Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi deklaroi se raporti i ri i progresit i Komisionit Evropian për Serbinë dëshmon se pushteti aktual i presidentit serb Aleksandër Vuçiq mbetet faktor destabilizues për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, ka përmendur shkeljet që Serbia vazhdon t’i bëjë në shumë aspekte.
“Që nga shkeljet në të drejtat fundamentale të njeriut, trajtimit të drejtave të pakicave kombëtare, pasivizimit të adresave, gjuhës së urrejtjes nga zyrtarët e lartë, mungesën e demokracisë gjithëpërfshirëse, lirinë e shprehjes dhe përfshirjen e shqiptarëve në institucione, e deri te gjendja jostabile në veriun e Kosovës, Bosnje dhe Herzegovinë, Mal të Zi, me Serbinë si vektor destabiliteti të tyre, flasin më së miri për pushtetin e sotëm në Beograd”, shkruan Kamberi.
Tutje Kamberi ndërkaq e ka quajtur veprim inkurajues harmonizimin e politikave rreth Ballkanit Perëndimor midis SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, të shprehur sot përmes kumtesës së përbashkët të sekretarit të Shtetit, Antony Blinken dhe shefit të diplomacisë evropiane Josep Borell.