Sot përfundon afati për të dhënë komente për raportin konsultativ që paraqet qëndrimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për ristrukturimin e tarifave të nevojshme për të përmbushur kostot e blerjes së energjisë elektrike dhe për të rivendosur furnizimin për konsumatorë.
Megjithëse, ishte paraparë që ky afat të përfundonte në fund të javës së kaluar, ZRRE-ja kishte vendosur ta shtynte duke marrë parasysh interesimin e palëve të interesit për të ofruar komente.
Deri më tani sipas ZRRE-së janë pranuar komente nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Operatorët e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO si dhe ka pranuar komente nga konsumatorët e energjisë elektrike, ku pritet të publikohen gjatë ditëve në vijim.
Edhe kryeministri Albin Kurti ka premtuar se Qeveria e Kosovës do të dërgojë komentet e saj, por nuk është bërë e ditur nëse i kanë dërguar apo do t’i dërgojnë gjatë ditës para përfundimit të afatit.
Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar raportin konsultativ për shtrenjtimin e energjisë elektrike, e cila është kundërshtuar nga partitë opozitare në Kuvend, por jo edhe nga ata të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.
Propozimi i ZRRE-së është që çmimi i rrymës të rritet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600kWh në muaj, ndërsa ata që shpenzojnë deri në 800kWh ose më shumë, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë prej 75 milionë eurosh. ZRRE-ja propozon që tarifa për konsumatorët me 800kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh, ndërsa ata që shpenzojnë 1,000kwh do të përballen me rritje prej 24.62 euro.





