fbpx
Alb'swiss TV
Kulturë Opinione

ATDHETARI I PATHYESHËM I KARADAKUT

(Fragmente nga libri në dorëshkrim i autorit, Rrahim Azemi: “Mark Gashi ( veprimtaria atdhetare dhe arsimore)” 
Mark (Ilaz) Gashi, një figurë markante e çështjes kombëtare, u lind në fshatin Selishtë (komuna e Gjilanit), më 23 mars 1910.  Rrjedhë prej një familje fshatare me tradita e zakone të lashta që janë përcjell  brez pas brezi.
Mark Gashi, shkollën fillore e kreu  më 1922, në Zhegër. Klasat e larta të shkollës fillore, i vazhdoi në Gjilan. Këtu e kreu maturën e ulët. Pasi i kishin mbetur disa provime të këtij rangu të shkollimit, ai e vazhdon shkollën në Shkup. Pas mbarimit të maturës më 1930, e marrin ushtar. Si ushtar e caktuan në shërbimin e kuadrove në Petrovorazhdin[1]. Për shkak të zgjuarsisë dhe të shkathtësive të larta që i tregon  gjatë ushtrimeve ushtarake, Marku avancohet. Atij, i mundësohet kryerja e shkollës së aviacionit për pilot, e cila gjendej në Mostar. Pas 9 muaj qëndrimi në këtë shkollë, Markun e transferojnë në qytetin e Shkupit, në bazën e tretë të aviacionit. Këtu, ai e vazhdon më tutje shkollimin e shërbimit për kuadër dhe në të njëjtën njësi ushtarake aktivizohet si nëpunës teknik ushtarak në funksionin e nëntogerit të aviacionit. Në këtë njësi, Mark Gashi shërbeu deri në vitin 1934, dhe pastaj ai transferohet në Kralevë. Këtu, ai shërben një vit. Më 1935, transferohet në Zemun për të stërvitur gjuetinë  e aviacionit dhe pastaj, përsëri rikthehet në Kralevë. Këtu, Marku shërben deri në vitin 1940. Duke qenë i zgjuar dhe tejet aktiv, Marku kishte rënë në sy të banorëve të këtij qyteti, dhe ata shpeshherë e pyesnin: Si është e mundur që një shqiptar të ketë aftësi për të qenë pilot i aviacionit…!?
Marku, vërtet ishte pilot i rrallë shqiptar, thotë Ramadan Rexhepi[2]. Në fakt, ai duhet të ketë qenë piloti i vetëm në armatën e mbretërisë serbo-kroate – slloveve (1918 – 1939), në mos piloti i parë shqiptarë i të gjitha kohërave. Pas vitit 1940, Marku ishte transferuar në Shkup, për të vazhduar në njësinë e njëjtë të aviacionit. Kapitullimi i Jugosllavisë së vjetër, Markun  e gjeti në Shkup në bazën e tretë të aviacionit. Pas kësaj, shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore e detyroi që të tërhiqet nga Shkupi, dhe të vendoset në fshatin e lindjes bashkë me familje. Edhe këtu nuk gjeti qetësinë, sepse kjo zonë e Karadakut ishte nën sundimin e Bullgarisë. Kur i ranë në gjurmë pas 20 ditësh, bullgarët e zunë dhe e burgosën. E dërgojnë në burgun e Preshevës. Qëllimi i burgosjes së tij ishte me pretekstin se kishte qenë ushtarak i aviacionit të Jugosllavisë  borgjeze. Me shumë mundime, së bashku me disa shokë e thyen burgun dhe arratisen drejt Gjilanit.
I vendosur në Gjilan, ai mundi që fshehurazi (natën) ta tërheqë familjen nga fshati. Selishta, nuk është edhe aq larg qytetit, sado që mes fshatit dhe qytetit ishte vendosur një kufi, dhe atë përmes lumit të njohur Morava. Kështu, Selishta ishte pushtuar nga bullgarët, dhe Gjilani nga italianët. Në këtë mënyrë, vendosja në Gjilan me familje e Markut, ishte më e arsyeshme. Por edhe në këtë zonë, ai nuk gjeti qetësi dhe siguri afatgjate. Italianët shpejt e hetuan se ka qenë një oficer i ushtrisë jugosllave në kapitullim dhe e arrestuan. E dërguar në qytetin Bergamo (Itali). Pas tre muaj qëndrimi atje, e internuan në llogoret e Tiranës. Mirëpo, pas pak ditësh e liruan dhe Marku kthehet përsëri në Gjilan.
Në Gjilan, jetonte në një banesë të huaj dhe nuk kishte asnjë lloj të ardhurash. Kështu, detyrohet të gjejë punë për sigurimin e kafshatës së bukës për vete dhe për familje. Në Strezovc të Kamenicës, inkuadrohet si sekretar komune. Aty punoi 4 muaj, dhe pastaj punoi edhe në fshatin Ropotovë. Mirëpo, nuk qëndroi gjatë. Duke qenë një shqiptarë i denjë, një atdhetar dhe intelektual me damkë, siç thuhet, Marku i acaroi marrëdhëniet me regjimin pushtues italian sepse, ai s’mundi që të pajtohet me keqtrajtimet dhe me dhunën e vazhdueshme që ushtrohej ndaj banorëve nga administrata italiane. Kështu, largohet dhe shkon në Ferizaj si punëtor në shtëpinë e Shëndetit në detyrën e  infermierit. Tre muaj i kalon në këtë detyrë dhe pastaj, sërish kthehet në Gjilan me detyrë të arkivistit në Gjykatë. Mirëpo, e largojnë nga shërbimi me pretekstin se gruaja e tij ishte me origjinë serbe.
Mark Gashi, mbetet përsëri pa punë. Por arrinë të  mobilizohet si ushtarak në cilësinë e togerit në ushtrinë shqiptare në Gjilan dhe Prishtinë. Rikthimi në detyrat e ushtarakut, i mundëson atij që t’i tregoj aftësitë dhe cilësitë për të cilat ishte shkolluar. Në ushtrinë shqiptare qëndron deri në çlirimin e këtij regjioni, përkatësisht deri në nëntor të vitit 1944, kur në mënyrë vullnetare i bashkëngjitet Ushtrisë Nacional Çlirimtare, në cilësinë e partizanit në Brigadën e Parë shqiptaro-kosovare në regjionin e Preshevës.
Angazhimi në luftë, e sjell Markun edhe njëherë në fushën e  aviacionit: kësaj radhe, në detyrat aktive-operacionale për çka edhe ishte i përgatitur profesionalisht. Si luftëtarë, ai njihet me  Abdullah Preshevën, një patriot i vërtetë. Së bashku, arrijnë që t’i forcojnë e zgjerojnë radhët partizane në luftë kundër okupatorëve gjermanë e bullgarë. Duke e parë rrjedhën e luftës dhe të ngjarjeve politike se si ato po zhvilloheshin, në kohën kur çetat partizane serbo-çetnike filluan të bënin terror mbi   shqiptarët, kur  Abdullah Presheva vdes nga helmimi, Marku kaloi në radhët e partisë  së NDSH- për Preshevë[3], duke luftuar kundër çetave çetnike serbo-malazeze.
 
Burgosja e parë
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, më 8 shkurt 1945 në Kosovë u vendos regjimi ushtarak me urdhër të Titos[4]. Regjimi ushtarak kishte kompetenca ekzekutive dhe gjyqësore. Menjëherë filloi operacioni kundër “reaksionit të brendshëm”, siç e quanin ata, i cili zgjati deri në qershor të po atij viti. Në këto operacione, më së tepërmi e pësoi populli shqiptar në Kosovë. Shqiptarët vriteshin dhe burgoseshin.  Odisejada e vështirë e jetës së Mark Gashit, nisë pothuajse menjëherë pas mbarimit të luftës, kur edhe burgoset. Një grup i tërë burrash nga viset e ndryshme, ishte gjykuar pamëshirshëm me akuza tipike antishqiptare: shumica me pushkatim. Në një shënim autentik që e kam lexuar nga shkrimi i Sherif Maliqit nga fshati Malishevë (Gjilan), emrat e të dënuarve me pushkatim ishin: Hasan Tajari, Ejup Hasani, Mark Gashi, Fazli Zhegra, Fazli Gjurishevci, Bejtë Pireva, Prenk Kola, Hasan Gega, Ajdin Matoshi, Hetem Kunragjiu, Dem Kosharja, Shashivar Hajrizi, Zahir Sllatina, Vebi Sllatina, Isuf Hoxha- Lipovica, Musë Dema, Hasan Agushi – Prishtinë, Sherif Maliqi, Mark Gjini- Gjakovë, Shaqë Curri – Gjakovë[5]. Me sa kemi të dhëna prej tyre, është pushkatuar Hoxhë Lipovica, kurse djemtë e tij i dënojnë me burg.[6]
Mark Gashi dënohet me pretekstin se ka qenë bashkëpunëtor i okupatorit në njërën anë, dhe në anën tjetër, akuzohet si kolaboracionist – agjent[7]. OZNA  famëkeqe e kishte  burgos më 1 mars 1945. Nën hetime ishte mbajtur për rreth tre muaj e gjysmë. Hetimet ishin zhvilluar në Gjilan, Ferizaj e Prishtinë. Sa ishte në burgun e Ferizajt i shkruan një letër Fadil Hoxhës, duke  e njoftuar se në burg ndodheshin disa veprimtarë shqiptarë, si Sherif Maliqi, Kolë Gjini, Mark Gashi etj. Gjatë hetimeve, Marku kishte deklaruar: “Kur Jugosllavia ishte sulmuar nga Gjermania, unë kam luftuar kundër Gjermanisë me aeroplanin që kisha në përdorim. Në Stracinë dhe Kumanovë kam arritur të rrëzoj tre aeroplanë gjermanë. Lufta ka zgjatur tri orë. Pas kësaj jam radhitur në lëvizjen çlirimtare, më saktë, duke filluar që nga shtatori i vitit 1942. Më 1944 kalova në aradhën e Armatës Jugosllave si oficer në Brigadën e Parë Shqiptare në Preshevë si udhëheqës ushtarak.[8]
Gjatë hetimeve, Marku ishte maltretuar me metodat më perfide, ashtu siç dinin udhëheqësit e shërbimit të OZN-s. Gjykata ushtarake për territorin e Ferizajt me nr. 159 dhe Gjyqi  i  Lartë Ushtarak i Armatës Jugosllave me nr. 1308, datë 23 korrik 1945, e dënojnë me dënim kapital, me vdekje (pushkatim). Pas rishqyrtimit të aktakuzës, me ndërhyrjen e gruas dhe familjes së saj, Markut i  ndërrohet neni i aktakuzës dhe në këtë mënyrë, i zbutet dënimi në 20 vjet burg të rëndë. Dënimin e vuan në  Shtëpinë Ndëshkuese Korrektuese të Nishit dhe  në SHNK të Mitrovicës së Sremit. Periudha e vuajtjes së dënimit përshinë kohën: nga data 1.03.1945, deri më 13.11.1951, kur Marku bën ankesë në Gjykatën e Qarkut në Gjilan dhe pas shqyrtimit të ankesës dhe pas një amnistie për të burgosurit politikë, kjo gjykatë merr vendim për ndërprerjen e vuajtjes së mëtejme të dënimit, për çfarë më 22 janar 1952, Marku lirohet nga burgu[9].
Pas daljes nga burgu, Marku e rrëfente jetën e tij me njerëzit e rrethit të ngushtë familjarë. Ai, u tregonte të gjitha vuajtjet që i kishte përjetuar nëpër burgjet jugosllave. Ishin tregime për tmerrin e përjetuar. Poshtërimet  që bëheshin ndaj nesh, thoshte ai, nuk mund t’i përshkruajë dora e njeriut. Të bënin që mos të jesh vetvetja, sepse vazhdimisht kërkonin që ti të nënshtroheshe. Por, ai rrëfente se si të burgosurit shqiptarë asnjëherë nuk ishin nënshtruar dhe ata, kishin qëndruar të pathyeshëm. Megjithatë, ai nuk ndalej edhe aq gjatë në rrëfimet e të shkuarës së tij, as në të shkuarën e shokëve të tij. Ishte mjaftuar me rrëfimet e para, më shumë për ta kundërshtuar dhe zhveshur sistemin jugosllav komunist në çdo fushë. Ai, më shumë kërkonte nga njerëzit që të shihnin përpara, të shihnin të ardhmen e tyre të munguar, prandaj kërkonte që punohej sa më shumë për te…
 
Nga Selishta në Preshevë
Nga një burg i mbyllur në qeli, ai doli në një burg të madh që populli shqiptar e vuante nga regjimi komunist jugosllav. Natyra e tjetërsimit në sistemin socialist jugosllav, kishte dimensione të ndryshme, kryesisht kontradiktore. Ligjet kushtetuese në fuqi, normat, rregullat etj., ishin në disproporcion të thellë me veprimet praktike. Sistemi politik i ashtuquajtur socialist, ishte vetëm një mbulesë për mekanizmat shtetërorë që ishin, as më shumë dhe as më pak, mekanizma të krimit. Politika diskriminuese dhe e terrorit që zhvillohej ndaj popullit shqiptar, kishte hapur plagë të thella: Kosova dhe viset shqiptare po shndërroheshin hap mbas hapi në një burg të madh – të tmerrshëm. Paralelisht me dhunën (përtej terrorit të përditshëm), regjimi po bënte përpjekje që t’i gjunjëzonte shqiptarët edhe përmes urisë!
Në vendbanimin e tij të origjinës, Mark Gashi bënte jetë të njejët me bashkëkombasit. Pas daljes nga burgu, ai nuk mund të gjente punë. Rrethanat socio-politike, nuk e lejonin që të inkuadrohej në ndonjë punë. Koekzistenca me rrethin e tij familjar, veç kushteve sociale, po ashtu ishte e vështirë për Markun për shkak të ndikimit të shumë faktorëve. Në rrethana të errëta e me plotë mërzi, Mark Gashi vendosi që të largohej sërish nga vendlindja. Ai, së bashku me familjen u vendos në Preshevë. Mirëpo, ai nuk hoqi kurrë dorë nga idealet e atdhedashurisë. Në kontekst prandaj, vendosja e tij në Preshevë, mbi të gjitha, nuk ishte e rastësishme ngase, dikur Marku në këtë regjion kishte zhvilluar aktivitet të fuqishëm luftarak kundër armiqve. Së bashku me familjen, u vendos në shtëpinë e njohur si “vilat Letafet” (rruga e Gjilanit, nr. 28).[10]
Pas vendosjes, Marku u përkushtua shumë në përhapjen e arsimit, në themelimin e shkollave, në përkrahjen e të rinjëve për tu arsimuar etj. Ai qe i ideatorë dhe përkrahës i hapjes së dhjetëra shkollave në Preshevë, Gjilan, Bujanoc dhe Kumanovë. Por, Marku nuk hoqi dorë as nga aktivitetet politike nacionale. Partia Nacional Demokrate, së cilës i takonte Marku kishte pësuar goditje shkallmuese nga regjimi titist e rankoviçqian, dhe ai u orientua tek ideja e formimit të bazave të reja për shtytje të emancipimit politik, dhe të zgjidhjes së çështjes nacionale.  Vijimi i rezistencës kundër pushtuesit sllavo-komunist zhvillohej gjithandej nëpër Kosovë, prandaj edhe në Anamoravë. Tubimi i nacionaldemokratëve shqiptarë në Moravë të Epërme me figura të njohura, si: Adem Stançiqi, Fazli Seferi, Hamdi Kurteshi, Musli Pira, Fetah Terziu dhe vullnetarë tjerë, i dhanë forcë vijës së rezistencës gjithandej duke përfshirë edhe Luginën e Preshevës[11].
Më 1957, atdhetari i paepur Metush Krasniqi, në bashkëpunim me aktivistët e tjerë patriot, e formoi Partinë Revolucionare për Bashkimin e Trojeve Shqiptare me Shtetin Amë”[12]. Mark Gashi, ishte përkrah tij.  Metushi, siç mund të themi, ishte  shpirti i partisë, sikur që Mark Gashi dhe Sejdi Kryeziu qenë zemra e partisë. Marku, i jepte frymëmarrje kësaj organizate sa herë që kishte nevojë. Mark Gashi, ishte dirigjues i nacionaldemokracisë shqiptare: ai, mbi të gjitha ishte trim, i përgatitur moralisht dhe profesionalisht, kishte eksperiencë të madhe politike dhe ishte i kalitur në jetë e në luftë.
Aktivistët e kësaj organizate, vepronin në ilegalitet. Takimet e rëndësishme të kreut të saj, kryesisht bëheshin në fshehtësi, ndërsa vend i sigurt për takime ishte shtëpia e Mark Gashit në Preshevë, dhe shtëpia e Metush Krasniqit në Shkup. Mbledhjet bëheshin në bazë të programit të organizatës të cilin e kishte përpiluar Metush Krasniqi. Qëllimi themelor i organizatës, sipas të gjitha fakteve, ishte përgatitja e një grushteti ndaj Jugosllavisë socialiste. Por kjo ishte rruga më e vështirë, më e rrezikshme dhe më supreme që mund të përfytyrohej sepse, kjo nënkuptonte organizimin e kryengritjes. Mirëpo, prijësit e ORTBSH ishin të vetëdijshëm për të gjitha rreziqet dhe ata,  nuk do të shmangen nga idetë dhe veprimet për çlirimin e tokave shqiptare nën ish Jugosllavi, dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë – shtetin amë. Le të ishte edhe rrugë e gjatë, me çfarëdo rreziqesh por, prijësit e organizatës e kishin konceptuar programin çlirimtar teorikisht, dhe ata kishin filluar të vepronin edhe në terren duke besuar se “fundi i rrugës”, do të ishte i suksesshëm.
E gjithë organizata në krye me Metush Krasniqin, Mark Gashin, Sejdi Kryeziun, Qemajl Kallaben, Mehmet Ajetin dhe Mehmet Dërmakun, ishte e ndikuar fuqishëm nga veprimtaria e atdhetarëve të sipërpërmendur, sidomos në linjën e veprimit praktik për çlirim të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare nën ish Jugosllavi dhe bashkimit të këtyre viseve me shtetin amë Shqipërinë. Në anën tjetër, konsolidimi i organizatës sa vinte e forcohej. Takimet e shpeshta mes anëtarëve të organizatës ndikonin në thellimin e mendimeve dhe përpilimin e programeve vepruese. Grupi kishte takime të rregullta qoftë në Preshevë në shtëpinë e Markut, qoftë në Shkup në shtëpinë e Metush Krasniqit. Kështu që prijësit e organizatës, në një takim të mbajtur në shtëpinë e Mark Gashit në Preshevë, janë konsultuar dhe janë dakorduar që të ngrihen kundër sistemit të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, sepse ishin kushtet sado pak të pjekura që të bëheshin veprime konkrete.
Mark Gashi në cilësinë e organizatorit dhe unifikimit të grupit, ka marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e organizatës. Pasi, Marku ishte më i moshuar dhe me eksperiencë të mjaftueshme në organizime të tilla, jepte këshilla dhe propozime me qëllim që grupi të funksionojë sa më mirë dhe të zgjerohet e forcohet nga të gjitha pikëpamjet. “Duhet të ndryshohet ana organizative dhe të ndryshohet metoda e veprimtarisë me qëllim që të arrihet efekti i duhur. Është indikative që të formohen grupe të vogla në rrethe të ngushta, bazuar në afërsi miqësore dhe shoqërinë tonë të njohur e të besueshme. Kjo duhet të shtrihet në të gjitha rrethet si në: Gjilan, Preshevë, Kamenicë, Bujanovc, Kumanovë, Ferizaj, Gjakovë Prizren etj.”[13] Pastaj, hap mbas hapi, janë ndarë edhe detyrat dhe përgjegjësitë. Secili, me kujdes, është  ngarkuar me detyra të veçanta në mënyrë që të operohej më lehtë në terren në komunikim me bashkëmendimtarët e tjerë.  Mark Gashi, është ngarkuar me detyra dhe përgjegjësi për të vendosur  lidhje dhe për të komunikuar me diplomacitë e huaj të shteteve perëndimore. Kjo përgjegjësi, është gjykuar të  realizohet në bashkëpunim me priftin Don Rrokut nga Prizreni dhe me Mikel Franjën (argjendar nga Shkupi). Po ashtu, Marku duhet të vendoste lidhje edhe me shokë të burgut, e me të cilët Marku kishte qenë i burgosur.
Një ide e paimagjinueshme për kohën
Në cilësinë e strategut ushtarak, Marku bënte vizita në disa lokalitete të fshatrave të Preshevës, e ku edhe mund të vendosej materiali dhe strehimi i anëtarëve të grupit, varësisht nga situatat. Para anëtarëve të grupit, Marku kishte propozuar edhe një shpellë natyrore në fshatin Ilincë, e cila ishte mjaft e përshtatshme për veprimtari të fshehta. Në këtë shpellë, kishte mundësi reale të stacionoheshin mjetet teknike, si:  makina shkrimi, shaptilograf dhe materiale të ndryshme propagandistike, por edhe amrë…!
Idetë dhe propozimet e Mark Gashit, aprovoheshin njëzëri nga anëtarët e tjerë të grupit. Gjithnjë, ai ishte aktiv, i palodhshëm, operativ. Ai, kishte vënë kontakte me priftin Don Rroku, dhe i kishte shpjeguar atij rolin dhe rëndësinë e lidhjeve që duhej të vendoseshin me diplomacinë evropiane, prej nga duhej të siguroheshin ndihma politike dhe materiale. Don Rroku, kishte pranuar që të bashkëpunonte dhe i kishte premtuar Markut vendosjen e lidhjeve me diplomacitë e huaja, sidomos me atë italiane. Aktiviteti i anëtarëve të kësaj organizate patriotike, bëhej gjithnjë me vrull të madh. Zgjerohej përditë rrjeti i komunikimit me veprimtarë të ndryshëm brenda viseve ku jetonin shqiptarët, madje, ishte arritur që të visheshin kontaktet edhe me botën e jashtme. Organizata pastaj, kishte arritur që të siguronte një shaptilograf si një mjet teknik tejet i rëndësishëm për t’i përgatitur dhe shumëzuar materialet e shtypura me përmbajtje propagandistike  antijugosllave.
Marku, mbi të gjitha, dallohej shumë për nga aftësitë organizative të grupit. “Ne duhet të formojmë grupe të ngushta përmes rrethit familjar e shoqëror. Ato grupe duhet të funksionojnë me nëngrupe tjera dhe kështu ta zgjerojmë rrethin tonë. Funksionimi në grupe të ngushta, karakterizohet me sigurimin e veprimtarisë sonë, zgjerimi i rrjetit të bëhet me kujdes sepse nuk është e logjikshme që në lindje të dëmtohet fryti. Në secilin vendbanim, fillimisht të caktohen dy-tre persona dhe këta të punojnë në grupin e tyre të formuar. Secili anëtar i grupit dhe nëngrupit nuk është e thënë të dijë për ekzistencën e qendrës. Personat duhet të jenë të pavarur në veprimet e tyre bazuar në platformën dhe programin e organizatës. Dalëngadalë secili anëtar kur të kalitet mirë do të lidhet me anëtarët e qendrës. Edhe ata duhet të kenë qasje me krerët e lartë të organizatës pasi të japin prova dëshmuese dhe besnikërie,” thoshte Marku.
Anëtarët e organizatës në bazë, ai i konsideronte si krahë shqiponje që mundësojnë të fluturohet më lehtë. Ai, gjykonte që zgjerimi i rrjetit veprues, duhet të fillojë nga Kosova (Gjilani, Kamenica, Presheva, Bujanovci), nga Qarku i Kumanovës, Ferizajt, Gjakovës, e deri në Prizren. Për viset e tjera, do të punohej gradualisht që të shtrihet rrjeti veprues.  Kur ishte fjala për veprimtarinë, Marku thoshte se mbështetja e tij ishin shokët e burgut të Mitrovicës së Sremit. Mark Gashi, kishte bashkëvuajtur me Nazmi Kryeziun, Ragip Hanen, Ndue Mark Dodën (bujk nga fshati Fierzë) dhe Dedë Mehmetin (nga fshati Rakoc), të gjithë këta nga rrethi i Gjakovës. Në Prizren,  mbështetje e organizatës ishte prifti katolik Don Rroku. Në rrethin e Preshevës, ishin mbështeja kryesore mësuesit: Rexhep Salih Hoxha, Adem Ahmeti e Mehmet Kadriu. Në Bujanoc, Mehmet Hoxha, mësues, në Gjilan, Rexhep Gjakova (punëtor). Marku, po ashtu, kishte besim edhe tek Sejdi Kryezi, Qemajl Kallaba, Tefik Kallaba etj., të gjithë të ndjekur politik nga pushteti.
Në aktivitetet e saj, organizata kërkonte shtrirje dhe përgatitje, sepse ajo synonte të lidhej me qarqet në perëndim për ta rrëzuar sistemin dhe regjimin komunist të Beogradit. Ja si i përshkruan aktivitetet e organizatës Mark Gashi, synimet e saj, mënyrat, mjetet etj.:
“Për funksionimin e një platforme politike e cila ka synime përmbysjen e sistemit socialist jugosllav, është e nevojshme shtypja e materialit dhe propagandimi i tij në opinion. Shtypja e materialit realizohet me makinë shkrimi dhe kopjimi e shumëzimi me shaptilograf. Meqë nuk kemi mundësi t’i blejmë mjetet materiale, atëherë duhet shikuar mundësitë nëse mund t’i gjejmë në ndonjë sipërmarrje. Si mund t’i realizojmë synimet tona? Pas furnizimit me materiale të nevojshme, fillimisht Metushi ngarkohet me shkrimin e trakteve, komunikatave, pllakateve etj., sepse ai është i aftë të shkruajë. Materialin e dërgojmë te shpella e fshatit Ilincë. Aty e kam zbuluar shpellën kur ishte Instituti  Gjeografik i Fakultetit të Shkupit. Është vend i përshtatshëm edhe për strehimin tonë. Përmbajtja e pllakateve ka karakter kombëtar dedikuar popullit shqiptar përmes të cilave, do të ftohen në luftë kundër rendit shoqëror të sistemit jugosllav dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në këtë kontekst, mes organizatës ka divergjenca të vogla ideologjike. Unë kam qenë për një Shqipëri nacionaliste të themeluar me principin e demokracisë perëndimore që Kosova të bashkohet me Shqipërinë. Nuk kisha simpati për vendet e lindjes, pra si e tillë edhe për Shqipërinë. Këtë mendim e kam shfaqur që në vitin 1945. Anëtarët e tjerë të organizatës, Metushi, Sejdiu, Qemajli, edhe pse me simpati e shikonin perëndimin, janë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, me rregullimin e tanishëm shoqëror. Në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për aktivitetin tonë, ne kemi menduar që të shikojmë mënyrën e pamjes sonë. Gardëroba duhet të jetë e ndryshme për maskim nga organet e pushtetit. Sipas nevojës ajo duhet të ndryshohet sepse mundëson që të udhëtojmë lirshëm nëpër vendet tona të caktuara, atëherë kur fillojmë të shpërndajmë traktet, pamfletet e material tjetër. Kemi nevojë për letërnjoftime të falsifikuara me emra të huaj, e fotografi tonën. Menjëherë duhet të dalim me veprimtari aksionare konkrete, si: minimi i urave, tuneleve e ndonjë objekt të rëndësishëm siç është minimi i hekurudhës. Për këtë jemi pajtuar të gjithë. Vetëm me veprime konkrete mund ta afirmojmë aktivitetin e organizatës dhe ta afirmojmë çështjen shqiptare në botën e jashtme. Mjetet duhet siguruar nga gurthyesi në Strezovc. Të gjitha këto veprime, mund t’i realizojmë përmes vëllait tim ( Isuf Gashi, vërejtja jonë: R.A.) i cili gjendet në cilësinë e rreshterit në policinë popullore me detyrë në Gjilan. Falsifikimin duhet ta bëjmë edhe me pasaporta. Kjo, po ashtu është e nevojshme, shkaku se në raste të rrezikimit të anëtarëve të organizatës, ata i transferojmë jashtë kufirit. Nëse ka sukses kjo punë, atëherë  ne do të shkojmë në Shkup te vulëgdhendësi dhe aty të rregullojmë vulën e rrumbullakët dhe vulën katrore. Ekzistojnë edhe forma tjera, por ne do të shkojmë drejt kësaj mënyre të veprimit. Të gjitha këto realizohen nëse lidhemi me ndonjë përfaqësi diplomatike nga jashtë. Lidhur me këtë, unë këto ditë isha në Gjakovë për ta vendosur vajzën në internatin e Normales dhe në të kthyer u ndala në Prizren për një takim me priftin Don Rrokun. Duke biseduar me të, ai shprehu gatishmërinë të na ndihmojë, edhe pse vet nuk kishte lidhje, por do ta kyç një mësues nga rrethi i Prizrenit i cili sapo kishte shkuar në Itali. Don Rroku e pranoi këtë detyrë që posa të kthehet nga Italia do të bisedojë me të. Por, nëse kjo nuk realizohet, unë do t’i shkruaj një letër një prifti të lindur në Ferizaj, cili punon në dioqezën e Shkupit. Pas, kësaj bisede kërkova që të kurorëzohem në kishë me Cicilije Krasniqin nga Prizreni  që para disa muajve isha martuar. Ai më propozoi të kurorëzohem në Shkup dhe kështu të lidhemi me dioqezën e kishës në Shkup. Prifti i ri, me sa duket quhet Gaspër. Kjo rrugë e jona nuk u realizua sepse, jemi zbuluar nga organet e sigurimit shtetëror dhe jemi burgosur…”[14]
Përgatiti: F. Ajvazi
[1]Dosja e Mark Gashit, f.93.
[2]Ramadan Rexhepi, marrë nga Ak. Mehmet Halimi, Ditari im, shënime dhe kujtime. Prishtinë, fq. 150-151.
[3] Burimi: Bejtulla Osmani, arsimtar ( 80 vjeç) Preshevë,   22.06. 2017.
[4]Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh 1944/1990, Tiranë 1992, fq. 457.
[5]Sherif Maliqi, shënime autentike, 1945, Emrat janë të shkruar shqip me alfabetin cirilik. Të dhënat i ofroi i biri i Sherifit, Ramadan Maliqi. Tetor, 2017.
[6]Ministria e Drejtësisë së Serbisë në vitin 2010, kishte formuar një komision për varrezat sekrete të të vrarëve pas 12 shtatorit të vitit 1944. Nga ky komision dalin disa rezultate përfshirë edhe territorin e Kosovës. Në regjionin e Anamoravës përmenden disa emra të dënuar me pushkatim në këtë periudhë.  Njëri ndër ta, është edhe Mark Gashi.
[7] Nga shënimet e Ukshin  Zajmit, Portali Gjilani.info. 20. 01. 2017.
[8]Dr. Hakif Bajrami, Dosja e  Metush Krasniqit, Prishtinë, fq. 367.
[9] Burimi: Dosja e Mark Gashit.
[10] Kur e vizituam këtë shtëpi në qershor të vitit 2017, e gjetëm të shndërruar në restorant me të njëjtin emër. Vila” Letafet”” ishte ndërtuar më 1936 nga  Abullah Veliu, atdhetar i shquar. Emërtimin e kësaj vile e kishte bërë vet pronari, z. Abdullahi, ngase ato ditë i kishte lindur fëmija i parë i gjinisë femërore, vajzë, e të cilën e kishte pagëzuar me emrin-Letafete. Letafeti, pasi që rritet, martohet me Nexhat Boriçin nga Shkodra i cili, pas Luftës së Dytë Botërore kishte zgjedhur të jetonte në Preshevë. Nexhati, ishte një nga miqtë e mirë të Mark Gashit. Fillimisht ky objekt kishte shërbyer si objekt shkollor, e më pastaj si objekt banimi. (Burimi: Bujar Veliu – nip i Abdullahut. Preshevë, qershor  2017)
[11]Hysen Terziu,Gjenocidi serb 1912-1956. Prishtinë, 2005, fq.163.
[12]Etem Ceku, Mendimi politik i lëvizjes ilegale në Kosovë 1941-1981. Prishtinë 2003,fq.141.
[13]Dr. H. Bajrami, Dosja e Metush Krasniqit, fq. 210.
[14] Pjesë nga Dosja e Mark Gashit, fq. 90.

Të ngjajshme

Analizë e redaksisë pas referendumit në Maqedoni, çka tutje?

admin

Rexhep Qosja pjesë e festivalit ‘Fiction Fest’

admin

Blini një libër për të ndihmuar femrat e përdhunuara

albswiss.com

Shembulli Arbresh, të bëhet lajtmotivi kryesor për tërë mërgatën tonë!

admin

Gazetari kroat tregon se si ishte pritur në Kroaci lajmi për rënien heroike të familjes Jashari

admin

Baleti Kombëtar i Kosovës shfaq “Le Corsaire”

admin
Loading...
Loading...
error: Content is protected !!