Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka folur në konferencë për media pas fitores 1-0 kundër Atalantas.
Francezi i dha merita Atalantas për lojën e zhvilluar, duke thënë se gjetja e golit dhe fitorja në këtë ndeshje ishte e rëndësishme.
“Nuk e di nëse e kuqja ishte e tepërt, i takon gjyqtarit të marrë vendimet. Ne nuk kemi luajtur mirë, por e rëndësishme është rezultati. Megjithatë, kemi ende ndeshjen e dytë. Fizikisht ata janë shumë të fortë, mbrojnë shumë mirë. Nuk gjetëm hapësira, shënuam vetëm në fund. Për ne, megjithatë, është shumë e rëndësishme ta kemi gjetur golin”.
Ai thotë se aksioni i golit vjen nga stërvitjet dhe është provuar edhe më herët.
“Ishte një lojë e provuar në stërvitje, ne e provuam atë me një tjetër lojtar. Por ai e gjeti golin. Kur i duhet të gjuajë fort, ai (Mendy) mund të godasë edhe me këmbën e djathtë, ndërsa me lëmbën e majtë është më preciz”, ka thënë Zidane.
Sipas trajnerit francez, ka edhe një ndeshje dhe gjithçka mbetet e hapur.
“Tani ka një ndeshje kthyese, gjithçka është akoma e hapur. Ne do të duhet të luajmë mirë në ndeshjen e dytë”, nënvizoi Zidane.