fbpx
Alb'swiss TV
Histori Kulturë

Monografi për kolosin e pikturës shqipe, Abdurrahim Buza

Monografia “Abdurrahim Buza”, mbi jetën dhe krijimtarinë artistike në pikturë të doajenit, piktorit të brezit të parë të artit në Kosovë dhe krijuesit, i cili për arsye objektive e braktisi vendlindjen dhe u vendos në Republikën e Shqipërisë, ku jetoi dhe krijoi deri në frymën e fundit të jetës, e hartuar nga prof. Tahir Emra, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, është një vepër e rëndësishme për artdashësit shqiptarë në të gjitha trevat ku jetojnë dhe frymojnë, e cila pa dyshim që e plotëson një boshllëk në historiografinë shqiptare të arteve pamore.
Autori Tahir Emra e ndan monografinë në gjashtë kapituj: 1. Takimi i parë me Abdurrahim Buzën, 2. Abdurrahim Buza – piktori i parë i artit modern shqiptar, 3. Të tjerët për Abdurrahim Buzën, 4. Shkollimi në Akademitë e Arteve, 5. Albumi i veprave dhe 6. Bibliografi e përzgjedhur.
Përmes gjashtë njësive autori e ka konceptuar tërë shkrimin rreth realizimit të monografisë. Qëllimi kryesor i autorit ka qenë që në mënyrë koncize, gjithëpërfshirëse ta vërë në spikamë tërë opusin krijues të piktorit Buza, piktor i cili i ka vënë themelet e para të artit si në Kosovë po ashtu edhe në Republikën e Shqipërisë. Në të dyja anët e etnisë shqiptare është shpërfaqur ndikimi i tij në zhvillimin e artit, i cili gradualisht reflekton drejt artit modern. 
Kolosi i pikturës shqipe Abdurrahim Buza në moshën tetë vjeçare mbeti jetim dhe patrioti Bajram Curri kujdeset për shkollimin e tij. Regjistrohet në shkollë në Shkodër, në Tiranë dhe në Normalen e Elbasanit. Pastaj fiton bursë dhe me 1928 dëgjon një vjet në Akademinë e Arteve të Bukura nëTorino. Studimet e rregullta i kryen në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence pranë artistit Galeleo Kinit më 1933 kthehet në Tiranë, ishte ndër pedagogët e parë të Shkollës së Vizatimit në Tiranë. Më 1947 u punësua në Liceun Artistik Jordan Misja si pedagog i vizatimi dhe më vonë si nëndrejtor.
Edhe pse ndikimi i impresionizmit ndjehet në veprat e tij, nën presionin e realizmit politik që e impononte ideologjia e kohës Buza e gjeti zërin e tij unik në artin shqiptar. Pikturat e para janë të inspiruara nga qëndrimi i tij në Pogradec. Më vonë ai e thjeshton teknikën e tij por e shëndrron artin në simbolikë të lartë. Motivet etnike nga Gjakova, Kosova, dhe veriu i Shqipërisë bëhen subjekt i shpeshtë i tij. Ngjyrat e impresionizmit ndikojnë në të gjer në fund. Prej veprave të tij sot ruhen 500 tablo te realizuara në vaj dhe 10,000 vizatime. Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ruhen 59 punime të piktorit. Vepra të tjera ndodhen në Muzeun Buza në Tiranë. Abdurrahim Buza u nderua me dekoratat Mësues i Popullit, Piktor i Merituar dhe Piktor i Popullit. Vdiq në Tiranë më 1987.
Ndër pikturat e tij më të njohura që e bënë të pavdekshëm në kujtesën koletive shqiptare janë: Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; Dasma kosovare; Pogradeci Lagjja ime; Nusja kosovare (1950); Një pjate rrush (1957); Autoportret (1960); Lojërat popullore; Azem Galica dhe luftëtarët; Refugjatët,etj. /albswiss.com/

Të ngjajshme

Ju jeni vajza 100% perfekte për mua

albswiss.com

“Nëse Evropa nuk na pranon se në Shqipëri ka muslimanë, unë nuk dua të shkoj në Evropë”

albswiss.com

Dora që përkund djepin, e përkund fatin e njerëzisë

albswiss.com

Muzeu i Luvrit, çelet ekspozita në nder të Da Vincit, shiten online 260 mijë bileta

albswiss.com

E ‘zbulon’ Makiaveli – Pse njerëzit e mirë nuk arrijnë shumë në jetë?

albswiss.com

Kadare fiton çmimin ndërkombëtar “Neustadt” për Letërsi

albswiss.com
error: Content is protected !!