Alb'swiss TV
Lajme

Mungesa e oksigjenit vë në sprovë spitalet rajonale

mungesa-e-oksigjenit-ve-ne-sprove-spitalet-rajonale

Spitali i Mitrovicës së Jugut këtë javë është ballafaquar me mungesë të oksigjenit dhe për këtë arsye ka huazuar disa bombola oksigjeni nga Spitali i Vushtrrisë, në mënyrë që pacientët të mos pësojnë.

Vështirësi për furnizim me oksigjen ka edhe Spitali i Gjilanit. Spitalit të Pejës i është dashur të bëjë një plan B në rast të vonesës së furnizimit, kurse ai i Prizrenit ka vendosur të përdorë oksigjen të lëngshëm.

Pandemia me COVID-19 ka rritur nevojën për furnizim me oksigjen në të gjitha institucionet publike shëndetësore, ku po trajtohen pacientët e infektuar me koronavirus, e të cilët kanë probleme me frymëmarrje.

Nga Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja pranojnë se ka vështirësi furnizimi me oksigjen, por shtojnë se as një pacient nuk ka vuajtur për mungesë të oksigjenit.

Gjendja nëpër spitale rajonale

Drejtori i Spitalit në Mitrovicën e Jugut, Sadik Fejza, i tha Radios Evropa e Lirë të enjten se ditëve të fundit, për shkak të shtimit të numrit të pacientëve të hospitalizuar, është rritur edhe kërkesa për oksigjen.

“Para dy ditësh kemi qenë në krizë dhe na është rrezikuar gjendja për shkak se kemi pasur pacientë të shumtë. Ato dy tri-ditë kemi huazuar nga Spitali i Vushtrrisë pesë boca, derisa ka ardhur kontingjenti të nesërmen. Dje ka ardhur edhe një sasi e kënaqshme. Janë 30 pacientë të shtrirë aktualisht, derisa kapacitetet janë deri 50 shtretër”, tha Fejza.

Furnizimi me oksigjen edhe në Spitalin e Gjilanit po bëhet në baza ditore. Kështu tha Nisret Hajrullahi, drejtor i këtij spitali. Sipas tij, sfidë pos tjerash mbetet edhe sigurimi i oksigjenit në këtë spital.

“Kemi vështirësi në furnizim, pasi po të kemi mungesë, do të ndodhte katastrofë. Janë rritur kërkesat, është rritur numri i pacientëve që po kanë nevojë për oksigjen. Ne i kemi 57 pacientë në spitalin tonë. Rezervë të oksigjenit nuk kemi, furnizimi bëhet në baza ditore. Përmes operatorit ekonomik furnizohemi çdo ditë. Kemi kërkuar që të na përkrahin në sasi më të madhe me oksigjen”, tha ai.

Në këtë spital janë 130 shtretër të ndarë për pacientët me COVID-19 , ku aktualisht janë 97 pacientë të hospitalizuar. Në gjendje të rëndë janë 26 prej tyre.

Edhe në Spitalin e Pejës sfida më e madhe është furnizimi me oksigjen.

Zëdhënësi i spitalit, Naim Sahiti, tha se kanë bërë një plan B në rast të vonesës së oksigjenit.

“Kjo është një problematikë që po shfaqet gjithkund në rajon, e sidomos te ne po shfaqet më shumë. Por, deri tash me përkrahjen e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës nuk kemi mbetur asnjëherë pa të. Disa lëvizje i kemi bërë edhe ne, pasi jemi furnizuar me oksigjen koncentrator, pajisje të cilat i kemi si variant të dytë. Pra, deri tash nuk kemi mbetur pa oksigjen, por ajo që qëndron është një furnizim tepër i vështirësuar dhe është sfidë e veçantë për neve si spital”, tha Sahiti.

Për dallim nga spitalet rajonale që përdorin boca oksigjeni të gaztë, Spitali i Prizrenit ka zgjedhur të përdorë për pacientët me COVID-19 oksigjen të lëngshëm.

Sipas drejtorit, Afrim Avdaj, ky spital është i vetmi që ka rezervë oksigjeni, prej 10 tonësh.

“Furnizimi me oksigjen aktualisht është i mirë, pasi ne jemi spitali i vetëm që furnizohemi me oksigjen të lëngshëm dhe kemi 10 tonë. Aktualisht, në Spitalin e Prizrenit i kemi 179 pacientë të hospitalizuar. Me COVID-19, janë 111, ku prej tyre një është në respirator, një në mjekim intensiv, e 124 me oksigjeno- terapi. Gjithsej janë 253 shtretër të ndarë për pacientë me COVID-19 në këtë spital’’, tha ai.

Oksigjen të lëngshëm përdorin spitalet që e kanë të instaluar brenda mureve sistemin e oksigjenimit. Ndërkaq, atë të gaztë e përdorin përmes bombolave, varësisht ku ka nevojë. Jo të gjitha institucionet shëndetësore e kanë sistemin për furnizim me oksigjen të lëngët.

MSH: Furnizimet janë të rregullta, me vështirësi

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, tha të enjten gjatë një ngjarjeje se SHSKUK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë “po e bëjnë të pamundurën që të ketë furnizim të mjaftueshëm dhe mos të mbetet (jashtë) asnjë pacient për ndonjë shërbim që është i domosdoshëm”.

“Furnizimet janë të rregullta, me vështirësi, por si do që të jetë, pacientët janë duke i marrë këto shërbime”, tha Zemaj.

Ndërkaq, për furnizime me barna, oksigjen, e material medicinal shpenzues, është përgjegjës Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK). Ushtruesi i detyrës së drejtorit në këtë institucion, Valbon Krasniqi, tha në të njëjtën ngjarjeje se deri tani asnjë pacient nuk ka vuajtur për mungesë të oksigjenit, ndonëse furnizimi është sfidë.

“Ne si SHSKUK bazuar në legjislacionin në fuqi, jemi të obliguar të furnizojmë pacientët me oksigjen dhe produkte tjera medicinave nga operatorët që janë të licencuar. Ju e dini që edhe rajoni dhe gjitha vendet tjera janë duke u ballafaquar me vështirësi serioze dhe duhet ti kuptojmë të gjithë. Jemi të angazhuar maksimalisht. Si SHSKUK çdo veprim që është në kuadër të kompetencave tona ligjore i kemi ndërmarrë dhe vazhdojmë”, tha Krasniqi.

“Deri tani asnjë pacient nuk ka vuajtur në mungesë të oksigjenit”, shtoi ai.

 

Furnizimi me oksigjen

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka kontratë aktive për furnizim me oksigjen me “Medical Group”. Kjo njëherësh është e vetmja kompani që furnizon me oksigjen këtë institucion.

Ndërkohë, spitalet rajonale bëjnë kërkesë në SHSKUK, varësisht nga nevoja që kanë dhe furnizohen përmes këtij institucioni me oksigjen.

Brenda SHSKUK-së thonë për Radion Evropa e Lirë, se tashmë janë në negociata edhe me një kompani tjetër dhe së shpejti do të nënshkruajnë kontratë për furnizim, meqë “Medical Group”, “nuk po mund t’i përballojë kërkesat që i ka aktualisht për furnizim’’, thonë nga SHSKUK-ja.

Të enjten, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar edhe 22 vdekje të lidhura me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Sipas raportit të IKSHPK-së, bazuar në testimin e 1.510 mostrave, janë konfirmuar si të infektuar me koronavirus edhe 627 persona.

Deri më tani në Kosovë janë regjistruar 41.299 raste të të infektuarve me koronavirus, prej të cilëve 1.062 kanë vdekur ndërsa 26.453 janë shëruar.

Të ngjajshme

PDK dhe LDK janë takuar, mësohet arsyeja

albswiss.com

Kryeministri Hoti i përgjigjet “kërcënimeve” të deputetit Fikrim Damka për shkarkimin e ambasadorit Gashi

albswiss.com

Borë e shi në fundjavë

albswiss.com