Një reflektim mbi pasojat e përçarjes së thellë politike në ndërtimin dhe funksionimin e shtetit.
Në çdo sistem demokratik, mospajtimet politike janë jo vetëm të lejuara, por edhe të nevojshme. Ato e pasurojnë debatin publik, nxisin mendimin kritik dhe garantojnë kontrollin e pushtetit. Megjithatë, kur këto mospajtime kalojnë në ekstrem, shndërrohen në një fuqi shkatërruese që rrezikon themelin e vet shtetit. Në këtë aspekt, përvojat e fundit në hapësirën shqiptare – sidomos në Kosovë – janë një dëshmi se si konfliktet politike të pakontrolluara mund të çojnë drejt një degradimi institucional, ekonomik dhe shoqëror.
Politika si fushëbetejë dhe jo si mjet shërbimi
Në vendet me demokraci të brishtë si Kosova, politika shpesh herë është kthyer në një fushëbetejë ku palët kundërshtare nuk garojnë me ide, por luftojnë me gjithë mjetet për pushtet. Në vend të bashkëpunimit dhe dialogut institucional, dominon përjashtimi, akuzat e ndërsjella dhe mohimi i çdo suksesi të tjetrit. Kjo klimë përçarjeje ka bërë që institucionet shtetërore të dobësohen, reformat të ngadalësohen dhe besimi i qytetarëve në sistem të bjerë ndjeshëm.
Për shembull, përplasjet e vazhdueshme ndërmjet qeverive dhe opozitave në Kosovë – që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot – kanë krijuar një situatë të vazhdueshme të paqëndrueshmërisë. Çdo ndërrim pushteti shoqërohet me bllokime parlamentare, thirrje për zgjedhje të parakohshme dhe shpesh me diskurs që ngjason më shumë me armiqësi sesa me debat demokratik. Në vend që të përmirësojnë gjendjen, politikanët i thellojnë problemet duke përdorur patriotizmin si armë propagandistike dhe duke shmangur llogaridhënien.
Shembulli i dialogut me Serbinë
Një shembull konkret i dëmtimit të shtetit nga mospajtimet politike është procesi i dialogut me Serbinë. Ky proces – i cili është jetik për njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe për stabilitetin rajonal – është përdorur shpesh si mjet për luftë politike të brendshme. Në vend që të ndërtohej një konsensus kombëtar mbi një çështje kaq të ndjeshme, partitë politike janë pozicionuar skajshmërisht, duke penguar çdo përparim të qëndrueshëm. Për rrjedhojë, Kosova ka hyrë në negociata pa unitet të brendshëm, duke i dhënë Serbisë një avantazh strategjik në tavolinën e bisedimeve.
Pasojat e përçarjes
Kur politika degradohet në konflikt të përhershëm, pasojat ndihen në të gjitha nivelet e jetës shtetërore dhe shoqërore. Ekonomia ngec, reformat në drejtësi bllokohen, sistemet e edukimit dhe shëndetësisë vuajnë nga mungesa e stabilitetit, dhe emigracioni rritet si pasojë e humbjes së shpresës.
Në mungesë të një kulture bashkëpunimi politik, qytetarët ndihen të papërfaqësuar dhe të tradhtuar. Ata largohen nga proceset demokratike, refuzojnë të marrin pjesë në zgjedhje dhe kthehen në spektatorë të një sistemi që nuk u shërben. Kjo çon në rritjen e autoritarizmit, ndikimit të interesave të jashtme dhe dështimin e funksionit bazë të shtetit: të përfaqësojë dhe të mbrojë qytetarët e vet.
Nevoja për një kthesë kulturore dhe politike
Për të dalë nga ky rreth vicioz, nuk mjafton vetëm ndërrimi i emrave në pushtet. Nevojitet një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si kuptohet politika. Duhet të ndërtohet një kulturë e re politike që respekton mendimin ndryshe, që bazohet në dialog dhe përgjegjësi, dhe që vendos interesin publik mbi interesat personale e partiake.
Roli i shoqërisë civile, mediave dhe qytetarëve është po aq i rëndësishëm. Një shoqëri që kërkon llogari, që refuzon përçarjen dhe që angazhohet për ndryshim, është garanci për mbrojtjen dhe forcimin e shtetit. Në të kundërt, heshtja dhe tolerimi i degradimit politik janë shenja të një kapitullimi që e lejon shkatërrimin gradual të çdo institucioni e vlere kombëtare.
Nga Ismet Rashiti