0.2 C
Geneva
Tuesday, January 20, 2026

Homazh për Basri Qerimin – babanë e heroit Xhevat Qerimi

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Pas një sëmundje të rëndë sot në Pozharan të Vitisë, ndërron jetë Basri Qerimi – babai i heroit Xhevat Qerimi.

Babai, Basri Qerimi, dhe nënë Rexhia nga Mogilla e Vitisë, ishin martuar në vitin 1963. Në jetën e tyre bashkëshortore ata patën gjashtë fëmijë: Qemajlin, Xhevatin, Magriben, Ramizin, Teutën dhe Sheqeren. Xhevati ishte fëmija i tyre i dytë. Ata përgjatë kohëve krijuan autoritetin prindëror, ndjenjën e detyrës dhe të përgjegjësisë për rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre. Krijuan themelet e punës dhe të edukimit moral, mendor e fizik. Te fëmijët e tyre zhvilluan kulturën, traditën, respektin, zakonet tradicionale dhe gjithë këshillat e duhura të një vatre shqiptare. Në këtë familje kryefamiljari ishte babai, nga i cili kërkohej gjithçka prej tij, dhe edukatorja e parë, nëna, e cila rriste fëmijët edhe atëherë kur bashkëshorti i saj mungonte në shtëpi. Autoriteti i tyre ishte i respektuar dhe i çmuar nga rrethi dhe të gjithë.

Baca Basri si prind ishte i njeri me zotësi të veçanta në gjithçka që bënte dhe çfarëdo që ndërmerrte. Ishte i respektuar te vëllezërit, familja dhe i gjithë rrethi. Ishte njeri përparimtar, ku shkollimit i kishte kushtuar rëndësi të veçantë. Dy vëllezërit e tij binjakë, Shukriu dhe Hamdiu, kishin arritur të mbaronin shkollim superior dhe ishin bërë një fanar i familjes, dijes dhe përparimit. Këtë rrugë më vonë do ta trasojnë edhe fëmijët, nipërit e mbesat.

Në shumë kërkesa që sillte jeta, ai dilte përherë me diçka të veçantë nga çdo shqyrtim dhe vendim. Punët i gjykonte mirë, i sillte andej-këndej dhe, befas, dilte me një qëndrim të drejtë e parimor. Në shumë raste tregohej i jashtëzakonshëm, i mahnitshëm…

Nga praktika jetësore, intuitivisht kuptonte se cili ishte thelbi, sekreti, shkaku i shumë gjërave, të cilat kërkonin përballje. Me fëmijët ishte i dashur dhe kërkonte të rrënjoste tek ata ndjenjën e punës, të respektit dhe përgjegjësisë. Ishte rigoroz dhe kërkonte, mbi të gjitha, korrektësi. Pas çdo pune të mbaruar me sukses, ai lavdëronte dhe shpërblente fëmijët, por nuk mungonin as qortimet ndaj pasivitetit dhe ndonjë pune të pakryer. Fundja, të gjithë njerëzit e dinë se si fëmijë, shpesh kemi dëshiruar që lojërat të zgjatnin më tepër, detyrat shkollore të shtëpisë t’i lëmë për momentet e fundit dhe, nganjëherë, kemi marrë edhe nota jo të mira, kemi munguar pa arsye… Baca Basri dëshironte që fëmijët të ishin të përpiktë, seriozë dhe plot elan për jetë.

Me edukimin ndaj fëmijëve, lirshëm mund të thuhet se bashkëshortët, Basri e Rexhie Qerimi, kanë përmbushur misionin e tyre prindëror ndaj familjes dhe pasardhësve. Familja dhe zgjerimi i saj, sot është gëzimi më i madh i tyre. Gjithashtu, baca Basri në projektet e tij ishte edhe një nga themeluesit e ngritjes së mirëqenies dhe zgjerimit ekonomik të familjes, në vend-jetesën e tyre, në fshatin Pozharan të Vitisë. Ai sot, është larguar nga jeta tokësore për të kaluar në përjetësi, por jeta e tij, i karakterizon paraardhësit tanë të mençur, dinjitarë, ku shkolla e jetës i kishte përgatitur për të sfiduar çdo plagë e vështirësi që sjell jeta. Vitet e jetës së tij janë të mbushura përplot me sfida, por edhe me synime e dëshira të realizuara, të cilat datonin që nga vitet e rinisë. Ndër shumë veçori të bacës Basri spikatin dashuria e tij për armën, e cila e kishte ndjekur për një kohë të gjatë nëpër kohëra dhe jetën e tij.

Dëshira për armët tek ai ishte shfaqur që në moshë të re. Shpesh udhëtonte nëpër vende të ndryshme të rajonit, për të blerë dhe për t’i sjellë ato në Kosovë. Me armë të kalibrave të ndryshëm ai furnizonte jo vetëm të afërmit e të njohurit, por edhe shumë të tjerë, të cilët shprehnin interesim për t’u armatosur dhe për t’i mbajtur ato. Nëse shohim të kaluarën historike, mbajtja e armëve ishte një dashuri dhe atribut i domosdoshëm gati i çdo familjeje shqiptare. Me ndihmën e armës, ai konsideronte mbrojtjen personale, të familjes, por, përmes saj, ata mbronin edhe atdheun nga pushtuesit. Mbajtja e armës në mënyrë ilegale konsiderohej e paligjshme, ku dënimet dhe ndëshkimet ishin të egra.

Basri Qerimi, babai i heroit, përgjatë kohërave kishte përsosur veprimtarinë e mbartjes dhe transportimit të armëve dhe gati përherë kishte qenë i suksesshëm. Mirëpo, në një rast nuk kishte vajtur kështu. Ishte viti 1967 dhe bacë Basriu bashkë me një shok të tij kishte shkuar për të blerë armë në Çekosllovaki. Plani nuk kishte shkuar siç kishin menduar dhe gjatë këtij aksioni ata ishin dekonspiruar dhe ishin kapur nga policia çekosllovake. Menjëherë pas kësaj ai u burgos dhe u dënua me shtatë muaj burg. Këtë dënim e vuan në burgjet e Çekosllovakisë. Menjëherë pas burgimit, kur kthehet në atdhe, UDB-ja titiste e merr në pyetje dhe i hap një mijë telashe për ardhmërinë dhe familjen.

Gjatë kohës kur babë Basriu vuante dënimin me burg në një shtet të ish-Bllokut Socialist të atëhershëm, në një shtet që më vonë do të ndahej në dysh, heroi ynë, Xhevati, ishte vetëm dy vjeç. Ai po rritej bashkë me të vëllanë, Qemajlin, nën kujdesin e nënë Rexhies dhe të anëtarëve të tjerë të familjes, xhaxhallarëve dhe hallave të tij. Mbase ndër belbëzimet e para të fjalëve, të cilat ai kishte filluar t’i mësonte, zaten ishin edhe fjalët: babë, liri dhe pushkë… E po gjaku është një lëng shumë i veçantë në jetën e njeriut. Në këtë trinom që morëm si supozim, do të zhvillohej jeta e këtij fëmije, i cili, si shumë fëmijë të tjerë shqiptarë, po rritej me babanë e burgosur. Nga një zbërthim i detajuar atëherë, mund të përsiasim se me babanë apo atin mund të kuptojmë Atdheun. Me lirinë: çlirimin nga pushtuesi. Dhe me pushkën: mjetin për çlirim.

Jo rastësisht, nëpër kujtimet tona ka mbetur edhe një fotografi e heroit, e shkrepur në vitin 1981, ku ai shihet me pushkë në dorë mu në vlugun e demonstratave gjithëpopullore të atij viti. Ndonëse fotografia është një plotësim i ngrirë i një momenti, ajo mjafton për imagjinatën tonë. Kjo na duket një fije, e cila shkon deri te bota e tij, dhe kur imagjinata jonë fillon të errësohet e figurat e ngrira në fotografi marrin jetë. Merr jetë një brez, i cili po vinte me gjithë pragmatizmin e tij.

Por le te kthehemi prapë te portreti dhe jeta e babë Basriut, këtij njeriu inteligjent dhe me një frymëzim të paepur. Pas njëfarë kohe, bacë Basriu merr rrugën e mërgimit. I shtrënguar nga vështirësitë e jetës, ishte ndarë nga gëzimet e familjes, me shpresat që rritja e fëmijëve të mos ngjante me të tijën, dhe të kishin një prosperitet më të madh në jetë. Ai migroi përkohësisht në shtetin gjerman. Pas një kohe pune të pandërprerë, ku kishte punuar në sektorin për shpime dhe hulumtime gjeologjike, ai fton edhe të vëllanë, Ismajlin, t’i bashkëngjitej në mërgim. Ismajl Qerimi është një burrë i urtë, i ndërgjegjshëm dhe jashtëzakonisht punëtor. Për të dy vëllezërit puna e vazhdueshme ishte gurthemeli i familjes, në zgjerimin dhe përparimet e saj.

Veprimtaria e bacë Basriut bashkë me të vëllanë në mërgim ishte e gjerë. Ata shpejt krijojnë kontakte me veprimtarin dhe patriotin Hajrullah Murtezi – Tërpeza. Ky burrë i kombit vinte nga një familje e persekutuar nga pushtuesi serb në Luftën e Dytë Botërore. Ai ishte një luftëtar i denjë dhe kushëriri i atdhetarit të shquar, Hysen Tërpeza, me të cilin së bashku kishin luftuar për bashkimin e trojeve shqiptare. Hajrullahu menjëherë pas luftës kishte migruar në Gjermani, ku jetonte e vepronte me përkushtimin më të lartë, me mallin e pashuar për familjen dhe atdheun. Ai vdiq në rrethana të panjohura në vitin 1982 në Gjermani.

Pos Hajrullahut me shokë, vëllezërit Qerimi gjithashtu mbajtën kontakte të rregullta edhe me vetë Hysen Tërpezën, luftëtarin e paepur të bashkimit kombëtar, me Halil Malaj nga Hogoshti, si dhe shumë veprimtarë të devotshëm, të cilët nuk e ndaluan kurrë rrugën e çlirimit dhe të bashkimit shqiptar. Duhet përmendur se gjithë këta burra ishin përndjekur nga UDB-ja titiste, dhe jetën e tyre të rëndë të mërgimit e zhvillonin në dy fronte: për të punuar dhe për mbajtur familjet, madje duke bërë edhe punë të rënda fizike, dhe në anën tjetër vepronin pareshtur për të përgatitur dhe vetëdijesuar mërgimtarë dhe të tjerë në rrugën e çlirimit kundër pushtuesit. Lavdi jetës dhe veprës së Basri Ramiz Qerimit./Avni Azizi/

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img