Fakulteti Juridik i Universitetit të Kosovës, gjatë fundviteve shtatëdhjetë, kishte një trupë të shkëlqyer profesorësh, si: Ejup Statovci, Zejnullah Gruda, Ismet Salihu, Ejup Sahiti, Esat Stavileci, Fatmir Sejdiu, Bardhyl Çaushi, Irfan Pashoja, Hilmi Ismaili, Arsim Fehmiu, Abdullah Aliu e të tjerë.
Në këtë plejadë të profesorëve eminentë bënte pjesë edhe oficeri i karrierës, Nënkolonel Ismail Maliqi, nga fshati Busavatë i Dardanës (ish-Kamenicës).
Me profesor Ismail Maliqin u takuam në tetor të vitit 1978, kur ai ligjëronte lëndën Bazat e Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore I dhe II në Fakultetin Juridik të Universitetit të Kosovës. Provimit të parë tek ai iu nënshtrova më 23 qershor 1979, në lëndën Bazat e Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore I, ndërsa pas një viti dhashë edhe provimin e dytë.
Për shkak se profesori ishte aktiv në ish-Armatën Jugosllave, ligjëratat zhvilloheshin zakonisht në orët e mbrëmjes, ndërsa provimet mbaheshin të shtunave ose të dielave.
Ai ishte njeri i afërt me studentët, me qasje thellësisht njerëzore, me butësi të rrallë dhe me respekt të ndërsjellë, çka krijonte një frymë të veçantë dashamirësie në amfiteatër.
Prandaj, çdo student i Fakultetit Juridik të asaj kohe ruan kujtime të bukura e të paharrueshme për profesorin Ismail Maliqi.
Më kujtohet një rast tejet domethënës që shpalos karakterin e tij të ndritur.
Një student nga një fshat i Rahovecit, i cili kishte kaluar me sukses provimin e vështirë të së Drejtës Romake, nuk kishte mundur të përgatitej mirë në lëndën që ligjëronte profesori.
Profesori, me një buzëqeshje të lehtë dhe zë të ngrohtë, i tha:
“Duart tua më tregojnë se je njeri i vyeshëm. Meqë mban familjen dhe ushqen edhe të tjerë, eja pas dy javësh prapë në provim.
Nuk kam zemër të të vë notë të dobët. Edhe pa këtë lëndë mund të bëhesh jurist i mirë.”
Kjo skenë e vogël, e atij çasti, tregon më shumë se çdo fjalë tjetër për karakterin e tij njerëzor, për modestinë dhe urtësinë e tij prej pedagogu të vërtetë.
Me ardhjen e pluralizmit dhe ndryshimeve demokratike në vend, lëndë si Bazat e Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore dhe Bazat e filozofisë marksiste u hoqën nga programet universitare.
Por, Nënkolonel Ismail Maliqi mbeti në kujtesën e studentëve si njeri vizionar, zemërgjerë dhe i përkushtuar ndaj dijes e njerëzores.
Fatkeqësisht, jeta e tij mori një kthesë tragjike më 26 qershor 1988, kur ai dhe i biri i tij pesëvjeçar, Iliri, humbën jetën në një aksident komunikacioni me pasoja fatale. Edhe sot e kësaj dite, ngjarja mbetet e paqartë dhe e pandriçuar.
Si ish-student i tij, ndjej detyrim shpirtëror të theksoj se ndarja e papritur nga jeta e profesor Ismail Maliqit ishte humbje e madhe, jo vetëm për familjen e tij, por për gjithë komunitetin akademik dhe popullin shqiptar.
Lavdi kujtimit dhe veprës së tij!
U prehshin në paqe të përhershme shpirtrat e profesor Ismail Maliqit dhe të birit të tij, Ilirit.
ARIF EJUPI





