fbpx
albswiss.com
Aktivitete Lajme Mërgata Zvicër

Në seminarin e shqiptarëve të Unia-s

Loading...

Një grup sindikalistësh shqiptarë një herë në vit kuvendojnë shtruar për aktualitetin dhe të ardhmen e këtij komuniteti në Zvicër. Sivjet ata u takuan në Lozanë. Lista e synimeve të tyre është e gjatë dhe e rëndë.
Afër detit e afër mbretit – thotë një shprehje shqiptare – ka lezet. Po edhe buzë liqenit në Lozanë nuk është keq. Mu aty këtë fundjavë u sistemuan rreth dyzet sindikalistë shqiptarë të Unia-s. Nga të gjitha rajonet e Zvicrës dhe nga të gjitha viset e shqiptarëve. Vetëm sikur të kishin kohën dhe motin të shijonin magjinë e peisazhit, me të cilin është bekuar ky vend. Ata ishin aty për seminarin e tyre tanimë tradicional, me një agjendë që nuk lejonte më shumë kënaqësi se një vrap në pedonalen buzë liqenit, nga ku horizonti ravijëzohet mbi brigjet e Francës vis-à-vis.
Një shans i volitshëm

Sikurse me të drejtën e votës për migrantët në rrafsh lokal dhe kantonal, Gjeneva vazhdon t’u prijë proceseve për integrimin e të huajve në Zvicër. Për këtë dëshmuan anëtarët e Unia-s nga ky qytet, Linda Rexhaj Maliqi, Nasuf Nuhiu dhe Floreta Jashari. Ata janë të përfshirë në projektin „Papyrus“, që i legalizon personat „në të zezë“, apo „sans-papiers“, të cilët mund të provojnë pesë, përkatësisht dhjetë vjet qëndrimi në Gjenevë, se kanë një vend pune, se janë financiarisht të pavaruar, kanë njohuri të caktuara të frëngjishtes dhe nuk janë ndjekur penalisht. Projekti është i afatizuar deri në fund të 2018-tës. „Papyrus“ pra!
Mbi të Drejtën Ndër-kombëtare
Unia nuk do të ishte kjo që është, sikur të ishte indiferente ndaj aktualitetit politik. Një pjesë të vëmendjes së këtij seminari dyditor e morën dy iniciativat, për të cilat do të votohet me 25 nëntor në Zvicër. Për Osman Osmanin, kreun e sindikalistëve shqiptarë të Unia-s dhe të seminarit, emërtimi i iniciativës për „vetëvendosje“ është një zbulim perfid i specialistëve të Partisë Popullore Zvicerane për ta joshur opinionin në një ndërmarrje të errët. Shkurt: „Kjo iniciativë është kundër të drejtave të njeriut“, pohon Osmani. Në konceptin e sponsorëve të iniciativës e drejta vendore duhet të prevalojë mbi të drejtën ndërkombëtare. Në instancë të fundit kjo iniciativë përbën një agresion mbi demokracinë e të drejtat e njeriut. Dhe kjo nuk domethënë hiç më pak se liria e mendimit, e shprehjes, e mbledhjes dhe asociimit, e drejta e për gjykim të drejtë, e drejta për martesë, e drejta për privatësi…
Iniciativa e suspendon Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatën Federale. Me këtë ajo e përjashton edhe Organizatën Ndërkombëtare të Punës (IAO), e cila i përcakton të drejtat e punonjësve. Kështu iniciativa i kanos drejtpërdrejt segmentet që përfaqëson Osmani dhe auditori: punëtorët.
Jo më pak përfillje në ligjërimin e Osman Osmanit gjen iniciativa tjetër, për agjentët privatë të sigurimeve shoqërore. Ai spikat faktin që autorizimet e tyre nganjëherë i kalojnë ato të policisë dhe të shërbimit sekret. Therori i parë i tyre është privatësia e qytetarëve. Osmani nuk heziton t’i dënojë abuzimet eventuale me rrjetin social, por si për të gjithë opinionin mendjehapur, veprimtaria e agjentëve konsiderohet jopropocionale në raport me rrezikun e ambuzimit. Ai nuk mund të qëndrojë pa e shqujtur faktin se viktimë e punës ilegale të këtyre gjurmuesve të ndërsyer nga sigurimet janë pensionet e mohuara të qytetarëve të Kosovës në vendin e tyre.
Një imazh për homazh
Kampioni i diskutimeve në seminarin e grupit të shqiptarëve në Unia ishte Ruzhdi Ibrahimi, specialist i sigurimeve shoqërore. Me së paku tri paraqitje sistematike, të cilat sikur të mos i pasqyrosh të tëra, më mirë është të mos i trazosh fare. Sepse njëra është poaq e rëndësishme sa tjetra. Me ndjenjën e fajit le të vijë një fakt i elementar: Rreziqet, të cilat i mbrojnë sigurimet janë sëmundjet (edhe ato profesionale), lehonia, pleqëria, aksidenti në punë, barra familjare, invaliditeti, trashëgimia dhe papunësia. Ibrahimi ligjëron për marrëveshjet ndërshtetërore të sigurisë shoqërore. Dhe gjuha e tij shkon te dhemja e Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës. Ai thekson sihariqin se nga 18 qershori, përkatësisht 18 tetori i këtij viti është hapur perspektiva për pensionistët kosovarë të Zvicrës në vendlindjen e tyre.
Një ligjëratë të ndarë të Ruzhdi Ibrahimit përbën çështja e pagesave plotësuese, që në hapësirën gjermanofone njihen si „Ergänzungsleistungen“ (EL). Këtu bën mirë të kihet parasysh që këto nuk janë e njëjta me ndihmën sociale dhe se ato finansohen nga buxheti federal e ai kantonal. Dhe, se abuzimi me këtë të drejtë ndëshkohet.
Ligjërata e tretë, dhe jo e fundit, e Ruzhdi Ibrahimit i kushtohej asaj e cila nuk i ikën vetëm sindikalistëve shqiptarë dhe shqiptarëve të angazhuar në Zvicër: Marrëveshja për Shmangjen e Tatimit të Dyfishtë. Kjo paraqitje ishte e konceptuar bashkë me Luljeta Hajzerajn nga Rrjeti i Kishave Evangjelike të Zvicrës, që njihet me akronimet HEKS, apo EPER. Dhe, sigurisht, me Osman Osmanin. Marrëveshja ka hyrë në fuqi me 10 tetor 2018. E para marrëveshje Kosovë-Zvicër nga fusha e tatimeve! Në Zvicër ajo i prek tatimet federale, kantonale dhe komunale në të ardhura. Në Kosovë ato mbi atë mbi të ardhurat personale dhe korporative. Shkurt: Në deklaratën tatimore në Zvicër duhen dhënë të ardhurat kudo në botë nga: marrëdhënia e punës, pensioni, patundshmëritë dhe vlerat pasurore kudo në botë: xhirollogaritë bankare, letrat me vlerë, patundshmëritë, borxh-kamatat e kredive.
Ligjëratave të Ruzhdi Ibrahimit iu prin para një imazh nga 100-vjetori i grevës së përgjithshme në Zvicër, e cila i ka nxitur arritjet e sistemit shoqëror zviceran. Një imazh për homazh!
Sfond teorik i veprimit praktik
Hilmi Gashi, një eksponent tjetër i skenës së sindikalistëve shqiptarë të Unia-s në Zvicër, e ngre shkallën intelektuale të debatit. Ai sjell sfondin teorik të trajtave të „veprimit shoqëror“. Temat e tij nuk janë më pak ambicioze se bazat, arsyet dhe mënyrat e këtij veprimi. Pastaj ai ndalon te veprimi individual dhe ai kolektiv. Në një këndvështrim interdiciplinar Gashi identifikon katër hapa për mobilizim kolektiv: simpatizimi me një ide e qëllimi, informimi mbi mundësitë e veprimit, zhvillimi i motivit për t’u angazhuar dhe tejkalimi – për shembull – i frikës nga pasojat e mundura.
Për fund ai prezanton disa pika, ku ka potencial për angazhim të komunitetit të sindikalistëve shqiptarë dhe më gjerë: barazia në paga, kontrata e ndërtimtarisë, forcimi i pozitës së shqiptarëve në Unia, bashkëpunimi me sindikata në Zvicër dhe në vendlindje, faktorizimi shoqëror i mërgatës. Me këtë edhe e hap debatin për grupet e punës së pjesëmarrësve.
Vetëdije dhe kërkesa
Osman Osmani, kryesuesi, organizatori, morderatori dhe ligjëruesi i seminarit duhet të përpilojë një katalog të gjatë kërkesash të dala nga grupet e punës së sindikalisteve dhe sindikalistëve të seminarit të Unia-s.

Grupi i punës së grave, i frymëzuar nga një kronologji e luftës dhe fitoreve të gave nga Virginia Köpfli del me një listë synimesh: Realizim qindpërqind i barazisë së pagave, Ndarja e punëve në amëvisëri 50 me 50, Angazhimi në shtëpi të njihet si stazh pune, Çerdhet e fëmijëve të bëhen pa pagesë për gratë e punësuara, Pushimi i lehonisë të jetë 9 deri 12 muaj. Ato madje mendojnë edhe për burrat, duke kërkuar së paku një javë pushim atësie… Etj.
Kurse grupi i punës së burrave shënon: Në çdo takim pune të sektorëve të sindikatës të komunikohet edhe në shqip, Mbledhja e delegatëve të përkthehet edhe në shqip, Në Valis të krijohet grup sindikalistësh shqiptarë, Të ndihmohen „sans-paiers“-at për rregullimin e qëndrimit, Të përkrahet më shumë shtojca në gjuhën shqipe e gazetës së Unias („Horizont“), Anëtarësia shqiptare të përfaqësohet në organet më të larta të Unia-s, Bashkëpunim me sindikatat e vendeve amë të anëtarëve. Etj./Kujtim Shabani/Prointegra/

Loading...

Të ngjajshme

Qyteti fare pranë Shqipërisë ofron 2000 euro që të jetoni në të, kjo është arsyeja

albswiss.com

YouTube do të ndaloj rekomandimin e videove konspirative

admin

Iu shua i shoqi nga tërmeti, Klotilda Greku dhe e bija bëhen me shtëpi të re

albswiss.com
Loading...
Loading...