-0.8 C
Geneva
Wednesday, November 19, 2025

Kosovë – Zvicër 1:1: Ndarje pikësh, vazhdim miqësie

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Ndeshja e kthimit e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në mes Kosovës dhe Zvicrës, e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2026, që do të mbahet vitin e ardhshëm në SHBA, Kanada dhe Meksikë, përfundoi me rezultatin 1:1.

Ky takim i rëndësishëm për të dyja kombëtaret u përshkua nga emocione të forta. Zvicra, e cila tashmë e ka siguruar matematikisht kualifikimin për Botërorin 2026, synonte që me fitore të ruante pozitën e parë dhe të mbyllte ciklin kualifikues me kuotë  maksimale të pikëve.

Kosova, e ringjallur fuqishëm në ndeshjet e fundit, kishte treguar formë të shkëlqyer brenda dhe jashtë fushës së saj, kundër Suedisë dhe Sllovenisë. Këto paraqitje iu dhanë besim dhe motiv djemve tanë për të kërkuar rezultat pozitiv edhe ndaj Zvicrës.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, edhe pse të dy skuadrat u përpoqën të gjenin hapësira për shënim, por pa finalizim të suksesshëm.

Pjesa e dytë filloi me ritëm të shpejtë. Zvicra kaloi e para në epërsi në minutën e 47-të, nëpërmjet Ruben Vargas, i cili goditi saktë pas një aksioni të organizuar mirë në krahun e majtë dhe e mposhti portierin Aro Muriq.

Kosova, përkundër pësimit të golit, nuk u zmbraps, por intensifikoi sulmet. Skuadra jonë krijoi disa raste të ideale dhe në minutën 74, Florent Muslija, shënoi gol të bukur, duke barazuar rezultatin në 1:1.

Zëvendësimet e futbollistëve në minutat e fundit të lojës nga trajnerët Franco Foda (Kosova) dhe Murat Yakin (Zvicra) sollën energji të re në lojë, por jo edhe ndryshim rezultati.

Në tribuna u pa e gjithë simbolika e marrëdhënieve tradicionale dhe të shkëlqyera Kosovë–Zvicër: flamuj të përzier, familje të bashkuara, duartrokitje për çdo aksion, pavarësisht se nga cila skuadër vinte aksioni.

Diaspora shqiptare në Zvicër e ktheu ndeshjen në një festë të madhe, duke krijuar atmosferë të rrallë sportive dhe vëllazërore.

Me këtë barazim, Zvicra, tashmë e kualifikuar për Botërorin 2026, e ruan epitetin e kryesuesit të grupit dhe e pret e qetë rrugëtimin drejt Botërorit.

Kurse, Kosova ende mban gjallë shpresat se, nëpërmjet ndeshjeve të play-off-it, do ta bëjë ëndrrën e kahershme realitet: pjesëmarrjen për herë të parë dhe historike në Kupën e Botës 2026.

ARIF  EJUPI

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img