fbpx
Alb'swiss TV
Mërgata Zvicër

“Udhëtimi im” – Osman Osmani: “Atdheu, thesari ku ruhen kujtimet më të mira jetësore, pasuritë shpirtërore të pakufishme”

Osman Osmani, një emër i nderuar pjesë e strukturave më të rëndësishme Partinë Socialdemokrate, partia e dytë nga madhësia në Zvicër. Ai ka qenë nismëtar dhe ideator për themelimin e Strukturës së Migrantëve në PS. Lindur në Kosovë dhe larguar prej saj më 1981, për shkak të dhunës e terrorit serb, fillimisht në Turqi e më pas Gjermani e Zvicër ku jeton aktualisht, Osmanit i është dashur të përballet me shumë sfida, profesione, struktura e njerëz, ka ku ka dalë përherë fitimtar dhe sot, kur hedh vështrimin pas, ia ka dalë mbanë dhe të lejë një emër të nderuar mes shqiptarësh e zviceranësh. Intervista e mëposhtme është një shembull i përkushtimit, seriozitetit, përgjegjësisë dhe profesionalizmit. Mesazhi që vjen prej tij është domethënës: “Ne – diaspora jonë në vendbanimet ku jeton e vepron – bashkërisht të kërkojmë rrugë për të strukturuar komunitetin në modelin bashkiak, pasi vetëm përmes strukturimit të institucionalizuar mund të jemi jo vetëm objekt por edhe subjekt si i shoqërisë që është qendra e jetesës sonë por edhe subjekt zhvillimor i komunitetit, kombit, shoqërisë dhe vendit amë”.
Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Përzgjedhja e profesionit, fillimisht, ka qenë i rastësishëm, i paplanifikuar dhe i imponuar nga rrethanat. Gjatë jetës sime kam kryer shumë punë e kam ushtruar profesione të ndryshme.
Edhe mërgimi im nuk ka qenë i programuar e me vetëdëshirë, por i imponuar nga rrethanat politike menjëherë pas demonstratave gjithëpopullore të vitit 1981 për barazi e vetëvendosje të shqiptarëve në(n) ish RSFJ, kur në vjeshtë të po atij viti jam larguar në drejtim të Turqisë e nga aty pas rreth tre muajve për në Gjermani. Për rreth dy vitesh të plota, sikur dhe bashkëveprimtarë tjerë, kam pasur rastin të shijojë mikpritjen zemërgjerë të familjeve shqiptare të shpërngulura dhunshëm disa dekada më herët në Turqi dhe më pas edhe të bashkatdhetarëve tanë punëtorë në Gjermani, te cilët edhe përkundër rreziqeve dhe pasojave drastike nga shteti jugosllav, na kanë ofruar strehim, ushqim, shtrojë e mbështetje të pa rezervë, dhe të cilët njëherazi kanë qenë edhe bartësit kryesor e të vendosur të të gjitha veprime e aktiviteteve konkrete atdhetare politike gjithandej. Këtyre heronjtë të vërtetë të mbijetesës sonë, të ruajtësve dhe kultivuesve të vlerave më të mira të popullit tonë si dhe bartëseve kryesore të veprimtarisë atdhetare e shoqërore deri edhe luftës për pavarësi si në aspektin material ashtu edhe në atë personal, ne dhe gjeneratat e ardhshme duhet tu jemi mirënjohës për jetë të jetëve.

Më pas në nëntor të vitit 1983 kam qenë i detyruar që të kërkoj strehim politik në Zvicër, ku ende jetoj e veproj. Edhe pse në Kosovë kam kryer normalen dhe kam studiuar juridikut – pa mundur ta përfundojë atë për shkak të arratisjes -, në vendin e ri të vendosjes, në Zvicër kam nisur punën fillimisht në gastronomi për të vazhduar në industrinë e tekstilit, pastaj pas një arsimimi të shkurtër në hekurudhat e bashkuara të Zvicrës, ku krahas punës profesionale dhe asaj vullnetare shoqërore jam arsimuar dhe më pas edhe jam specializuar në lëmine psiko-sociale, duke marrë titullin Trajnues për Debrifingun psikologjik (një metodë trajtimi të përjetimeve traumatike).  Ky arsimim i parë në Zvicër më ka mundësuar avancimin profesional si bashkëpunëtorë në Shërbimin Psiko-Social të Organizatës për Azil të Kantonit të Cyrihut, ku kam punuar për 10 vite të plota edhe me refugjatë të prekur nga traumat e ndryshme. Krahas punës në këtë institucion, kam vijuar edhe studimet në shkollën e lartë universitare për punë sociale ku jam diplomuar si Animator Socio-kulturor. Pas 10 viteve punë këtu, kam kaluar si drejtues i punës së hapur me rini në pjesën veriore të qyteti të Cyrihut (OJA Zürich-Affoltern) për 5 vite të plota. Më pas, falë rekomandimin dhe insistimit të bashkatdhetarit tonë Hilmi Gashi, ka qe 10 vite që jam angazhuar në sindikatën Unia, në funksionin e sekretarit për migracion, përgjegjës për anëtarët e Evropës juglindore, ku në fund të këtij viti edhe do të përmbylli karrierën time profesionale.
Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?
Kalimi qysh në vitin 1995 me detyrë në një Institucion të Kantonit të Cyrihut, ka qenë momenti që ka shënuar avancimit tim profesional, që si i tillë ndër të tjera ka ofruar mundësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale edhe të veprimtarive kulturore, arsimore e tjera të bashkatdhetarëve dhe komunitetit tonë të Zvicrës.

Puna paraprake si asistent trenash me turne në Hekurudhat e Bashkuara të Zvicrës, përpos arsimimit të mëtejmë, më ka mundësuar edhe që, krahas angazhimit të mëtejmë politik e atdhetar, të angazhohem në aktivitete shoqërore me zviceranë dhe migrantë tjerë për shkëmbime ndërkulturore e integruese nga rrafshi arsimor (përfshi edhe në mësimin plotësues në gjuhën amtare), shëndetësor dhe social, gjithmonë në përpjekje për të qenë i dobishëm për çështjen tonë dhe për komunitetit shqiptar në Zvicër. Kështu qysh ne pjesën e  dytë të viteve të 80’ta kemi themeluar edhe klubin e parë të punëtorëve shqiptarë “Rilindja” në Schaffahausen, pastaj gjithandej nëpër Zvicër edhe degët e para të strukturave tjera politiko-shoqërore të krijuara pas pluralizmit në vendet amë, deri tek themelimi në fillim të viteve të 90’ta të Bashkësisë Shqiptare të Kantonit Schaffhausen me rrethinë, që ka shënuar edhe kulmin e organizimit bashkiak të shqiptarëve në Zvicër.
Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Po, në rastin tim ka qenë pikërisht angazhimi vullnetar shoqëror, komunitar e politik. Pastaj, unë krahas ushtrimit të profesionit kryesor, kam kryer edhe punë përkthyesi e ndërmjetësuesi në përgjithësi mes migrantëve dhe institucioneve e zyrtarëve vendas, gjithashtu kryesisht vullnetare edhe për nevojat e shqetësimet e njerëzve tanë. E gjithë kjo veprimtari vullnetare jashtë profesionale – kryesisht me motiv human, bashkë me aktivizmin politik, mund të them se ma kanë trasuar rrugën jo vetëm për karrierë profesionale por edhe për karrierë politike. Sa i përket politikës, kjo ka ardhur ne shprehje në zgjedhjet parlamentare në kantoni Schaffhausen ku jetoj, kur në vitin 2005 ia arrita të zgjidhem si deputeti i parë shqiptar në një parlament kantoni në Zvicër, duke shënuar kështu – thënë simbolikisht – historikisht thyerjen e akullit edhe në rrafshin institucional politik të Zvicrës. Sot në Zvicër kemi mbi 100 shqiptaro-zviceranë, burra e gra që janë bartës të mandateve si deputete/ë e asambliste/ë kantonesh e komunash në Zvicër, fatmirësisht përpos në legjislativ edhe të tilla/ë me mandate ekzekutive, me të cilat/ët mund të krenohet jo vetëm komuniteti shqiptar në Zvicër por edhe shoqëria si në vendin e jetesës ashtu edhe ato të shteteve amë.

Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Vetë arratisja dhe përballja me mbijetesë, jo vetëm fizike por edhe politike, kanë qenë ndër sfidat më të vështira. Në rrethanat e pushtimit e shtypjes së huaj dhe atyre sistemore (një partiake), veprimtaria politike dhe ajo e rezistencës për barazi, pavarësi e vetëvendosje kanë përcaktuar edhe mënyrën e të vepruarit politik jopublik. Sfidat që kanë përcjellë lëvizjen tonë atdhetare e shoqërore të rezistencës dhe për liri, barazi, pavarësi e vetëvendosje me krijimin e Lëvizjes së bashkuar me 17 shkurt 1982, e cila si e tillë dhe edhe për shkak të rrethanave nuk ka qenë mjaftueshëm homogjene dhe është përballur panda me kundërshti e luftë të brendshme për dominim e imponim, deri edhe në përpjekje e veprime që kanë abuzuar, intriguar e përdhosur njëra-tjetrën për të eliminuar herë njërin e tjetrin pjesë apo fraksion, të cilat kanë qenë bashkëthemeluese të kësaj Lëvizjeje, që datojnë nga ajo kohë e që janë të theksuara edhe sot e kësaj dite në skenën politike aktuale. Si njëri nga pjesëmarrësit në bisedimet e organizatave të atëhershme për bashkim dhe themelim e kësaj Lëvizjeje për Republikë Shqiptare me 17.02.1982 mund të them se, mungesa e vetëdijes dhe e kulturës së bashkekzistencës së subjekteve politike dhe konsensusit politik, kombëtar e shoqëror përmbi fanatizmin ideologjik, programet e interesat elektorale partiake e klanore për të qenë të vetme në pushtet mbetet edhe më tej ndër sfidat kryesore të shoqërisë shqiptare gjithandej dhe i sfidon edhe individët grupet, shoqatat, organizatat dhe rrjetet e diasporës shqiptare gjithandej. Më pak mendësi shkatërruese karshi të kaluarës dhe njëri tjetrit dhe më shumë reformim e përmirësim si dhe konsensus të përbashkët e bashkekzistence, do të na ndihmonte shumë të tejkalonim këto sfida, me të cilat nuk përballemi vetëm ne si komb dhe shoqëri.

Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
Personalisht, jo rrallë, duke kthyer vështrimin pas dhe duke reflektuar në të kaluarën time jetësore të përcaktuar edhe nga rasti e fati, jam bindur se  përjashto – nëse mund të themi – fatkeqësinë e faktin të arratisjes dhe të privimit për 18 vite nga e drejta për të jetuar pa asnjë kontakt fizik dhe me fare pak kontakt telefonik e çfarëdo tjetër me prindër, familjarë, farefis e shoqëri në vendlindje – si hapësirë e parë kryesore socializuese e emocionale, është edhe një anë tjetër që paraqet pasurim të njohurive e përvojave personale arsimore e profesionale si dhe politike e shoqërore në përgjithësi, e që edhe si rastësi mund të konsiderohet si një privilegj. Unë personalisht mund të them se kam përfituar shumë nga jeta në mërgim dhe edhe pse më është dashur të reflektojë dhe vështrojë në mënyrë kritike qëndrimet dhe pikëpamjet e mija, ti përmirësojë dhe ti shprehi ndryshe ato, megjithatë periudha e krijimit të personalitetit tim mban vulën e traditës shqiptare dhe formësimin e ndikuar nga rrethanat sistemore – politike e shoqërore të kohës, dhe se në thelb si i tillë përpos përshtatjeve pasuruese dhe artikuluese, nuk ka ndryshuar shumë.

Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Të pranosh dobësitë deri edhe faktin se mund të jesh edhe viktimë e jo vetëm “burrërorë” e “hero”, te bisedosh me të afërmit, familjaret, miqtë, kolegët e shoqërinë  edhe për tema “tabu” e të pranosh  dobësitë njerëzore, të jesh i gatshëm prapë te fillosh nga e para…
Unë  e konsiderojë jetën edhe si një luftë. Jeta jonë personale, familjare, grupore por edhe ajo kolektive edhe proceset zhvillimore ne diasporën tonë, të arriturat në fusha të ndryshme të njerëzve tanë, tregojnë më së miri se ne – edhe nëse jo tërësisht – kemi fituar dhe kemi triumfuar dhe se kjo është vetëm një betejë në procesin e pandalshëm të luftën për zhvillim e përparim individual, emancipim kombëtar e në përgjithësi edhe shoqëror …
Motivi im  për të mësuar e përfituar nga jeta në mërgim, nga dhe në një shoqëri me një zhvillim shumë më të latë ekonomik e shoqëror dhe me liri më të mëdha, si dhe për të vepruar në shumë drejtime si në lëvizjen atdhetare, në komunitet, por edhe në jetën shoqërore të vendit pranues, është ndërlidhur gjithmonë me paramendimin, qëllimin e synimin se si e sa mësimet, njohurit, përvojat e aktivitetet (mund të) i shërbejnë vendit dhe shoqërisë sonë amë. Fakti se shumë shokë e shoqe bashkëveprimtarë/e ishin arrestuar e dënuar me burg – nga ata edhe të torturuar çnjerëzisht e deri në vdekje – si dhe edhe familjarët e tyre stigmatizoheshin e keqtrajtoheshin nga regjimi i huaj pushtues dhe bashkëpunëtorët e tij shqipfolës, për mua ka paraqitur obligim të përhershëm që qenia ime në “liri” të ka një kuptim dhe të “arsyetohet”… Nga ky aktivizëm e angazhim i gjithanshëm, edhe pse nuk ka qenë qëllim i planifikuar, kam përfituar shumë dhe në shumë drejtime: si individ edhe në avancimin arsimor e karrierën profesionale e politike, por edhe angazhimi vullnetar në aktivitete shoqërore, ma ka mundësuar të jem më i dobishëm si për komunitetin shqiptar në Zvicër, ashtu edhe për çështjen dhe aspiratat tona kombëtare e shoqërore në përgjithësi.

Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme,  të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe” ?
Atdheu apo Mëmëdheu, për një mërgimtar si në rastin tim, paraqet thesarin ku ruhen kujtimet më të mira jetësore e që paraqesin pasuritë shpirtërore të pakufishme, që bashkë edhe me përvojat e ankoruara me apo pa vetëdije, përmbajnë një forcë që mundëson përballje me sfidat nga me të ndryshmet të jetës në mërgim, në një hapësirë “të huaj” dhe për një kohë – nëse jo edhe përgjithmonë – të panjohur… Me kalimin e kohës edhe të kuptuarit dhe perceptimi i At/Mëmëdheut nuk është vetëm statik por edhe lëvizë, pasi që edhe njerëzit që ndërlidhen me shumë kujtime tona emocionale në ndërkohë nuk janë më ne mesin tonë dhe kjo ndikon edhe në perceptimin dhe deri edhe nevojën e mëdyshjen për tu kthyer apo jo përfundimisht në Mëmëdhe… Pra At/Mëmëdheu, mund të themi se mbetet edhe më tej një perceptim vizionar, ku individi do të mund të përshfaqte gjithë kreativitetin dhe përkushtimin e tij për një shoqëri ideale.
Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm? 
Tek rasti im dhe i bashkëveprimtarëve tjerë, prioritet ka qenë mbijetesa. Kështu edhe instinkti i mbijetesës dhe drejta e vetëkuptueshme për të jetuar në këtë botë pamarre parasysh se në cilin vend jemi dhe pavarësisht se a duan të tjerët apo jo pra edhe u marrë leje të tjerëve për të jetuar. Për këtë duhet ti jemi mirënjohës sistemit të trashëgimisë dhe vitaliteti të popullit tonë për të mbijetuar edhe ne kushte të pushtimit dhe shfrytëzimit të egër me tendenca te të shkatërrimit dhe zhdukjes. Ndërsa një aspekt tjetër që më duhet ta theksoi është edhe avancimi i arritur nga ana e inteligjencës së përndjekur atdhetare dhe i klasës politike shqiptare të pasluftës së dytë botërore, sa i përket edhe kualitetit të edukimit dhe sistemit arsimor, të cilat unë personalisht e vlerësoj si resurse që ma kanë mundësuar ndër vite të diskutoi në nivel, të matem në tema të ndryshme dhe të jem konkurrent me të gjithë bashkë-kohanikët zviceranë dhe të tjerë.

Sa i përket integrimit, në këtë pikë kam pasur një kundërshti që më ka përcjellë gjatë gjithë veprimtarisë sime si profesionale, jashtë-profesionale dhe asaj shoqërore, pasi që shoqëria shumicë ka definuar dhe vazhdon të definoi se çka është integrimi dhe si duhet të ndodh ai. Shpesh integrimi barazohet me asimilim, e jo me një multiplikim në proces të ndërsjellë të të gjitha përvojave, njohurive, pasurive e vlerave pozitive… Gjatë proceseve e përvojave personale të migracionit jam bindur  – çka e vërtetojnë dhe studime e hulumtime të ndryshme shkencore – se shoqëria shumicë krijon stereotipa (negativ), të cilave u përshkruan edhe atribute nga më të ndryshmet, deri edhe çnjerëzore. Atribute këto kryesisht negative. Shoqërisë shumicë, apo edhe politikës në pushtet gjithandej nëpër botë, për të ruajtur privilegjet, pra edhe ne shtetet me demokraci të zhvilluar dhe respektim të avancuar të të drejtave themelore njerëzore, u nevojitet pakica e stigmatizuar për të ruajtur e krijuar norma të caktuara ligjore e sistemore, përmes të cilave “menaxhon” si shoqërinë shumicë ashtu edhe gjithë popullatën.

Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në eksperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Unë në bisedat mbi emigrantët parapëlqej të marrë shembull nga historia jetësore e familjes sime, gjyshërve deri edhe tek vetvetja… edhe sot e kësaj dite nga shokët e ngushtë ne situata te caktuara pak si me shaka e pak si thumbim thirrem si muhaxhir. Pra unë jam pajtuar me këtë trashëgimi të imponuar nga shkaqe të ndryshme, në rastin tonë të shkaktuara – jo nga fatkeqësitë apo mungesat e resurseve natyrore – por nga njeriu dhe politikat antinjerëzore.

Në Zvicër, personalisht nuk kam vuajtur ndonjë pasojë të drejtpërdrejtë, vetëm nga fakti se jam ardhacak në Zvicër, përkundrazi… ndoshta edhe nga bindja dhe qëndrimi im se në këtë jetë dhe botë kam ardhur rastësisht dhe se bota u takon te gjithë  njerëzve, andaj këtë te drejtë nuk kam lejuar të ma nëpërkëmbë  askush, as një vendas “denbabaden” i Zvicrës. Përkundrazi, për mua personalisht, ka qenë një përvojë sa absurd aq edhe i dhimbshëm, fakti se në dhe të huaj kam mundur të shprehem lirshëm si për biografinë time ashtu edhe për përkatësinë , bindjet politike dhe aspiratat e popullit dhe vendit tim. Ndërkaq, që në vendin amë jam/jemi  përndjekur vetëm pse jam(/kemi ata që jemi dhe që kemi kërkuar jetësimin e të drejtave themelore njerëzore dhe të popujve, të proklamuara e deklaruara publikisht si dhe të garantuara edhe me ligje e  kushtetutën  e kohës në fuqi. Emërtimi “emigrant/e, apo migrant/e” sa është identifikues po aq është edhe përjashtues e diskriminues.

Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Siç e përmenda më lartë, bashkëpunimi ndërshqiptar në të gjitha hapësirat, mund të përmirësohet dhe duhet të ndodhë  përmes një forme inkluzive (gjithëpërfshirëse) e jo ekzskluzive (përjashtuese). Gjërat që na bashkojnë janë të shumta dhe të rëndësisë kryesore jetike, ndërsa ato që na ndajnë të pakta dhe jo të denja për një jetë me dinjitet për të gjithë ne. Organizim bashkiak apo komunitar, si ai i sprovuar dhe zbatuar suksesshëm në Zvicër në vitet të 90’ta përmes modelit të Bashkësisë Shqiptare të Schaffhausen-it me rrethinë, është   dëshmuar si model inkluziv, që merre parasysh interesat dhe përfshirjen e të gjithëve. Edhe pse ky organizimi duket ti takon të kaluarës, megjithatë mbetet modeli i vetëm i qëndrueshëm i organizimit serioz gjithandej ku frymon mërgata, apo thënë ndryshe diaspora shqiptare, tani dhe në ardhme. Organizimi bashkiak është dëshmuar si forma e vetme e qëndrueshme e përbashkuese e komunitetit tonë pa marrë parasysh prejardhjen regjionale, besimin fetar, bindjet e pikëpamjet politike e shoqërore dhe në ketë organizim duhet të orientohemi të gjithë ne bashkë pa përjashtuar si edhe institucionet përgjegjëse të vendeve ku jetojmë si dhe atyre amë.

Duke pasur parasysh se pjesëtarët e diasporës shqiptare nuk kanë vetëm një “përkatësi” e “identitet”, ne dhe institucionet e vendit amë si dhe atij rezident, në asnjë rast nuk duhet të anashkalojë këtë fakt të përkatësive (dhe interesave) të dyfishta apo edhe të shumëfishta të pjesëtarëve të diasporës shqiptare. Kjo shumëllojshmëri duhet parë si resurse dhe si potencial pasurimi e jo si pengesë dhe përjashtuese.
Andaj, e mirëseardhur, bile edhe e domosdoshme, do të duhej të ishte që qysh në fillim të vihen binarët që në të gjitha aktivitetet e mundshme të pjesëmarrjes dhe përfshirjes të pjesëtarëve të diasporës shqiptare në jetën dhe zhvillimet e gjithmbarshme shoqërore, si ato të vendit rezident, ashtu edhe në ato të vendit të origjinës, të zhvillohen përmes bashkëpunimit të institucionalizuar në trekëndëshin: diasporë shqiptare – institucione të vendit amë – institucione të vendit rezident …

Organizimi në të ardhme duhet të mbështetet në përvojat e deritashme të diasporës sonë, me të gjitha të mirat dhe të këqijat e saj. Në vijim do të shtjellojë perceptimet dhe përshtypjet e mija subjektive në lidhje më këto përvoja, të cilat si të tilla edhe mund ti shërbejnë synimeve të tanishme:
Deri në fillim të viteve të 90-ta shqiptarët aktiv në Zvicër politikisht dhe atdhetarisht vepronin në kudër të lëvizjes (së rezistencës) për barazi dhe pavarësi të shqiptarëve nën Jugosllavi. Këto aktivitete mbështeteshin edhe nga “seksionet” e para shqiptare të ndara nga klubet e qytetarëve të ish-RSFJ. Më pas u krijuan edhe klubet e para ‘të punëtorëve shqiptarë me qëndrim të përkohshëm në botën e jashtme’. Këto klube përgjithësisht mbështetnin aktivitetet e lëvizjes atdhetare politike të shqiptarëve në çdo aspekt.  Ato ishin iniciuar dhe drejtoheshin nga patriot e njerëz përparimtarë nga të gjitha viset shqiptare nën Jugosllavi. Kjo periudhë e historisë së diasporës tonë jo vetëm në Zvicër meriton një trajtim, studim dhe hulumtim më të gjerë dhe të gjithanshme objektive, pa tendenca mohuese, përjashtuese dhe minimizuese.

Pas “pluralizmit politik në Evropën Lindore” u krijuan edhe degët me gjithë nëndegë dhe selitë e partive tani më të formuara në Atdhe (kryesisht Kosove e viset tjera shqiptare ende nën Jugosllavi). Kjo paraqiste edhe në lloj konkurrence në mes forcave dhe pikëpamjeve të ndryshme të veprimit politik jashtë vendeve të prejardhjes. Rëndësia e klubeve erdhi duke u zbehë dhe edhe ata punëtorë atdhetarë që kishin punuar bashkërisht deri më tani jo vetëm se aderuan në degë e nëndegë të partive të ndryshme, por çka është më e keqja jo rrallë u përçanë deri në armiqësi të ndërsjellët, edhe pse rivalitet e luftë për dominim duke u shërbyer me intriga të llojllojshme që shkoni deri në armiqësi kishte edhe më herët në kuadër të Lëvizjes për Pavarësi të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi. Përpjekjet e para që këto seli e degë të subjekteve të reja të bashkë-ekzistojnë dhe bashkëveprojnë nën një kulm datojnë qysh atëherë, pra në fillim të viteve të 90-ta. Në Kantonin Shafhausen dhe vendbanimet kufizuese të kantoneve Cyrih e Thuargau u krijua Bashkësia Shqiptare e Shafhausenit (BSHSH) me rrethinë, e cila përbëhej nga përfaqësues të subjekteve politike të deritashme dhe të reja (LPK, LDK, PPD, PDKK, Klubi shqiptar “Rilindja” i Shafhausenit dhe ai “Ilirida” në Diesenhofen/TG,…) dhe paraqiste një lloj çatie të të gjitha subjekteve dhe rrymimeve politike shqiptare në regjionin e Shafhausenit dhe pjesërisht edhe të regjionit fqinjë të Thurgau dhe atij të Cyrihut. Aktiviteti fillimisht koordinohej dhe funksiononte në mënyrë shembullore. U krijua edhe një lobi politik në Shafhausen dhe reagohej e merreshin qëndrime publike. Për Kosovën flitej dhe shkruhej edhe në shtypin e regjionit si pjesë dhe krahinë e Shqipërisë. Në këtë kohë po nga ky subjekt u iniciua edhe aksioni i solidaritetit “një Frang në ditë” për jetësimin e pavarësisë dhe shtetësisë së shqiptarëve nën Jugosllavi. Ky model pas një bisede me ish deputetët e ish Kuvendit të Kosovës (që pasi shpallën pavarësinë në Kaçanik ikën jashtë) më pas me kohë u zhvillua në fondin të 3%-shit. Fatkeqësisht ky fond si përjashtues e jo si (gjithë)përfshirës i shërbente vetëm LDK-së e jo të gjitha subjekteve shqiptare si në vendet e origjinës ashtu edhe këtu në Zvicër dhe në përgjithësi në Diasporë.

Është me rëndësi të theksohet se përbërja e BSHSH me rrethinë ishte e ndërthurur – nëse mund të themi – si horizontalisht ashtu edhe vertikalisht, d.m.th. në bazë të prejardhjes nga regjionet e ndryshme të viseve shqiptare nën Jugosllavi ashtu edhe në bazë të vendbanimeve në të cilat jetonin në regjionin Shafhausen me rrethinë.
BSHSH ishte  e ndërlidhur shumë mirë si në kontekstin lokal ashtu edhe atë regjional. Bashkëpunonte ngushtë me institucionet vendore dhe ato të ashtuquajtura “multikulturore” dhe përpos se vepronte aktivisht bashkë me to, kishte edhe përfaqësim të denjë në këto struktura.  Megjithatë duhet theksuar se aktiviteti kryesor, merret vesh për shkak të rrethanave në Atdhe fokusohej herë në informimin mbi situatën dhe problematikën në vendet e prejardhjes e herë në mbështetjen solidare, morale dhe materiale.  E veçantë në veprimin e BSHSH me rrethinë ishte edhe angazhimi i institucionalizuar për këshillimin e bashkëkombësve dhe shoqërimin e tyre në përditshmëri. Këto aktiviteteve përpos atij shkollor (mësimdhënia) që fillimisht shpërblehej njësoj si për mësuesit vendës nga Enti Shkollor i Qytetit, zhvilloheshin vullnetarisht nga aktivistët e BSHSH me rrethinë. Pengesa kryesore për ruajtjen e vazhdimësisë të veprimit dhe zhvillimit të më tejmë institucional ishte mungesa e përfaqësive diplomatike (me strukturat përkatëse në rrafshin politik, ekonomik dhe socio-kulturor) nga vendet e origjinës. Ato ekzistuese jugosllave na luftonin sikur më parë, ndërsa ajo e Shqipërisë pas “pluralizmit” kishte “halle” tjera. Partitë dhe kishe-qeveria e Kosovës në mërgim ishin të interesuara më shumë të vjelin mërgatën, e sa për funksionalitet nuk qanin kokën. Edhe këtë strukturë,  pra BSHSH me rrethinë, jo që e ndihmoi, porse e trajtoi si pengesë, për të mos thënë luftoj më shumë se sa strukturat dhe rrjetet shumë aktive  të shtetit shtypës dhe pushtues jugosllav.

Përkeqësimi i situatës të përgjithshme në Kosovë dhe viseve tjera shqiptare nën Jugosllavi (Serbi, Maqedoni, Mal të Zi) qoj në luftën çlirimtare. Pjesa më e madhe e diasporës në mes mundësisë për të qenë objekt i luftës për dominim mes krahëve kryesor politik (atij paqësor e luftarak)  dhe mungesës së koordinimit mes subjekteve relevante politike  – thuaja se të armiqësuara mes veti – por edhe çoroditjet politike në shtetin am –Shqipëri, natyrisht se zgjodhi që gjithë mundësitë e potencialet e saja kontribuuese t’i orientoi në mbështetje të mbijetesës dhe të luftës çlirimtare në atdhe… Si pasojë e luftës dhe zhvillimeve pasuese, lodhjes dhe zhgënjimeve të mundshme për arsyet e lartshënuara, mund të konsiderohet normale edhe ngecja e avancimit të mëtejmë të organizimit strukturor e institucional të diasporës sonë.
Përpjekjet e reja me mandat dhe me mbështetje pjesërisht institucionale
Me qëllimi të identifikimit të nevojave dhe preokupimeve të diasporës shqiptare në Zvicër në raport me vendet e origjinës dhe vendin pritës, pak pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës me 17.02.2008 u iniciua një proces bashkëpunimi konkret në trekëndëshin: diasporë shqiptare e Zvicrës – Institucioneve shtetërore të Zvicrës (Drejtoria zvicerane për zhvillim-bashkëpunim / DEZA) – Ambasada e Republikës së Kosovës (me përpjekje kyçje të përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë).

Qysh në fillim u vendos që ky proces të përfshijë gjithë komunitetin shqiptar në Zvicër, pavarësisht nga prejardhja gjeografike, meqenëse  komuniteti ynë perceptohet dhe identifikohet si shqiptar dhe përballet me sfida të njëjta, pa marrë parasysh kufijtë administrativë në Atdheun e tyre. Njëherazi u hoq dorë nga ideja fillestare për të ftuar si pjesëmarrës në proces aktorë të tjerë zviceranë. Komuniteti shqiptar pretendohej ti jepej mundësia e vetëvendosjes organizative.
Si pikënisje u morr gjendja aktuale e mërgatës shqiptare me sa vijon:
Mungesa e rolit aktiv të diasporës shqiptare si partner qoftë në raport me Zvicrën ashtu edhe me vendet e prejardhjes
Ndryshimi i situatës, (pavarësimi i Kosovës) mundëson riorientimin  dhe përkushtimin, një rol dhe angazhim të ndryshëm në raport me atdheun dhe vendin pritës.

Nevoja e formuluar e një artikulim më të mirë i përfaqësimit të interesave të të gjithë aktorëve të mundshëm (shtetërorë, shoqëri civile, privat, …)
Edhe kjo përpjekje në misionin e saj për të strukturuar e institucionalizuar organizimin e Diasporës Shqiptare në Zvicër – edhe pse shumë shpresëdhënëse – edhe përkundër krijimit të mëpasshëm formal të “Kuvendit Shqiptar në Zvicër”, kjo nismë nuk u zhvillua sikur ishte planifikuar, edhe shkaku i mungesës së përkrahjes institucionale të institucioneve te vendit rezident dhe atyre të origjinës.
Sidoqoftë, edhe kjo përvojë sikur edhe ajo e BSHSH, besoj mund të shërbejnë për të vazhduar përpjekjet e jetësimit të institucionalizimit të organizimit shoqëror dhe gjithëpërfshirës të diasporës shqiptare.

Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Një vetëdije e kulturë e bashkë-ekzistencës (ndoshta edhe e konsensusit) partiak e politik, përtej divergjencave të programeve dhe ambicieve për pushtet e dominim, apo egocentrizmit e interesave të përfitimit financiar e ekonomik klanor. Gjeneratat e atdhetarëve intelektual të mëhershëm, nisur nga periudha e rilindjes sonë kombëtare e deri në ajo e shekullit të kaluar, na kanë lënë trashëgimi të bollshme teorike e praktike të modeleve të organizimit shoqëror me prosperitet për të gjithë njerëzit. Nuk është e thënë që ato të zbatohen kallëp, por gjithsesi duke ua  përshtatur edhe rrethanave dhe zhvillimeve sistemore globale.
Përgjegjësit politik në mëmëdhe, diasporën e saj nuk duhet ta trajtoj vetëm si burim e kapital ekonomik, thjeshtë ta shoh si kuletë (portofol), por edhe si kapital arsimor, kulturor, politik e shoqëror në përgjithësime potencial shumë të madh zhvillimor për shoqërinë dhe vendet amë në të gjitha fushat e mundshme, deri edhe mbështetës nga kryesorët sa i përket  integrimeve kontinentale e në përgjithësi përfitimet nga zhvillimet dhe rrjedhat ndërkombëtare.

A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare? 
Në lidhje me ketë pyetje, unë përmes një opinioni publik kam shprehur bindjen time. Me të drejtë pritet që qeveria e Shqipërisë dhe ajo Kosovës (mundësisht në harmonizim edhe me qeveritë e vendeve pritëse) të krijojnë një plan operativ veprimi për krijimin e mekanizmave të qëndrueshme dhe strukturave gjithëpërfshirëse të diasporës (shqiptare), duke përfshirë edhe personat aktivë dhe rrjetet e diasporës si dhe grupet e ndryshme të interesit.
Pa kontributin e personave të diasporës me përvojën dhe veprimtarinë e tyre transnacionale mes vendit nikoqir dhe atij të prejardhjes, nuk ka asnjë gjasë të zhvillohet politikë e qëndrueshme për zhvillim përmes diasporës. Do të jetë vështirë të arrihen synimet e deklaruara për të vërë në lëvizje procese qarkore të zhvillimit dhe përparimit të mirëfilltë si për shoqëritë pritëse ashtu edhe ato dërguese.
Për t’i shërbyer sa më mirë vetës dhe shoqërisë/ve, është e nevojshme që strukturat e diasporës si në vendin amë ashtu edhe në atë rezident të institucionalizohen. Kjo, edhe për të mundësuar përfaqësimin proporcional të shqiptarëve të diasporës, veçanërisht qytetarëve transnacional, në institucionet politike.

Nëse në parim, do të duhej të ishim të gjithë të njëjtë para ligjit/shtetit/kombit dhe të gjithë pjesëtarë të barasvlershëm të kombit/shtetit/shoqërisë, pa marrë parasysh krahinën, moshën, gjininë, profesionin, bindjet, etj., atëherë fillimisht do të duhej të bëhej një veprim përmes një akti institucional që edhe materializon këtë parim, gjegjësisht që me një dekret nga qeveria kombëtare të nënshkruar nga kryeministri dhe ministri (sipas nevojës të aprovuar edhe nga Parlamenti i vendit) të gjithë të shpallen pjesëtarë të barasvlershëm të kombit, jo së fundi për të pasur shanse të barabarta për të konkurruar e ushtruar mandate nderi edhe në diasporë, por edhe për të investuar e kontribuar në një mënyrë apo tjetrën në zhvillimin dhe përparimin e vendit amë në të gjitha fushat e mundshme që ata kanë njohuri, përvojë, … të dëshmuar. Pra, fillimisht, me një dekret të tillë, secili pjesëtarë ‘de fakto’ i diasporës shqiptare të njihet edhe ‘de jure’ si i tillë!!!

Andaj në parim, të gjithë ne, bashkë me shtetin shqiptar, përfaqësuesit dhe institucionet e saj, për mendimin tim, fillimisht, para ndarjes së mirënjohjeve e “çmimeve” për individ pretendues, do të duhej të niseshim nga parimi që secili nga pjesëtarët e diasporës shqiptare aty ku është, vepron, krijon e jeton, potencialisht dhe në perspektivë të jetë ambasador i kombit dhe shoqërisë amë (gjithmonë duke pasur si orientim të arriturat e shoqërisë njerëzore dhe duke u bazuar në parimet universale për të drejtat e njeriut,…).
Unë mendoj se institucionet e vendit amë bashkë me të gjithë ne, duhet të angazhohemi që fillimisht të bëhet një punë organizative gjithëpërfshirëse, e munguar si tepër shumë veçanërisht në këto vitet e dekadat e fundit (… organizim dhe veprim ekipor në drejtim të krimit të enëve/strukturave bashkiake dhe grupeve profesionale nga profesionistë të të gjitha fushat ekzistuese).
Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen? 
Unë jam angazhuar vazhdimisht edhe në zhvillimet shoqërore e politike në Kosovë dhe si njëri ndër pjesëtarët profesionistë në profile të ndryshme jam edhe më tej i motivuar që mësimet dhe shkathtësitë e përvojat e mija të pasuruara arsimore, profesionale, kulturore, politike (e sindikaliste) dhe ato të përgjithshme shoqërore bashkë me aftësitë e reja, të provoj t’i bartë  dhe zbatojë përshtatshëm e me përkushtim gjithandej në vendin amë.

Por, jam i vetëdijshëm që për të mundësuar e lehtësuar ketë, nevojitet përfshirja institucionale e të gjithë personave me vullnet e motivim të ngjashëm, mundësisht edhe me mandat të qartë të kontraktuar si nga shteteve amë ashtu edhe të atyre të vendeve ku jetojmë e veprojmë. Ne, në fund të fundit, për të dhënë kontributin tonë, qoftë edhe vullnetarë, nuk kemi nevojë për shpjegues, përkthyes, shoqërues, strukturë e infrastrukturë të kushtueshme shtesë, pasi kemi qenë, jemi dhe do të mbetemi pjesë përbërëse – gjithmonë shumë aktive – e at/mëmëdheut dhe edhe shoqërisë amë.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekes online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim) ?
Nisur nga përvoja personale dhe përfitimi i shumanshëm përmes angazhimi shoqëror e politik i këshillojë të gjithë bashkëkombësit kudo që janë dhe gjithashtu edhe të gjithë ndjekësit e “The Albanian”, që krahas marrëdhënies në punë, apo veprimtarisë e ndërmarrësisë ekonomike, të angazhohen edhe në jetën e komunitetit si dhe në jetën e përgjithshme shoqërore e politike, pasi që vetëm kështu mund të trasojnë rrugën për një perspektivë më të mirë arsimore, profesionale dhe në përgjithësi jetësore për gjeneratat e reja, e kështu jo vetëm për komunitetin tonë, por  edhe për vendin e shoqërinë amë.
Porosia tjetër konkrete është që ne – diaspora jonë në vendbanimet ku jeton e vepron – bashkërisht të kërkojmë rrugë për të strukturuar komunitetin në modelin bashkiak, pasi vetëm përmes strukturimit të institucionalizuar mund të jemi jo vetëm objekt por edhe subjekt si i shoqërisë që është qendra e jetesës sonë por edhe subjekt zhvillimor i komunitetit, kombit, shoqërisë dhe vendit amë.
Për në fund një falënderim të veçantë kam edhe për ju  stafit (administratorit) e “The Albanian” që më nderuar duke më dhënë edhe mua mundësinë e prononcimit për çështjet jetike të diasporës dhe shoqërisë shqiptare gjithandej.
“The Albanian”

Të ngjajshme

Zvicër : Kosovari e pagëzon djalin me emrin ‘Daut Haradinaj’

admin

Reagim i Odës Ekonomike Zvicër-Kosovë

admin

Zvicër: Rasti i parë i koronavirusit i zbuluar në Gjenevë

kushtrim

Publikohen statistikat, ky është numri zyrtar i kosovarëve që jetojnë në Zvicër

admin

Cyrih: Një person humbi jetën në zjarr

admin

Për çka marrin kredi më së shumti populli zviceran?

admin
Loading...
Loading...
error: Content is protected !!