Ylli i Kombëtares së Kosovës ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirus.
Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Herolind Shala, do t’i mungojë ‘Dardanëve’ për duelet kualifikuese për Botërorin “Katari 2022” kundër Suedisë dhe Spanjës.
Arsyeja e mungesës së tij qëndron tek fakti se Shala ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
Ai tash e disa ditë është i prekur nga ky virus, por dita-ditës po e rimerr veten.
”Ka disa ditë që jam prekur nga Covidi-19. Ditët e para kanë qenë goxha të vështira, ngase kam pasur temperaturë dhe ethe, derisa tash jam më mirë dhe besoj që për pak ditë do ta tejkaloj edhe këtë sfidë”, tha Shala për FFK-në.
“Falënderoj edhe stafin e Kombëtares dhe presidentin Ademi që vazhdimisht më kanë telefonuar dhe janë interesuar për shëndetin tim, ashtu sikurse edhe bashkëlojtarët”.
“Më vjen keq që kësaj radhe nuk do të jem afër tyre për t’i ndihmuar, por ja që ndodhi që të prekem me virus pikërisht para këtij grumbullimi të Kombëtares”.