Alb'swiss TV
Lajme

Institucionet kyçe kanë mbetur me ushtrues detyre

institucionet-kyce-kane-mbetur-me-ushtrues-detyre

Kosova në krizë politike, institucionet kyçe kanë mbetur me ushtrues detyre.

Me arrestimin e Hashim Thaçit nga Specialja, Kosova nuk ka mbetur vetëm pa të parin e shtetit. Për pak muaj në Kosovë, me ushtrues detyre ka mbetur edhe Qeveria derisa në rast se shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme, edhe Kuvendi do të mbetet me ushtrues detyre. Gazeta Express sjell detajet.

Ka më shumë se një muaj prej kur ulësja më e rëndësishme e shtetit ka mbetur pa mandat të plotë por me ushtrues detyre.

Arrestimi i ish-presidentit Hashim Thaçi nga Specialja ia ka kaluar mandatin e të parit të shtetit si ushtrues detyre kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit.

Veç gjashtë muaj në këtë pozitë mund të qëndrojë Osmani derisa tashmë me rrëzimin e Qeverisë, e pritjen e shpalljes së zgjedhjeve të reja, presidenti i ri duhet të zgjidhet menjëherë pas konstitutimit të Kuvendit e votimit të Qeverisë.

Me kryeministër në detyrë

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka lënë vendin me Qeveri në detyrë. Kushtetuesja në vendimin ku u interpretua vota e deputetit Etem Arifi në seancën ku Avdullah Hoti u emërua kryeministër, ka vendosur që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Këto zgjedhje duhet që të mbahen brenda 40 ditësh e deri atëherë Kosova do të ketë kryeministër në detyrë.

Avdullah Hoti në këtë pozitë do të udhëheq shtetin deri në konstittuimin e institucioneve të reja të vendit pas mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Kryetarja e Kuvendit në detyrë

U.d e presidentit, Vjosa Osmani sot i përfundon takimet me përfaqësues të partive politike në vend. Me të njejtit, Osmani ka dy ditë që është duke diskutuar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Kryetarja e Kuvendit ende nuk e ka komentuar thirrjen e Hotit që të votohet buxheti para se të shpallen zgjedhjet.

Është bërë e ditur se këtë vendim Osmani e merr pasi që të shihet vullneti i të gjitha subjekteve.

Kurdo që të ndodhë një gjë e tillë, edhe pozita e shefit të legjislativit do të mbetet me ushtrues detyre. Osmani do të jetë u.d e kryetarit të Kuvendit deri në konstituimin e legjislaturës së re.

Pa shef të AKI-së

Pak ditë para se Kushtetuesja të vendos për zgjedhjet e jashtëzakonshme, kryeministri tash në detyrë, Avdullah Hoti së bashku me u.d të presidentit, Vjosa Osmanin e shkarkuan nga detyra shefin e AKI-së, Kreshnik Gashin.

Lajmi u bë i ditur nga të dy institucionet përmes njoftimeve për media.

Institucioni më i lartë i sigurisë në vend është duke qëndruar pa drejtor që nga data 17 dhjetor.

Ligji thotë se presidenti i Republikës së bashku me kryeministrin emërojnë shefin e ri të AKI-së brenda 20 ditësh prej kur kjo pozitë mbetet e lirë.

“Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.

Rrjedhimisht, Osmani dhe Hoti kanë kohë deri në ditët e para të janarit që ta bëjnë një gjë të tillë.

Policia e Kosovës me ushtrues detyre të drejtorit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti muaj më parë kishte marrë vendim për shkarkimin e drejtorit të policisë, atë kohë Rashit Qalajt.

Në vend të Qalajt pas shkarkimit është vendosur si ushtrues detyre i drejtorit Samedin Mehmeti.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marr vendim dy javë më parë për t’ia ndaluar Qeverisë së Kosovës të vazhdoj procedurat për zgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Një vendim të tillë, gjykata e ka marrë pasi që ka aprovuar si të bazuar propozimin për caktim të masës së sigurisë që ishte propozuar nga ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

Rrjedhimisht, Policia e Kosovës pritet që për një kohë të funksionojë me ushtrues të detyrës.

Të ngjajshme

Festa shpirtërore e shqiptarëve, pa festë zyrtare në Kosovë

albswiss.com

Tetë pacientë në gjendje të rëndë nga koronavirusi në Spitalin e Pejës

albswiss.com

Gjunjëzimi i LDK-së përball kërkesës së AAK-së për autostradën e Dukagjinit

albswiss.com