fbpx
Alb'swiss TV
Kulturë Poezi-Prozë

Dritëro Agolli jeton prore

Më 3 shkurt 2017, në moshën 85-vjeçare ndërroi jetë poeti, prozatori dhe publicisti i shquar shqiptar, Dritëro Agolli.
E vërteta e hidhur është se gjeneratat e arta të krijuesve shqiptarë po shuhen, e po lënë pak pas vetes, për të vazhduar rrugën e tyre. Agolli ka lënë shumë vepra të mëdha pas. Ju sjellim më poshtë disa poezi të tij, që ia vlen t’i lexoni e ta kujtoni shpirtin e një artisti që nuk vdes kurrë.
MOS MA KUJTO
E shkuara ka çaste dhe orë të hidhura, mos ma kujto
për shembull, më pe me duar të lidhura, mos ma kujto!
Për shembull, më pe në rruge të pirë, mos ma kujto,
Të pirë e të humbur, të sharë e të grirë, mos ma kujto!
Për shembull, më rrahën dy-tre vagabondë, mos ma kujto,
Tek shihja një grerëz tek rrinte mbi gonxhe, mos ma kujto!
Për shembull, pësova diku një disfatë, mos ma kujto,
Dhe gjumi s’më zinte me ditë e me natë, mos ma kujto!
Për shembull, më pe duke ecur e qarë, mos ma kujto,
Mbështetur pas murit me zemër të vrarë, mos ma kujto!
Për shembull, me pe duke ngrënë e gënjyer, mos ma kujto,
Të prishur, të shthurur, të rënë e të thyer, mos ma kujto!
Për shembull, në shtrat s’u bëra për burrë, mos ma kujto,
I turpshëm i drodha si qengj nën lëkurë, mos ma kujto!
E shkuara ka orë dhe çaste të hidhura, mos ma kujto,
Ka drojtje dhe heshtje kur lipsen të thirrura, mos ma kujto!
ANKIME
Ankime nga miqtë, ankime nga rruga
Ankime nga gruaja ime
Veriu fshikullon, ngre pluhurin rruga
Ankime, ankime, ankime
Ankime në letër, ankime në gjellë
Ankime në lopët në fushë.
U çmenda! Do të iki të fshihem në shpellë
Të fle pa ankime me një ujk a arushë…
ELEGJI PËR QENIN
Më dhimsesh qen i vogël! s’pate fat,
Të ktheheshe në oborrin e shtepisë
U shtrive i përgjakur mbi asfalt
Nga një makinë e eger e pashpirt
E ç’deshe ti që dole shpejt e shpejt
Në mes të rrugës nga një dushk a ferrë?
Njeriu shtyp mikun rrugën kur ia pret
Dhe jo më pastaj një qen qyqar të mjerë!
VDEKJA E NËNËS
U zvogëlua nëna dhe u tret e gjitha,
U bë si pulëbardhë e lehtë
Dhe një mëngjes pa zbardhur ende drita
Rënkoi e fluturoi mbi retë
Andej u fsheh si ylli Afërdita
Dhe ne pastaj s’e pamë, pastë ndjesë!
Veç ndodh që valë e ëndrrave të trishta
E sjell në breg të shtratit tim si shpezë.
/albswiss.com/

Të ngjajshme

Ambasadori amerikan në Kosovë shfaqet me plis në kokë

albswiss.com

Rrëfim trishtues: Si u merrej gjaku foshnjeve për t’ia dhuruar Enver Hoxhës

albswiss.com

Familja në Islam

admin

Historia e ndërlikuar e marrëdhënieve Shqipëri-Rusi

albswiss.com

Poezia e Ditës nga Ismail Kadare: Të Huaj Jemi

admin

Rrëfim trishtues, si ma dhunuan seksualisht gruan dhe vajzën

albswiss.com
Loading...
Loading...
error: Content is protected !!