fbpx
Alb'swiss TV
Zvicër

Zvicër : A mund t’i ndërpritet ndihma sociale një personi që i afrohet moshës së pensionimit?

Në praktikën tonë profesionale dëgjojmë dëshmi të refuzimeve të ndihmës sociale ndaj personave që i afrohen moshës së pensionimit.

Mundësia e nxjerrjes së parave nga arka e pensionimit duket se shërben si argument për me ia refuzuar dikujt dhënien e ndihmës sociale. Praktikat dhe vendimet në fjalë nuk janë plotësisht të kuptueshme dhe, si të tilla, nuk domethënë se duhet me i pranuar.

Në lëmin e ndihmave sociale zvicerane aplikohet një parim, sipas së cilit, ndihma duhet të akordohet vetëm atëherë kur personi nuk posedon aspak të ardhura të tjera për sigurimin e jetës apo minimumit jetësor.

Por, kjo nuk nënkupton aspak atë që të kërkohet nga ai që në vend të ndihmave ta prek, disa vite para kohe, kapitalin e tij të cilin e ka kursyer në arkën e pensionimit dhe që është i parashikuar normalisht për moshën e pensionimit.

Është e vërtetë ajo se kapitali i akumuluar në arkën e pensionimit-shtylla e dytë (Pensionskasse, Caisse de pension) mund të tërhiqet edhe pesë vite para pensionimit të zakonshëm, por kjo nuk domethënë atë se një shërbim social ka të drejtën e pakushtëzuar që t’ia refuzojë dikujt ndihmën sociale, me pretekst sa ka mundësi t’i tërheqë paratë nga arka e pensionimit.

Normat e propozuara mbi llogaritë e ndihmave që parashikohen nga institucionet qendrore zvicerane të ngarkuara për çështje sociale, nuk kërkojnë aspak nga kantonet dhe komunat që të tregojnë një ashpërsi aq të madhe, nuk iu rekomandojnë aspak tyre që të kërkojnë nga një kandidatë për ndihmë sociale që t’i nxjerrë paratë nga arka e pensionimit që nga mosha 60 vjeçare, për shembull.

Një rregull krejtësisht tjetër është ajo e cila kërkon nga kandidati që të realizojë të drejtën në pensionim të parakohshëm. Ndryshe me thënë, pasi që pensionimi normal-shtylla e parë (AVS-AHV) mund të realizohet para kohe, apo që nga mosha 63 vjeçare (62 për gratë), atëherë shërbimet e ndihmave sociale kanë të drejtë që të kërkojnë nga kandidati që kërkon ndihmë që ta realizojë së pari të drejtën e tij për pension të parakohshëm dhe pastaj të bëhen llogaritë se çka do t’i takonte eventualisht si ndihmë sociale.

Në rastet e tilla, në kuadër të llogarive, merren pastaj parasysh edhe kapitali i shtyllës së dytë dhe të tretë (3ème pilier, 3. Säule).

Edhe një herë e potencojmë atë se kjo rregull aplikohet nga mosha e pensionimit normal të parakohshëm (e jo për shembull prej moshës 60 apo 61 vjeçare).

Në raste të problemeve të kësaj natyre, këshillojmë që mos me u “kënaqur” me një përgjigje gjatë një takimi apo bisede telefonike me shërbimin social. Është e arsyeshme pra që të kërkohet nga autoriteti që vendosë t’i ndërpres ndihmat, me pretekstin e përmendur më sipër, që të bie një vendim formal apo me shkrim.

Në vendimin përkatës duhet detyrimisht të ceken arsyet dhe baza ligjore e refuzimit të ndihmës. Kjo mundëson pastaj hapjen e rrugës për ankesë eventuale kundër një vendimi i cili mund të konsiderohet i papranueshëm.

Përgatitur nga
www.zyra-begzati.ch
Neuchâtel, më 09.08.2019

Të ngjajshme

Zvicër: Sulm mbi të drejtat themelore njerëzore dhe sferën private

admin

Zvicër : Lëngu i portokallit M-Budget në Migros, hiqet nga shitja ngase mund të përbëj metal!

admin

Humb jetën në Zvicër 17 vjeçari nga Gjilani, u gjet i vde*kur në binarët e trenit

admin

Leave a Comment