“Nuk ka asnjë të lënduar dhe as viktima”
Pas shpërthimeve të fuqishme të ndodhura mbrëmë në Abu Dhabi, Ambasada e Kosovës në Emirate-EBA ka dalë me njoftim zyrtar.
Siç bëhet e ditur nga kjo Ambasadë, nga shpërthimet e bombolave të gazit nuk është lënduar asnjë person, ndërsa ekipet emergjente kanë vënë situatën nën kontroll.
“Fatmirësisht, nga ky shpërthim nuk ka pasur asnjë të lënduar dhe as viktima. Shpërthimi ka ndodhur në sipërfaqen e katit të fundit të një ndërtese në qendër të qytetit. Autoritetet e EBA-së, në një deklaratë të tyre zyrtare të lëshuar sot, i kanë bërë thirrje publikut që informacionet lidhje me këtë incident, t’i marrin nga burimet e saja zyrtare, dhe të shmangin qarkullimin e thashethemeve dhe informacioneve të pasakta”, thuhet në njoftim.
Dy shpërthime të fuqishme kanë shkundur mbrëmë Abu Dhabin. Shpërthimet janë dëgjuar në qytetin e mbushur me njerëz, e njësi të shumta të policisë dhe ekipe të shpëtimit janë parë në qendër të qytetit – duke bërë që të mbyllen shumë rrugë.
Sipas informatave jozyrtare, shpërthimi i parë është dëgjuar duke ardhur nga një qendër tregtare. E një prej shpërthimeve është filmuar me kamerë amatore dhe atë nga kulmi i një hoteli.





