15.2 C
Geneva
Friday, October 10, 2025

Mos e prekni diasporën – Ajo është si UÇK-ja: e shenjtë për këtë komb

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Nga: Lulëjetë Dragidella, Zvicër

Në diskursin publik të ditëve të fundit, është rikthyer me një agresivitet të papranueshëm gjuha përçmuese ndaj diasporës shqiptare. Akuzat dhe etiketimet si “të pashkolluar”, “të manipuluar” apo “të verbër” janë përdorur për t’i mohuar kësaj shtrese të madhe të kombit tonë jo vetëm legjitimitetin qytetar, por edhe dinjitetin njerëzor.

Kjo është një fyerje e rëndë jo vetëm ndaj atyre që jetojnë jashtë vendit, por edhe ndaj historisë sonë të përbashkët. Diaspora shqiptare nuk është një turmë pa dije që manipulohen lehtësisht, siç duan ta paraqesin disa. Është zemra e gjallë e kombit tonë, një shtyllë e qëndrueshmërisë sonë ekonomike, shoqërore dhe kombëtare.

Kush është diaspora që po përçmohet?

-Janë ata që mbajtën gjallë ekonominë e Kosovës në vitet më të vështira. Ata që nuk kursyen asgjë për të dërguar mjete në vend, për të ndërtuar shtëpi, për të hapur shkolla, për të ndihmuar në çdo formë. Janë ata që e ngritën zërin në botë kur Kosova nuk kishte as zë, as adresë.

Ishte po kjo diasporë që ndihmoi themelimin dhe fuqizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa ta, UÇK-ja nuk do të kishte pasur kurrë mbështetjen logjistike, financiare e politike që kishte. Ishin ata që shisnin vetura, biznese dhe gjithçka kishin për të blerë armatim dhe për të ushqyer luftëtarët në male. Ata që përmes lidhjeve të tyre ndërkombëtare bënë të mundur që bota të dëgjonte për Kosovën. Prandaj, për shumë prej nesh, diaspora është e shenjtë, njësoj si UÇK-ja.

Si UÇK-ja, edhe diaspora lindi nga nevoja, jo nga komoditeti.

-UÇK-ja lindi kur shteti nuk ekzistonte, kur nuk kishte mbrojtje, kur duhej guxim për të jetuar dhe sakrificë për të vepruar. Edhe diaspora u bë shtyllë e kombit kur atdheut i mungonin themelet, kur shteti sapo po lindte, kur duhej dërguar çdo qindarkë për mbijetesë, kur fjala ‘kontribut’ nuk ishte e shkruar në ligj, por e vulosur në shpirt.

Të dyja janë forca që nuk kanë pritur kushte perfekte për të vepruar, kanë vepruar kur askush nuk guxonte. Dhe për këtë arsye, të dyja janë të shenjta: sepse vepruan për kombin pa kërkuar shpërblim, pa kërkuar lavdi, pa kërkuar as mirënjohje. Vepruan thjesht sepse nuk mund të rrinin duarkryq.

Dhe nëse dikush guxon ta përçmojë diasporën për “nivelin e shkollimit”, le të kujtojmë me nder se edhe shumë nga luftëtarët më të guximshëm të UÇK-së nuk ishin me diploma universitare. Por kishin atë që nuk matet me letër: guximin, nderin dhe dashurinë për atdheun. Të mendosh se vetëm një titull akademik të bën më të vlefshëm për kombin është një arrogancë që nuk qëndron në asnjë faqe historie shqiptare.

Të fyesh sot, është të harrosh dje

-Sulmet ndaj diasporës janë më shumë se thjesht cinizëm politik, janë amnezi morale. Është harrim i qëllimshëm i asaj që kjo pjesë e kombit ka bërë për ne të gjithë. Dhe më e rënda, ky përçmim nuk vjen nga jashtë, por nga brenda, nga vetë njerëz që i detyrohen diasporës një pjesë të mirë të ekzistencës së sotme institucionale dhe ekonomike.

Po aq e papranueshme është edhe përbuzja që i bëhet një pjese të qytetarëve të Kosovës, thjesht pse nuk ndajnë të njëjtin orientim politik me disa figura të caktuara publike. Të thuash se ata janë “të fundit që ende besojnë” është nënçmim për zgjedhjen e lirë, për demokracinë dhe për qytetarinë.

Demokracia nuk matet me përçmim

-Nuk ka demokraci pa respekt për mendimin ndryshe. Nuk ka ndershmëri në debat publik kur ai ushqehet me tallje dhe përbuzje ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Edhe nëse nuk pajtohemi me një votë apo një vendim, e kemi për detyrë ta kritikojmë me argument, jo me arrogancë. Ta sfidojmë me ide, jo me përçmim klasor apo etiketime të dhimbshme.

Diaspora jonë nuk është problem. Është pasuri. Është pjesë e pandashme e trupit kombëtar. Dhe kush e fyen sot, fyen një histori të tërë sakrifice, shprese dhe dashurie për atdheun.

Një apel për reflektim kombëtar

-Le ta ndalim njëherë e përgjithmonë gjuhën e ndarjes. Të mos lejojmë që hallet tona politike të na bëjnë të harrojmë kush jemi dhe për kë jemi ngritur si shtet. Të mos i sulmojmë ata që nuk i njohim mirë vetëm pse nuk jetojnë pranë nesh. Dhe të mos harrojmë kurrë se në momentet më të vështira të këtij kombi, ishin ata, diaspora, që nuk u dorëzuan, nuk u lodhën dhe nuk na lanë vetëm.

Nëse nuk mund t’i falënderojmë, të paktën mos t’i përçmojmë. / SAM24.info

Të Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img