Alb'swiss TV
Lajme

Kosova shpreson në mbështetjen e Bidenit për anëtarësim në Kombet e Bashkuara

kosova-shpreson-ne-mbeshtetjen-e-bidenit-per-anetaresim-ne-kombet-e-bashkuara

Si shumë kosovarë Xhelal Terstena, shitës bagëtish, shpreson se presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden, do ta ndihmojë vendin e vogël të Ballkanit për t’u anëtarësuar në Kombet e Bashkuara.

Bideni gëzon respekt në Kosovë për shkak të mbështetjes së tij aktive të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë më 1999 për të ndaluar vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve etnikë në provincën e atëhershme jugore.

Më 2008 Kosova e ka shpallur Pavarësinë, por Beogradi vazhdon refuzimin për njohjen e saj.

“Për shqiptarët Zoti është i pari, Amerika e dyta”, thotë Terstena, i cili shet bagëti në një rrugë 35 kilometra në juglindje të vendit, e cila është emëruar sipas djalit të ndjerë të Bidenit, Beau.

Terstena i bën jehonë ndjenjave të ngjashme në tërë vendin, për të cilin Washingtoni mbetet mbështetësi më i madh financiar dhe politik, raporton Reuters.

Shumë shpresojnë se administrata e Bidenit, e cila pritet që të ketë qasje multilaterale dhe diplomatike që synon të riparojë marrëdhëniet e Washingtonit me aleatin e saj kyç, NATO-n, do ta ndihmojë në mënyrë aktive kërkesën e Kosovës për një ulëse në Kombet e Bashkuara.

Megjithatë, disa analistë paralajmërojnë se pritshmëritë mund të jenë shumë të larta pasi aleatët e Serbisë, Rusia dhe Kina gjithashtu bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Gjithçka varet se sa shumë kapital politik SHBA-ja mund të shpenzojë në mbështetje të Kosovës, duke marrë parasysh të gjitha krizat me të cilat do të merret SHBA-ja”, thotë Agon Maliqi, analist politik.

Për herë të fundit Bideni e kishte vizituar Kosovën më 2016, derisa ishte zëvendëspresident, për të përuruar memorialin e birit të tij, Beau, i cili kishte punuar në këtë vend pas përfundimit të luftës më 1998-99, duke ndihmuar në trajnimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve lokalë.

Memoriali është përballë bazës ushtarake të SHBA-së në Bondsteel, që është shtëpia e 700 ushtarëve amerikanë të cilët ndihmojnë në ruajtjen e paqes fragjile në Kosovë.

Emërtimi i rrugëve sipas zyrtarëve amerikanë në Kosovë është traditë. Në kryeqytet, Prishtinë, bulevardi më i madh është emërtuar sipas Bill Clintonit dhe lidhet me një rrugë të pasardhësit të tij, George W. Bush.

Të ngjajshme

LDK dhe AKR bashkë në zgjedhje

albswiss.com

Shërohen edhe 351 pacientë nga koronavirusi në Kosovë

albswiss.com

Kabineti i Vjosa Osmanit i reagon Mustafës: Nuk ka peshë mendimi i tij

albswiss.com