Ramosaj pas aktakuzës kundër zyrtarëve të “Hidrodrinit”: Komuna e Deçanit insiston të administrojë me ujin e pijes.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka deklaruar se pret që rasti i helmimit të qytetarëve të komunës së tij të marrë trajtimin e duhur deri në përfundim të procedurave sipas ligjeve në fuqi, raporton Express
Këto deklarata Ramosaj i bëri pas konferencës së Prokurorisë Themelore të Pejës, ku i bë e ditur se është ngritur aktakuzë kundër dy zyrtarëve të KRU “Hidrodrini”.
“Komuna e Deçanit mirëpret veprimet e ndërmarra nga prokuroria themelore në Pejë, e cila sot, në konferencën për media, informoj që ka përfunduar hetimet, që kanë të bëjnë me rastin e helmimit të 1500 qytetarëve të komunës së Deçanit nga uji i pijes gjatë muajit korrik 2021. Duke shpresuar që ky rast të merr trajtimin e duhur deri në përfundim të procedurave sipas ligjeve në fuqi”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.
Ramosaj ka shtuar se Komuna e Deçanit insiston që të menaxhojë me ujin e pijes.
“Edhe njëherë, me të drejtë ritheksojmë se: Komuna e Deçanit insiston që të ketë në menaxhim dhe të administroj me ujin e pijes në të gjithë territorin e komunës së Deçanit!”, ka shkruar Ramosaj





