fbpx
16.2 C
Geneva
Monday, September 30, 2024

KUJTIME NGA E NDRITURA MOSHË RINIORE E FUTBOLLISTIT LEGJENDAR FADIL VOKRRI

Vokrri lindi më 23 qershor 1960 në Podujevë. Origjina e familjes së tij është nga fshati Sfeqël i kësaj komune. Rizahu, gjyshi i Fadilit në Llap, njihej si njeri i urtë e arsimdashës.

Në mënyrë që katër djemtë e ti, Bejtullahu, Abdullahu, Selatini dhe Muhameti, të kenë një jetë më të lehtë dhe më të begatët ai me familjen e tij të ngushtë në fillim të viteve 50-të, largohet nga Sfeqla dhe vendoset në qytezën e Podujevës.

Me gjithë vështirësitë e shumta të asaj periudhe djem dhe vajza të kësaj familje tregohen të suksesshëm si në edukim ashtu edhe në sport.
Abdullahu, babai i Fadil Vokrrit, është njëri nga pedagogët e parë në Llap. Ai së bashku me vëllezërit Nexhmi dhe Shefki Sejdiu, Ramush Rama, Ramadan Salihu, Nazmi Rrahmani, Murat Blaku, Kadrush Rama dhe intelektualë të tjerë të kohës konsiderohen pionierë të gjimnazit të përgjithshëm “8 Nëntori”të Podujevës.

Ai një kohë të gjatë punoi si redaktor dhe drejtor i Entit të Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Kosovës. Tani ky institucion i Arsimit dhe Shkencës, njihet si “Libri Shkollor i Republikës së Kosovës”
Pas dëbimit të Serbisë nga Kosova ,Abdullahu, kontribut të jashtëzakonshëm dha edhe si ligjërues i lëndës së Pedagogjisë, në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Kosovës.

Veç kësa ai ka lënë pas vetes edhe dhjetëra studime dhe vepra të botuara mbi Shkollat dhe Arsimin Shqip në Llap e Kosovë.
Krahas punës edukative Abdullah Vokrri shquhej edhe si futbollist e arbitër. Ai diku rreth viteve 1958-1959 luajti në Llapin e Podujevës, së bashku me Ejup  Bektesh Bekteshin,Rifat Rexhep Blakun,Hajrush Ramën dhe humoristin e mirënjohur Fitim Domi-Mixha Ramë.
Rrugën e tij e ndoqën edhe dy vëllezërit e tij më të rinj Selatin dhe Muhamet Vokrri.
Selatini në pozitën e qendërsulmuesit me lojën e tij të bukur, gjatë e mbajti Llapin në grupin e skuadrave më të mira të Kosovës.

Në periudhën kur Vëllazërimi i Gjakovës, zhvillonte gara në Ligën e Dytë Futbollistike të ish-Jugosllavisë, grupi i Lindjes, Selatin Vokrri dhe Luan Vokshi, si lojtarë perspektivë të këtij ekipi lakmoheshin nga skuadra të njohura dhe me renome të futbollit jugosllav.
Arsyeja që Selatini refuzonte çdo ofertë të klubeve jashtë Kosovës, qëndronte në faktin se ai ishte dënuar nga regjimi i atëhershëm jugosllav për pjesëmarrje në demonstratat e 68-ës.
Në popull këto demonstrata njiheshin edhe si demonstrata në kërkim të Simboleve kombëtare edhe hapje të Universitetit në Gjuhën Shqipe.

Prandaj me të drejtë ai druante edhe në kurdisjen e ndonjë procesi të montuar politikë.
I pathyeshëm në mbrojtjen e Llapit u tregua edhe Muhamet Vokrri, i cili dydhjetvjeçarë të plotë u solli adhuruesve të këtij ekipi momente gëzime e hareje.

Muhameti, pa mëdyshje ishte njëri nga mbrojtësit më të mirë në Ligën e Parë Futbollistike të Kosovës.
Vëllezërit Selatin dhe Muhamet Vokrri, po ashtu u dalluan me punën e tyre të mirë prej mësimdhënësi në shkollën ”Naim Frashëri” të Podujevës.
Famën e kësaj familje pedagogësh dhe futbollistësh të dalluar e ngriti në zenit Fadil Vokrri,i cili më 4 shtator të vitit 1977,si 17 vjeçar debuton vrullshëm në njëmbëdhjetëshin e parë të KF“Llapi“atëbotë anëtar i Ligës së Parë të Kosovës.

Vokrri së bashku me axhën e tij Selatinin, dhe dajën Emin Simnica, si dhe me mesfushorët Shukri Shabani, Islam Ajeti e ndërkohë edhe Basri Muçolli, përbënin sulmin më efikas të kësaj lige

Falë lojës së mrekullueshme të Fadilit ende fëmijë Llapi ua prishte llogarit edhe skuadrave si: KF“Liria”të Prizrenit, KF”Vëllazërimi” të Gjakovës, KF“Budiçnost”të Pejës, KF”Cervena Zvezda”të Gjilanit, KF”Ramiz Sadiku të Prishtinës, KF“KEK-u” të Kastriotit,ekipe këto në periudha të ndryshme kohore anëtare të Ligës së Dytë të ish-Jugosllavisë në futboll.

Pakkush mund të besojë edhe të vërtetën tjetër që Fadil Vokrri, krahas shkëlqimit në fushatë e futbollit ishte i suksesshëm edhe në mësime.
Ai në shtator të vitit 1974 u regjistrua në gjimnazin e atëhershëm“8 Nëntori “të Podujevës, të cilin e kreu në qershor të vitit1978 me sukses të shkëlqyeshëm.

Fadili posedonte si virtyt të rrallë modestinë që vështirë e gjeje tek të tjerët. Ai vazhdimisht kohën e lirë e ndante me shokët dhe shoqet e tij të fëmijërisë si: Xhevrije Shala-Bajgora, Nurije Toplica, Minire Demiri, Lulejtë Muçolli, Astrije Blakçori, Besim Hoti, Nehat Gashi, Bajram Havolli, Behxhet Blakçori, Nazmi Beshiri, Fatmir Aliu, Muhamet Hoxha,( të cilin e kishte edhe bashkëlojtarë në KF Llapi) Ibrahim Gashi, Sami Xheladini,Hamit Halil Dërvisholli, Bislim Selmani, Hizdri Demiri, Rifat Syla, etj.

Nga e majta Fadil Vokrri, Xhevrije Shala dhe Muhamet Hoxha, qershor 1978, si maturantë të gjimnazit “8 Nëntori“ të Podujevës. Kjo fotografi postohet me lejen e zonjës Xhevrije Shala-Iljazi.

Paharruar për asnjë çast respektin dhe mirësjelljen edhe ndaj shokëve dhe shoqeve të gjeneratës. Fadili në mbarë Llapin njihej edhe me emrin përkëdhelës si“Cira”

Fadil Vokrri, me shokë dhe shoqe semimaturën e kryen në shkollën 8-vjeçare “Vëllazërim-Bashkim “të Podujevës.

Nxënësit e kësaj shkolle si gjuhë të huaj mësonin rusishten, andaj edhe në gjimnazin “ 8 Nëntori” të Podujevës, të gjithë ishin të pandarë dhe me një klasë.

Kurse ne që vinim nga fshatrat e komunës së Podujevës, dhe mësonin gjuhën frënge, ishim të shpërndarë nëpër paralele prej-II- deri në VIII-të.

Në vitet 1974-1976 ,Fadil Vokrri e kishte kujdestar klase z. Nazif Vesel Lepaja,profesor i gjuhës shqipe.

Kurse në vitin e-III- dhe të -IV- z. Shefki Toplica, i cili në këtë gjimnaz ligjëronte Gjuhën shqipe dhe Bazat e Mbrojtjes Popullore.

Lepaja dhe Toplica duke e parë talentin e rrallë të Fadilit në futboll e lironin nga orët e mësimit të shtunave në mënyrë që t’i lihet kohë për përgatitje. të duhura.

Katër vite aq sa edhe luajti në KF”Llapi”të Podujevës, të shtunat dhe të dilet e gjithë rinia e Llapit, pa përjashtuar edhe të moshuarit si: Sherif Hajdari,Ymer Blaku, Xhafer Meta, Jetish Rekaliu, Halil dhe Ibrahim Demiri, Ejup e Alush Bekteshi, Zeqir Visoka,Nexhip Ragip Ejupi, Sylejman Babatinca, Bejtullah Tahiri, vëllezërit Sylejman dhe Ajvaz Demiri etj, i duartrokitnin lojës së bukur e plotë aksione të Fadil Vokrrit.Është e pamundur që të përshkruhen lëvizjet e shpejta vetëtimë të Vokrrit, dhe shmangia me aq mjeshtëri e mbrojtësve kundërshtarë. Këto paraqitje të shkëlqyera të tij në skuadrën e Llapit, joshën udhëheqësit e KF“KEK-u”(ish-Obiliqi i Kosovës)që në radhët e veta të angazhojnë Fadil Vokrrin, duke i siguruar edhe vend pune në Administratën e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Fadili këtu qëndron vetëm tre-katër muaj dhe rikthehet në Llapin e hapave të tij të parë, ngaqë kjo skuadër pas shumë viteve gara në Ligën e Parë të Kosovës, rrezikonte rënien në rangë më të ultë.
Rikthimi i Fadilit në Llap siguron mbetjen e skuadrës në mesin e ekipeve më të mira të Kosovës.

Vokrri përveç golave të bukur krijonte edhe spektakël të vërtetë . Ai me driblimet e tij të papara i çonte në këmbë mijëra shikues. Thjesht ishte i lindur për të dhuruar gëzim dhe kënaqësi.

Në momentin kur KF”Llapi” zgjodhi problemin e qendërsulmuesit me dy-tre kadetë, të formuar brenda këtij Klubi, fidanishte talentesh, pa ndonjë brengë të madhe për të ardhmen e skuadrës së tij të fëmijërisë Fadili, vendos të kalojë në KF“Prishtina, e cila ato vite me tërë potencialin që kishte synonte inkuadrimin në Ligën e Parë Federative të ish-Jugosllavisë.

Vokrri së bashku me bashkëlojtarët e tij gjatë viteve të 80-ta, stadiumin e qytetit në Prishtinë e ktheu në vendin më të preferuar të rinisë shqiptare.
Në gjitha anët e stadiumit dëgjohej në kor kënga “Besa-Besë”e përcjell me daulle e surle. Kjo atmosferë e paparë festive bartej edhe jashtë stadiumit.

Kremtja e fitoreve të Prishtinës, vazhdonte deri në orët e vona të natës. Fadilit kjo përkrahje e pakursyer e tifozërisë së zjarrtë të Prishtinës, sikur i jepte forcë e kurajo. Ai asnjëherë nuk ndiente lodhje. Në ndeshjet e radhës kthehej me energji të ripërtërira dhe tejet i disponuar për lojë.
Atij edhe pse i viheshin pas dy-tre mbrojtës kundërshtarë nuk e ndalnin dot. Bile herë-herë ata tejkalonin edhe rregullat e lojës, duke startuar brutalisht ndaj tij.

Mirëpo, Vokrri me energji të pashtershme sa hap e mbyll sytë aftësohej për vazhdimin e lojës.

Të gjithë mbrojtësit e skuadrave kundërshtare i kalonte me lehtësi të paimagjinuar. Ai ishte në gjendje të shënojë nga çdo pozitë.
Në periudhën kur Prishtina bënte gara në Ligën e Dytë Federative të ish-Jugosllavisë, në një konkurrencë jashtëzakonisht të fortë Fadili në 84 ndeshje aq edhe sa luajti i detyroi portierët kundërshtarë që nga rrjetat e tyre të nxjerrin topin hiç më pak se 33herë.

Falë lojës së tij brilante Prishtina më 1983 pas një pritje prej 10 vjetësh inkuadrohet në elitën e futbollit jugosllav, në të ashtuquajturën Ligë e Parë Federative e Jugosllavisë.

Kjo Ligë pa diskutim ishte nga më të fortat jo vetëm në ish-Jugosllavi por edhe në Evropë.
Vokrri edhe këtu tregohet i suksesshëm. Në asnjë mënyrë nuk mbetet nën hijen e sulmuesve me namë si: Dragan Xhaiq, Dushan Bajeviq, Vahid Halilhoxhiq, Zlatko Kranjçar, Safet Sushiq, Nenad Bjekoviq, Zlatko Vujoviq, Dejan Saviçeviq etj.

Ai në 88 paraqitje me fanellën e Prishtinës, shënoi 22 gola ,duke mposhtur portierët reprezentues të ish-Jugosllavisë: Stojiq, Omeroviq, Pudar, Ivkoviq, Janjush, Panteliq etj.
Më 1984 selektori i atëhershëm i reprezentacionit të ish-Jugosllavisë, Milosh Milutinoviq, duke parë formën e shkëlqyer të Fadil Vokrrit e fton atë në 11-shin e parë të kësaj skuadre.
Kjo ftesë i gëzoi të gjithë, sepse Fadili ishte shqiptari i parë nga Kosova, që luajti në një reprezentacion kaq të fortë, të futbollit, siç ishte ai i Jugosllavisë.

Me këtë përfaqësuese Fadil Vokrri zhvilloi 12 ndeshje dhe shënoi 6 gola. Po ashtu më 1984 Vokrri ,ishte bartës i flamurit në Lojërat Olimpike Dimërore të mbajtura në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Meqenëse ai vazhdonte me formën e tij të shkëlqyeshme Klube të mëdha si Dinamo e Zagrebit, Hajduku i Splitit, Partizani i Beogradit, madje edhe skuadra të njohura jashtë Jugosllavisë, si Juventus i Torinos u vunë në garë për ta sjellë në radhët e veta.

Me siguri sikur të mos paraqiste problem shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Armatën e ish-Jugosllavisë, Vokrri do të shkonte tek gjiganti i njohur italian Juventus. Pas shumë hamendjesh ai më 1986 kalon tek Partizani i Beogradit, kampion i disahershëm i Jugosllavisë.
Edhe pse i gjendur në një ambient aspak  të favorshëm Vokrri manifeston në mënyrën
më të mirë aftësitë e tij prej futbollisti me emër. Ai në petkun e Partizanit luajti 27 ndeshje dhe shënoi 13 gola.

Ata që e jetuan këtë periudhë e dinë fare mirë se në çfarë konkurrence shpallej futbollisti i vitit në ish-Jugosllavi.
Edhe pse në konkurrencë të denjë epiteti i më të mirit më 1987 iu dha legjendës së futbollit shqiptar Fadil Vokrri, qendërsulmues i KF. Partizan të Beogradit.
Fadili ishte mjaft inteligjent dhe me shumë vëmendje përcillte e analizonte rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë e ish-Jugosllavi.

Atij moskryerja e shërbimit ushtarak që ishte obligative i sillte pengesa të shumta. Sikur ta kishte të rregulluar këtë detyrim Vokrri edhe si anëtar i KF. Prishtina,do të kalonte pa ndonjë problem në skuadra elitare të Evropës.

Me kusht që të vazhdoi karrierën e tij të ndritur jashtë ish-Jugosllavisë, i ati Abdullahu dhe xhaxhallarët Selatini dhe Muhamet i sugjerojnë Fadilit, shkuarjen në Armatën e ish-Jugosllavisë.

Edhe Fadili e kishte fare të qartë që pa kryerjen e këtij shërbimi do ta rrezikonte seriozisht karrierën dhe do t’i humbte shanset për afirmim të mëtutjeshëm.

Fadili plotësisht pajtohet me këshillat e babait të tij dhe të xhaxhallarëve. Ai më 1988 shkon në shërbim ushtarak në Novi-Sad të Vojvodinës.

Kjo fotografi është marrë nga blogu i Lulzim Agush Blakçori, bashkëpronarë i fotostudios “Nikon” në Podujevë.

Vokrri pas kryerjes së këtij obligimi duke hetuar përshkallëzimin e situatës  i heshtur dhe pazhurmë më 1 korrik të vitit 1989 largohet nga Partizani dhe kalon në FC “NIMES OLYMPIQUE” të Francës.

Dokument identiteti i Vokrrit, marrë nga Arkivi i Klubit Futbollistik” Nîmes Olympique “ i Francës

Ai në këtë skuadër qëndron deri më 1 korrik 1990. Fanellën e saj e vesh 28 herë dhe shënon 15 gola.

Një karakteristikë e veçantë mbase e pabesueshme Vokrri, në këtë Klub , që nuk e diskutoi fare-fare çmimin e tij, dhe që e priti zemërhapur përveç lojës së mrekullueshme tregon edhe disiplinë të veçantë. Ai asnjëherë nuk u ndëshkua nga gjyqtarët me karton të verdhë e mos të flasim për atë të kuq.

Fadili tepër modest dhe me natyrën e tij të butë kudo krijonte shokë e miq. Pézard një adhuruesi i flaktë i Fadil Vokrrit, që lojën e tij e përcolli brenda edhe jashtë Nimes, thotë ”Vokrri ishte dhe mbetet lojtari më i suksesshëm në historinë 87 vjeçare të Klubit Futbollistik” Nîmes Olympique” të Francës.

Besim Jahiu,Hysen Bilalli,Nexhat Xhymshiti, Halil Rrahmani,Muharrem Lutfiu, Bajrush Shaqiri, Fatmir Ibrahimi dhe mërgimtarë të tjerë shqiptarë në Gjenevë të Zvicrës, duke rrëfyer dhembjen e tyre për vdekjen e hershme të Vokrrit, thonë” Disaherë në mënyrë të organizuar kemi shkuar në Nimes të Francës, për ta përkrahur idhullin tonë Fadil Vokrri që me lojën e tij të shkëlqyer na bënte përherë krenar”

Vokrri ulur në rreshtin e parë, i treti nga e djathta në Klubin Futbollistik ”Nîmes Olympique“ të Francës ( edhe kjo fotografi është eksponat i kësaj skuadre )

Fadil Vokrri, më 1990 arrin kulmin e sukseseve duke kaluar tek Fenerbahçe e Turqisë, e cila përveç rezultateve brenda vendit të saj, ka shënuar rezultate të kënaqshme edhe në arenat ndërkombëtare.

Forma e shkëlqyeshme e Vokrrit, dhe shënimet e tij në çastet vendimtare bëjnë që kjo ekip gjatë viteve 1990 -1992 të jetë Nënkampion i Turqisë dhe pjesëmarrëse e garave në Ligën e Evropës.

Fadil Vokrri duke manifestuar gëzimin e tij, pas shënimit të një euro-goli në fanellën e FC.Fenerbahçe të Stambollit. ( marrë nga Arkiva e këtij Klubi turk )

Pas përfundimit të Kampionatit të Turqisë në fund të vitit 1992, Fadil Vokrri rikthehet në Francë.

Meqë jetën e shihte të mangët pa futbollin disa muaj luan në FC ”Bourges 18“ E, më 1993 kalon në FC “Montluçon”të regjionit Auvergne—Rhone-Alpes të Francës, ku luan 39 ndeshje dhe shënon 12 gola. Vokrri në këtë skuadër luan deri në vitin 1995. Ai të njëjtën kohë e bënë me sukses edhe punën e trajnerit. Fadil Vokrri e përfundon karrierën e tij prej futbollisti ikonë e futbollit shqiptar dhe atij ndërkombëtar në klubet e përmendura të Francës, ku përherë është kultivuar lojë e nivelit të lartë.

Fadili edhe pse e kishte të rregulluar qëndrimin në Francë, pas përfundimit të luftës kthehet së bashku me familjen e tij në Kosovë, me dëshirën e vetme që të kontribuojë në zhvillimin dhe masivizimin e futbollit shqiptar.

Fillimisht e kryen funksionin e Drejtorit ekzekutiv në ish-Klubin e tij të dashur KF”Prishtina” S’duhet harruar që gjatë viteve 90-të,në KF”Llapi “ dhe KF “Prishtina “luajti edhe i vëllai Adil Vokrri.

Persona që njihnin në thelb profesionalizmin e Fadil Vokrrit,më 2008 këmbëngulin që ai të marrë timonin e Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës.
Fadili edhe pse i vetëdijshëm që kjo pozitë kërkon punë dhe angazhim pranon drejtimin e kësaj Federate.

Menjëherë nis rikonstruktimin e brendshëm të saj, duke emëruar njerëz kompetentë në pozitat e lëna bosh goxha gjatë. Pastaj pandërprerë lobon për anëtarësimin e Kosovës në instancat më të larta të Futbollit evropian dhe atij botëror.

Fadil Vokrri në cilësinë e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës, disaherë vizitoi Zvicrën, ku i shoqëruar nga Z.Naim Malaj, ish-Ambasador i vendit tonë në Bernë të Zvicrës, bëri takime pune me Josef Sepp Blatter, president i FIFA-s.

Malaj plot nostalgji dhe emocion kujton këto takime, duke thënë që Vokrri, ishte njeri i dialogut dhe mirëkuptimit. Ai si i tillë gëzonte respekt të veçantë tek Blatter dhe Platini, i pari president i FIFA-s, kurse i dyti i UEFA-s.

Pamje nga takimi i Vokrrit dhe Malajt, me Josef Sepp Blatter president i FIFA-s.

Malaj, shpjegon në hollësi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Fadil Vokrrin. Në mes tjerash kujton edhe takimin e vitit 2013, kur ai dhe Vokrri u pritën ngrohtësisht në selinë e FIFA-së, në Cyrih të Zvicrës, nga Presidenti i atëhershëm i kësaj organizate Blatter.

Me këtë rast thotë Malaj, kryetari i Federatës së Futbollit tonë z. Fadil Vokrri, ofroi argumente të bazuara në prova që Kosova, duhet të jetë anëtare e 210-të, e këtij mekanizmi të rëndësishëm të futbollit botëror.

Në mënyrë që të zbuten reagimet e Serbisë dhe aleatëve të saj fillimisht anëtarësimit të Kosovës në UEFA DHE FIFA, i parapriu e drejta e zhvillimit të ndeshjeve miqësore.
Kombëtarja e Kosovës në një atmosferë që s’harrohet kurrë më 25 maj të vitit 2014, në stadiumin “La Praille” të Gjenevës të mbushur në të katër anët me mërgimtarë shqiptarë luajti me Senegalin. Edhe pse humbi 3:1 bëri paraqitje tejet mbresëlënëse.

Foto. Arif Ejupi i cili atmosferën e këtij takimi miqësor ndërmjet Senegalit dhe Kosovës e përcolli nga vendi i ngjarjes edhe për dëgjuesit e shumtë të Radio Kosovës.

Mirëpo, Vokrrit kyfarë statusi as mish e as peshk nuk i pëlqente gjithaq. Ai nga frika që kjo e drejtë e kufizuar mund të vazhdojë në kohë të pacaktuar intensifikoi takimet me krerët udhëheqës të këtyre dy institucioneve elitë në Evropë dhe Botë.

Ëndrra e kamotshme e Vokrrit u plotësua kur ky status i përkohshëm më 13 maj të vitit 2016, u avancua në të rregullt. Kështu Federata e Futbollit të Republikës së Kosovës, e drejtuar plot një dekadë nga Fadil Vokrri, përmbushi me sukses objektivat e saj.

Vdekja e fshehtë dhe tinëzare e mori shumë herët Vokrrin, cili ishte në kryerje të mandatit të tretë si Kryetar i Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës.
Të gjithë mendojnë që prirjet e tij, për lojën dhunti nga Zoti, Fadil Vokrri,i shfrytëzoi maksimalisht,duke vënë gjithçka në të mirën e futbollit të Kosovës.

Andaj, emërtimi i stadiumit të Prishtinës me emrin e tij, as që duhet të diskutohet. Veç kësaj duhet të krijohet edhe ndonjë çmim prestigjioz dhe me vlerë me emrin e tij, me çfarë i bëhet nder Kosovës dhe sportit shqiptar në përgjithësi.

Kujtimi për Fadil Vokrrin do të jetojë prore ! Fadil që madhështinë e talentit tënd e shndërrove edhe në Art, të qoftë i lehtë dhèu i Kosovës, të cilën e prezantove kudo në mënyrën më të mirë të mundshme!

ARIF EJUPI

P.S. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale, dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

Marrë nga Fjala.info

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img