Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se takimi i parë midis kryeministrit të ri të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq pritet të ndodhë brenda disa javësh.
“Mendoj se takimin e parë mund ta presim shumë shpejt, pa shtyrje të panevojshme. Kosova ashtu siç jemi marrë vesh edhe me Albin Kurtin duhet të përfundojë me krijimin e institucioneve. Ka mbetur tani edhe zgjedhja e presidentit dhe përgatitja e ekipit të ri. Pas kësaj, presim që ata të jenë të gatshëm. Ai [Kurti] më ka thënë se është i gatshëm të vijë në Bruksel për t’u takuar me presidentin Aleksandar Vuçiq. Vuçiq më ka thënë se është i gatshëm të vijë kurdo që të ftohet”.
Ai, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se është inkurajuar nga vizita e fundit në Prishtinë dhe Beograd ku, siç shprehet, ka marrë garanci se udhëheqësit janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun.
“E rëndësishme është se gjatë qëndrimit tim të fundit në Prishtinë dhe Beograd, partnerët më kanë konfirmuar se e dinë mirë rëndësinë e dialogut dhe se janë të gatshëm të vazhdojnë me këtë proces. Natyrisht se dialogu është jo vetëm [proces] i normalizimit të marrëdhënieve, por edhe platformë ku zgjidhen problemet që sjell jeta. Po, kemi ekip të ri dhe kur jam takuar me zotin Kurti në Prishtinë, më ka thënë se duhet të njoftohet me tërë procesin, me atë që është rënë dakord dhe ky ka qenë edhe një nga qëllimet kryesore të vizitës sime. Jemi pajtuar që të takohemi edhe një herë pasi të njoftohet [me procesin], në mënyrë që të merremi vesh se si të vazhdojë procesi”.
Me Kurtin në krye të delegacionit të Kosovës, Lajçak beson se ekziston një situatë e re, sepse, sipas tij, të dy bartësit e dialogut tani kanë mandat shumë të fuqishëm.
Të premten e kaluar, Këshilli Evropian ka zgjatur mandatin e Lajçakut deri në gusht të vitit 2022.
“Të premten e kaluar, Këshilli Evropian ma ka zgjatur mandatin deri në fund të gushtit të vitit 2022, pra për 17 muaj. Prandaj, mendoj se kemi kohë të mjaftueshme për një punë serioze”.