fbpx
23.3 C
Geneva
Tuesday, July 16, 2024

Natyralizimi në Zvicër: Tani nevojitet një debat në shoqëri

Parlamenti me qëndrim të ashpërsuar tek ligji për natyralizim

Janë paraqitur shumë parashtresa për rishqyrtimin e ligjit për shtetësi. Të gjitha këto u refuzuan nga shumica e djathtë në parlament. Për ishin vetëm Partia Socialdemokrate (PS), të Gjelbrit dhe Liberalët e Gjelbër. Parlamenti nacional nuk dëshiron të ulë hendeqet. Kjo do të thotë se nisma e natyralizimit e shoqatës “Vierviertel” ka edhe rëndësi të madhe. Duhen 100 mijë nënshkrime dhe më pas populli mund ta votojë.

Parashtresat e paraqitura kërkonin lehtësime me rastin e natyralizimit: të huajt duhet të vazhdojnë të jetojnë në Zvicër për dhjetë vjet, para se të mund të aplikojnë për një pasaportë zvicerane. Mocioni i Liberalëve të Gjelbër, i cili kërkonte uljen e kohëzgjatjes së qëndrimit në shtatë vjet, u hodh poshtë me 107 vota kundër 83 për dhe një abstenimi. Për më tepër, lartësia e kohëzgjatjes minimale me vite e vendbanimit në komunë duhet të reduktohet në një deri në tre vjet. Kjo nismë dështoi me 102 vota kundër 89 për dhe 1 abstenimi. Aktualisht, kantonet janë të detyruara të parashohin një qëndrim minimal prej të paktën dy dhe më së shumti pesë vjet. Përveç kësaj, atyre që në një mbledhjet komunale kanë të drejtë të votojnë u lejohet edhe më tej që të vendosin për një kërkesë natyralizimi. Katja Christ (GLP/BS) donte që në çdo rast vendimin për natyralizim ta transferonte tek një parlament, një organ ekzekutiv, një komision autoritetesh ose një organ të ngjashëm. Parlamenti nacional e hodhi poshtë këtë me 104 vota kundër 87 për dhe 1 abstenimi.

S’ka përjashtime as për fëmijë
Së fundi, pengesat e natyralizimit për fëmijët e të huajve nuk do të ulen, pasi dhoma e madhe (e kantoneve) vendosi me 105 vota pro, 85 kundër dhe 1 abstenim. Edhe nxënësit që vite të gjata kanë ndjekur shkollimin këtu duhet t’i nënshtrohen testit të natyralizimit.

Më 2018, ashpërsimi i parakushteve
Në vitin 2018 u rishikua Ligji për shtetësi. Me këtë rast nga njëra anë, kohëzgjatja minimale e qëndrimit u reduktua nga dymbëdhjetë në dhjetë vjet. Ndërsa, nga ana tjetër, parakushtet tjera u ashpërsuan. Personat e pranuar përkohësisht nuk mund të aplikojnë më për shtetësi. Përveç kësaj, vetëm dikush që flet një nga gjuhët zyrtare me gojë në nivelin B1 dhe me shkrim në nivelin A2, d.m.th. të është në gjendje të kuptohet gjuhësisht pothuajse në të gjitha situatat e përditshme, mund të vjen në pyetje për natyralizim. Edhe ata që marrin ndihmë sociale nuk mund të aplikojnë më. Kantonet gjithashtu mund të formulojnë kërkesa shtesë për integrim dhe të ashpërsojnë më tej kërkesat federale. Në kantonet Aargau dhe Bernë, mund të aplikohet për natyralizim vetëm nëse nuk është marrë asnjë përfitim nga sigurimi social për të paktën dhjetë vjet. Dhe në kantonin e Thurgaut, aplikantët duhet të jenë në gjendje të flasin gjermanisht në nivelin B2 në vend të nivelit B1 siç kërkohet nga ligji federal zviceran. Ata jo vetëm që duhet të jenë në gjendje të mirëkuptohen në gjuhën e përditshme, por edhe të jenë në gjendje të shprehin mendimin e tyre spontanisht.

Ligji aktual i shtetësisë është jodemokratik, duke mohuar kështu të drejtat politike për një të katërtën e popullsisë në Zvicër. Një studim i vitit 2016 nga Universiteti i Lucernit në këtë çështje e renditi Zvicrën në vendin e fundit nga më shumë se 20 vende evropiane. Vetëm Qiproja doli më keq.

Nismë për demokraci
Nisma “Për një të drejtë moderne të shtetësisë (nismë për demokraci)” dëshiron që ta ndryshojë situatën, për të lehtësuar qasjen në pasaportën zvicerane duke përdorur vetëm kritere objektivisht të matshme vendimmarrëse. Mjaftojnë që kërkuesi të ketë pesë vjet qëndrim të ligjshëm dhe njohuri themelore gjuhësore si dhe nuk duhet të ketë kryer një vepër të rëndë penale.

Komiteti nismëtar për të grumbulluar 100,000 firmat e nevojshme mbledh nënshkrime çdo ditë gjithandej në rrugë e në manifestime. Kështu krijojmë mundësinë që të korrigjojmë procedurat e rrepta, kufizuese të natyralizimit.

Nga Emine Sariaslan, huazuar nga Horizonte Nr. 5/23 e sindikatës Unia në gjuhën shqipe 

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img