi shpallur pavarësinë në territorin që përfshinë edhe këto komuna të veriut, në tokën e Kosovës. Kjo sjellje është mohim i Deklaratës së Pavarësisë nga goja e institucionit formalisht më të lartë të vendit.” 
Më poshtë ua sjellim reagimin e plotë të Kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, të publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook:
“Kosova, ky shtet yni, është në rrezikun më të madh pas shpalljes së pavarësisë. Idetë për korrigjim të kufijve, për shkëmbim të territoreve, për autonomi speciale për serbet, janë kanosje serioze ndaj asaj çfarë kemi ndërtuar këto dhjetë vite, nga Deklarata e shpalljes së pavarësisë, aprovimi Kushtetutës e Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Nuk ka asnjë arsye që Kosova pas 116 njohjeve ta vë në pikëpyetje shtetësinë e vet, thjesht nga fakti se këtë shtetësi nuk e ka pranuar Serbia, se po u dashka të krijojë hapësirë që edhe Serbia të fitoj diçka.
Serbia shkaktoi mbi 13,500 viktima të luftës në Kosovë, hordhitë serbe dhunuan mbi 20 mijë gra, shkatërruan mbi 100 mijë prona, plaçkitën fondin e pensioneve, dezinvestuan në të gjitha fushat, shkatërruan ekonominë, deportuan mbi një milion banorë… Këto janë viktimat dhe disa nga pasojat e shkaktuar nga logjika e Serbisë për të fituar. Prandaj, nuk duhet të krijojmë rast për viktima të tjera, për zhvendosje të popullsisë e për konflikte të reja.
Korrigjimi i kufijve dhe shkëmbimi I territorit nuk e përfundon raportin me Serbinë. Por e thellon amullinë e shtetit të Kosovës.
Serbët nuk jetojnë vetëm në veri, ata jetojnë edhe në 6 komuna me shumicë në brendi të Kosovës, jetojnë në Bujanovc dhe Medvegje (që po thuhet se i marrim bashkë me Preshevën pa dhënë asgjë!?) prandaj çështja e serbëve nuk përfundon me kufij etnik, por fillon me rrëmbim të një pjese të territorit, pastaj me kërkesa specifika për Kishën Ortodokse serbe dhe për komunat me shumicë serbe. Fillon e nuk mbaron. Idetë e tilla e shkatërrojnë qenien tonë shtetërore dhe na sjellin në një gjendje të padefinuar.
Arsyetimi i korrigjimit të territorit me “zbulimet” se komunat në veri i kemi marrë si dhuratë nga Tito dhe Rankoviçi për të prishur përbërjen etnike të Kosovës është joserioz, për aq sa do të ishte joserioze të mendohet se ne paskemi gabuar që e kemi shpallur pavarësinë në territorin që përfshinë edhe këto komuna të veriut, në tokën e Kosovës. Kjo sjellje është mohim i Deklaratës së Pavarësisë nga goja e institucionit formalisht më të lartë të vendit.
Idetë dhe iniciativat për ta dërmuar këtë vend, nuk janë të pakta. Sa isha kryeministër i Kosovës me pompozitet trumbetohej iniciativa për Unionin Ekonomik të Ballkanit Perëndimor. Një Jugosllavi e re, pa Kroacinë e Slloveninë por me Shqipërinë. Sikurse edhe ideja për Unionin Doganor të Vendeve të Ballkanit Perëndimor. Unë i kam kundërshtuar fuqimisht në emër të Qeverisë së Kosovës dhe nuk kemi lejuar që Kosova të shkrihet në organizma të tillë që në substancë e dëmtonin shtetin tonë.
Si Lidhje Demokratike e Kosovës konsiderojmë se Kosova i ka kufijtë e vet të merituar dhe legjitim, se prekja e kufijve është prekje dhe cenim i qenies sonë shtetërore. Serbia duhet ta pranojë Kosovën në kufijtë që e ka shpallur pavarësinë dhe në të cilët e kanë njohur mbi gjysma e shteteve të rruzullit tokësor.
Normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk duhet ta blejmë me shkëmbime territoresh por duhet ta arrijmë me ndërtim të raporteve të paqes dhe fqinjësisë së mirë dhe respektim të të drejtave të serbëve sipas standardeve më të mira evropiane, më zhvillim ekonomik dhe prosperitet arsimor e kulturor. Pozita e pakicave, as atyre shqiptare dhe as atyre serbe, sikurse edhe e pakicave tjera nuk zgjidhet me kufi etnik dhe me zhvendosje të tyre por duke ua siguruar të drejtat e barabarta.”, thuhet në fund te reagimit të Kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, postuar në faqen e tij zyrtare në facebook./albswiss.com/
 

Loading...

Të ngjajshme

Dënohet kosovari që bashkë me familje tentoi ti bashkangjitet ISIS’it

admin

Ky është qyteti ku Erdogan do nis ndërtimet e 500 banesave të premtuara

albswiss.com

Në Vushtrri fillon ushtrimi për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë

admin
Loading...
Loading...