Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar se i gjithë sistemi arsimor, duke filluar nga çerdhet e deri tek universitet, rrezikon të shkojë në grevë, si pasojë e mos gatishmërisë se qeverisë për zgjidhjen e kërkesave të sindikatës dhe mos publikimin e versionit final për Ligjin e Pagave.
Sipas tij, ky vendim mund të merret, më 2 prill, në Kongresin e SBASHK-ut. Jashraj madje tha se po vazhdojnë të gjitha përpjekjet që me dialog dhe takime të bëjnë zgjedhje për kërkesat e tyre.
“I kemi dërguar letër presidentes dhe kryetarit të Kuvendit që ata të ndërmjetësojnë te Qeveria që të kemi dialog gjatë kësaj jave, që të kemi zgjidhje edhe për Ligjin e Pagave dhe për kërkesën tonë që derisa të bëhet ligji i pagave në marrëveshje me SBASHK-un dhe sindikatat tjera, atëherë Qeveria të bëjë një shtesë prej 100 euro për të gjithë të punësuarit në arsim që nga çerdhet deri në universitet e po ashtu edhe për të gjithë punëtorët e institucioneve të kulturës, ngase kemi rritje të vazhdueshme të çmimeve”, u shpreh Jasharaj.
Ai shtoi se kjo javë është finale për të parë pastaj se çfarë vendimi do të merret në Kongresin e Sindikatës së Arsimit.
“Nëse gjatë kësaj jave nuk do të ketë ndonjë lëvizje pozitive nga ana e Presidentes, Kryetarit të Kuvendit, e as Qeverisë Kurti, atëherë më 2 prill është Kongresi dhe kam frikë që delegatët që janë përfaqësues të sistemit arsimor dhe kulturor do të marrin vendim për veprime sindikale duke mos përjashtuar dhe grevën e përgjithshme. Shumë gjëra varen nga kjo javë që jemi, nga gatishmëria e Qeverisë për të reflektuar e për t’u ulur për të bërë zgjedhje bashkë me ne, nëse jo atëherë më 2 prill i mbetet Kongresit, dhe unë jam i sigurt që Kongresi do të marrë vendim për veprime sindikale”, tha Jasharaj.
I pari i SBASHK-ut shtoi se çdo gjë që do të ndodh në sistemin arsimor pas datës 2 prill, fajtori i vetëm do të jetë Qeveria Kurti.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka kërkuar nga Qeveria që të jenë pjesë e hartimit të Ligjit për Paga dhe miratimin sa më të shpejtë të tij. /Telegrafi/