Alb'swiss TV
Lajme

Vazhdojnë konsultat për datën e zgjedhjeve

vazhdojne-konsultat-per-daten-e-zgjedhjeve

Për të dytën ditë me radhë, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani po takohet me përfaqësuesit e partive të përfaqësuara në kuvend, për të diskutuar për datën e zgjedhjeve të reja.

Të mërkurën, përfaqësuesi i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala kërkoi që data e zgjedhjeve të caktohet pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Qeverinë e Kosovës.

“Në të gjitha parashikimet, fillimi i shkurtit do të ishte data ideale për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme për Parlamentin e Republikës së Kosovës”, tha Shala.

Ai shtoi se organet e partisë janë duke diskutuar lidhur me formën se si do të garojnë në zgjedhjet e reja.

“Qëndrimi i udhëheqjes së shumicës së Nismës është që Nisma të garojë e vetme në zgjedhje, por pas caktimit të datës së zgjedhjeve, atëherë organet drejtuese të Nismës do të vendosin edhe për mundësinë e ndonjë koalicioni edhe me ndonjë subjekt tjetër politik”, u shpreh Shala.

Takimet konsultative të Osmanit, vijnë pasi më 21 dhjetor, Gjykata Kushtetuese tha se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.

Kjo për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”, prej një vit e tre muaj burgim. Ai aktualisht është në vuajtje të dënimit.

Rrjedhimisht, gjykata konstatoi se “presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre”.

Osmani ka pritur në takim edhe përfaqësuesin e Aleancës Kosova e Re, Jetlir Zyberaj, i cili tha se ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen sa më shpejtë “në mënyrë që edhe krizat e mundshme kushtetuese të evitohen”.

“Unë besoj se pas marrjes së aktgjykimit, besoj në dy ditët e ardhshme do të caktohet një datë në fund të janarit apo fillim të shkurtit”, tha Zyberaj.

Opsioni më i mundshëm për AKR-në, sipas Zyberajt, është që në zgjedhjet e ardhshme të garojë si pjesë e një koalicioni “me një nga partitë më të mëdha”.

Të mërkurën, janë paraparë takime konsultative edhe me përfaqësuesit e Grupit 6+ dhe ata të Listës Serbe.

Dita e parë e konsultimeve

Të martën, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas takimeve të ndara që patën me Osmanin, kërkuan që data e zgjedhjeve të caktohet shpejtë, pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Kushtetuesja.  

Kreu i LVV-së, Albin Kurti tha se në takim nuk kanë folur për një datë të zgjedhjeve, por se partia e tij kërkon që ato të mbahen sa më shpejt.

“Ne na duhet, që ta marrim njëherë aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe varet nga data kur ne na vije ai aktgjykim i plotë, si palë që jemi në këtë çështje, e cila tashmë është zgjidhur, por nuk e ka përgjigjen e plotë që të jetë aktgjykim i plotfuqishëm dhe pas kësaj do të mund të shpallet data e zgjedhjeve nga ushtruesja e detyrës së presidentit, në një hark të caktuar kohor, siç e parasheh Kushtetuta”, u shpreh Kurti.

Nga LDK-ja, Arban Abrashi tha se ka përmendur 7 shkurtin si datë të mundshme të zgjedhjeve. Ai po ashtu ka kërkuar që para se të mbahen zgjedhjet, kuvendi të votojë buxhetin për vitin 2021.

“Gjithsesi ky është takim preliminar dhe besoj që në takimet pas aktgjykimit të plotë e caktojmë edhe më saktë datën”, tha Abrashi pas takimit me Osmanin.

Memli Krasniqi nga PDK-ja, e ka cilësuar si kohë të përshtatshme fundin e muajit janar për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Presim që sa më parë Gjykata Kushtetuese të publikojë aktgjykimin e plotë, në mënyrë që ai të jetë i plotfuqishëm dhe besojmë që është e domosdoshme që të mos humbet kohë”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndërkaq, Besnik Tahiri nga AAK-ja ka thënë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje dhe se ato duhet të mbahen sa më shpejt.

Hoti: Do të respektoj vendimin e Kushtetueses

Kryeministri, tashmë në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, të martën deklaroi se do ta respektojë pa asnjë diskutim vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Tash është obligim kushtetues që të përfillim procedurat për shpalljen e zgjedhjeve brenda afatit kushtetues”, tha Hoti në një konferencë për media të martën.

“Do të jemi në krye të detyrës për t’u marrë me obligimet që i kemi karshi qytetarëve të vendit, sidomos me menaxhimin e situatës me pandeminë, për të cilën kemi treguar rezultate të mira”, u shpreh ai.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria Hoti mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e një ekzekutivi të ri.

Të ngjajshme

Ministrja Haradinaj arsyeton mosaplikimin njëvjeçar në organizata ndërkombëtare, paralajmëron vizitë në Izrael

albswiss.com

Hajrullah Çeku nxjerr të plotë fotografinë e Saranda Bogujecit me Daçiqin: Kjo është manual për dialogun me Serbinë

albswiss.com

Trazira në Armeni pas nënshkrimit të marrëveshjes me Azerbajxhanin

albswiss.com