fbpx
-18.5 C
Geneva
Wednesday, January 22, 2025

Në vegjilje të rënies me atentat politik të heronjëve, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla

Janari i vitit 1982 ishte i ftohtë. Bora e madhe dhe ngricat e akullta kishin bllokuar të gjitha rrugët e Cyrihut. Gjatë atyre ditëve nuk dilja fare nga banesa në Sempahersstrasse të Cyrihut. Lexoja gjithçka që më binte në dorë, por më tërhiqte jashtëzakonisht shumë një libër gjuhësor i Aleksandër Xhuvanit. Ato ditë për herë të parë i lexova vargjet e Kadaresë për mërgimin të cilat nuk i kam harruar kurrë:

“Ai i cili ka zbuluar shpejtësinë reaktive,
Sigurisht larg Atdheut duhet ket qenë ndonjëherë”!

Nga data e dhjetë e janarit, çdo të dytën ditë thirrte “Zeqa” në telefonin e banesës së kushëririt tim, Rashitit. Pasi na pyeste për gjëra të rëndomta, na jepte edhe ndonjë lajm për gjendjen në Kosovë. Atë botë nuk kishte rrjete sociale, as telefona celularë. E vetmja mënyrë që të informoheshim ishin radiot, të cilat i ndiqnim me vështirësi dhe shtypi zviceran që herë pas here botonte ndonjë shkrim.

Mbrëmja e 15 janarit 1982 ishte dita më e lumtur për mua. Rreth orës 19:00, cingëroi telefoni. Pasi e mora dorezën e telefonit, dëgjova zërin e ëmbël të Kadri Zekës (Zeqës). Me thënë të drejtën, sa herë flisja me Zeqën, disi zëri më dridhej nga respekti. “Përshëndetje, Ismet, si janë Rashiti dhe Sara, çka kemi nga Cyrihu? Unë ndodhem në Gjermani. Kam disa takime të rëndësishme me disa shokë dhe sapo të kthehem do të takohemi. Është koha që të bashkohemi të gjithë në një front të përbashkët për realizimin e qëllimeve tona”. Pasi ndërruam edhe ndonjë fjalë tjetër, e mbylli telefonin me fjalët e fundit, “Mirupafshim”. Kjo ishte biseda e fundit që pata me Kadri Zekën. Atë natë nuk më mori gjumi nga gëzimi. Disi fjala “bashkohem” m’u ngulit në kokë dhe më sillej vërdallë. Mezi prisja takimin me “Zeqën”. Bora vazhdonte të binte pandalur. Qyteti i tëri ishte veshur me të bardha. Aty këtu lëvizte me vështirësi ndonjë veturë policie apo e ndihmës së shpejtë drejt spitalit universitar, që ndodhej sipër banesës ku banoja. Këmbana e katedralës së madhe dëgjohej herë pas here, sa për ta thyer monotoninë e asaj nate të tmerrshme. Më bëhej se akrepat e orës të varur në murin e banesës së vjetër nuk po lëviznin fare. Të nesërmën, herët në mëngjes shkova t’i ndihmoj Sarës për shpërndarjen e gazetës “Neuer Noje Zeitung”, në një rrugë aty afër banesës. Nga të ftohtit, vetëm sa nuk më ishte ndalur fryma. Babai i Sarës, Rolandi, më tha se “Cyrihu vetëm një herë mban mend këso të ftohti, kur edhe liqeni ishte ngrirë i tëri”.

Ditët më të gjata të jetës sime ishin gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë janari i vitit 1982. Gjatë tërë ditës, shfletoja libra, gajdza e dëgjoja radion, por mendja gjithnjë më rrinte te takimi me “Zeqën”. Mezi prisja të takohem në atë restorantin e vjetër, afër stacionit të policisë “Kreuzen 7”, andej nga kalonte tramvaji nr. 3, në qendër të Cyrihut. Pak më poshtë ndodhej edhe biblioteka e madhe, ku për herë të parë gjeta librin shqip.

2.

Ishte ora 23:00 e natës. Unë me Rashitin dhe Sarën sapo u kthyem në banesë. Ra telefoni. Nuk ishte e zakonshme në Zvicër që dikush të thërriste pas orës 22:00. U ngrita me shpejtësi. Ishte Arif Idrizi, me të cilin sapo ishim ndarë në restorantin “Melbrooke”. “Urdhëro, Arif, çkemi?” Matanë telefonit nuk dëgjohej zë. Një zhurmë e pakuptimtë, një dënesë e pazakontë. “Urdhëro, Arif, çkemi?” Mezi e kuptova fjalën “Zeqaaaa” dhe lidhja u shkëput. Ashtu të tmerruar, bashkë me Sarën dhe Rashitin shkuam te banesa e Arifit. Doli Arifi me sy të skuqur nga vaji. “Çkemi, Arif, çka ka?” Ai sërish nuk arrinte të na tregonte nga vaji. Dikur mezi tha: “Zeqën, Jusufin dhe Bardhin, i paskan vrarë para shtëpisë. Atentat politik…!” Sapo i dëgjova lajmet në gjuhë gjermane. U shtangëm të gjithë. Askush nuk fliste, e mbi borë binin lotët e ngrohta nga sytë tanë. Menjëherë e thirra Rexhep Halimin dhe Ragip Rexhepin. U takuam të bisedonim. Edhe ata nuk mund t’i ndalnin lotët. Vendosëm që Rashiti, Arifi, Rexha dhe Ragipi të nisen herët në mëngjes drejt Shtutgartit, ndërsa unë nuk kisha mundësi të dilja jashtë Zvicrës. Mbeta i kredhur në lotët e dhembjes, në pritje të lajmeve të reja! Atë natë të kobshme, qindra veprimtarë nga Gjermania, Zvicra, Belgjika, Austria, Franca, ishin nisur drejt Untergrupenbahut në familjen Gërvalla për të ndarë dhimbjen e madhe që kishte pllakosur botën përparimtare shqiptare.

Pas një pune të lodhshme gjatë ditës dhe orëve të para të natës së 17 janarit 1982, tre veprimtarët së bashku kishin vendosur të dalin për pak kohë të çlodhen, të merrnin frymë dhe të bënin disa telefonata. Ka qenë ora 10:30 minuta. Pas nisjes së veturës nga Bardhosh Gërvalla, shkrepin plumbat e pabesë mbi veturën BMW 316, ngjyrë të gjelbër. Dhjetë plumba të kalibrit 7.65 e kanë qëlluar zemrën, mushkërinë dhe qafën e tre bijëve dhe udhëheqësve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Gjashtë plumba qëlluan mbi trupin e Bardhoshit 31-vjeçar, dy plumba goditën nga afër Kadriun, 28-vjeçar, dy plumba të tjerë tinzarë Jusufin, 36-vjeçar. Në karriget e para të veturës bien për të mos vdekur, Kadriu dhe Bardhoshi, mbrapa përplitet Jusufi, i plagosur rëndë. Atë moment tepër të dhembshëm sikur kishte filluar ta ndjente edhe vetura, e cila kishte lëvizur pa shofer, derisa ndaloi në muret e garazhës, bashkë me të rrahurat e zemrës së Kadriut dhe Bardhoshit. Gjaku më i mirë shqiptar kishte filluar t’a skuqte borën e atij dimri të ftohtë. Ndërkaq, Jusufi arrin gjallë deri në spital, duke pyetur rrugës për Kadriun dhe Bardhoshin, nëse janë gjallë. Ka ndërruar jetë duke thënë: “Na vrau policia sekrete jugosllave”!

3.

Në nesërmen Agjencia Telegrafike Shqiptare shkruante: “Kosovës po i vriten djemtë e saj nga dora e UDB-së jugosllave”, ndërkohë që agjencia shoveniste e lajmeve shtetërore ish-jugosllave, “Tanjug”, këtë vrasje makabre e trumbetonte si “qërim hesapesh mes emigrantëve shqiptarë”. Ndërkaq, gazetat gjermane, austriake dhe zvicerane, në faqet e para, e kishin vendosur vrasjen e tre bijëve më të shtrenjtë të popullit shqiptar. Mërgata asnjëherë nuk kishte përjetuar një dhimbje kaq të madhe. Veprimtarët dhe patriotët shqiptarë i shprehnin ngushëllime njëri-tjetrit: “E pavdekshme është vepra e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit. Luftën do ta vazhdojmë sipas mësimeve të tyre”. Ndërkohë, Enti Kriminalistik Gjerman kishte deklaruar se “atentatorët ishin profesionistë, ndaj nuk kemi asnjë gjurmë të bazuar”. Edhe sot e sa ditë, ende nuk është zbuluar ajo dorë e zezë kriminale. Një gjë është e sigurt: këtë atentat politik e kryen armiqtë e kombit shqiptar. Varrimi i dëshmorëve u bë tri javë më vonë, më 5 shkurt 1982, në varrezat Bad Constand të Shtutgartit. Në ato momente të rënda, nuk dija se çfarë të bëja. Isha tronditur shpirtërisht dhe sillesha nëpër Cyrih si i çmendur. E ftova veprimtarin Sh. Musliu. Pas shumë përpjekjeve, ai gjeti një makinë të vjetër shtypi. Me zemër të thyer, e me lot ndër faqe, mezi e shkruajta traktin e parë në Zvicër, të cilin Sh. po atë ditë, e shpërndau me dorë dhe postë aty ku mundi.

4. Ato ditë në familjen Gërvalla kishin vërshuar veprimtarë nga të katër anët. Nga Kosova kishte ardhur Nënë Ajshja, babai i Kadri Zekës, Pajaziti, vëllezërit Shaipi dhe Taipi, dhe veprimtari Ahmet Isufi. Ka qenë shumë emocionues momenti, kur Nënë Ajshja, para se t’i përfaqësonte djemtë e saj, të parin përqafon Kadriun me këto fjalë: “Kadri, loke, Nëna jote nuk ka mundur me ardhë. Unë të kam djalë edhe ty si Jusufin dhe Bardhoshin.” Një qëndrim të fortë e kanë mbajtur edhe babai dhe vëllezërit e Kadriut, të cilët, në vend që të pranonin ngushëllime, ata i ngushëllonin bashkëveprimtarët, miqtë dhe pjesëmarrësit e shumtë.

Që nga janari i vitit 1982 deri në vitin 2001, mijëra veprimtarë, për çdo përvjetor, bënin homazhe pranë varrezave Bad Constand të Shtutgartit, ndërkaq nga viti 2001, eshtrat e tre dëshmorëve pushojnë në vendlindjet e tyre, në Dubovik dhe Gjilan.

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img