0.2 C
Geneva
Tuesday, January 20, 2026

Mr. sc. Musa Sabedini – nga praktika profesionale në ndërtimin e manualit akademik të gazetarisë hulumtuese

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Sot, Prishtinë në ambientet e Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT), u zhvillua një ngjarje me peshë të veçantë akademike dhe kulturore. Në prani të profesorëve, studentëve, studiuesve të medias, si dhe miqve e familjarëve të autorit, u promovua vepra voluminoze “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”.

Libri është konceptuar si një tekst referencial për studentët e gazetarisë, studiuesit e medias, gazetarët hulumtues, redaktorët dhe profesionistët e përkushtuar ndaj së vërtetës dhe interesit publik.

Me këtë rast, i pranishëm ishte edhe rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se libri i Mr. sc. Musa Sabedinit është ndërtuar si një udhërrëfyes akademik dhe profesional për gazetarinë hulumtuese. Ai vlerësoi se kjo vepër përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin teorik dhe praktik të gazetarisë hulumtuese në Kosovë dhe më gjerë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori Edmond Hajrizi e përgëzoi profesor Sabedinin për botimin e librit, duke e cilësuar atë si një ndër veprat më cilësore dhe më të kompletuara në fushën e gazetarisë hulumtuese në hapësirën akademike shqiptare.

Ngjarja u karakterizua nga një dialog i hapur akademik ndërmjet autorit dhe pjesëmarrësve, ku, përveç prezantimit të strukturës dhe përmbajtjes së librit, u diskutuan gjerësisht sfidat bashkëkohore të gazetarisë hulumtuese, dilemat etike dhe roli i saj në funksionimin e demokracisë moderne.

Vepra u prit me vlerësime të larta edhe nga kolegët dhe studentët e medias, duke u konfirmuar si një burim i rëndësishëm referencialpër studimin dhe praktikën e gazetarisë hulumtuese në Kosovë dhe rajon.

Ndërkaq, dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, FeridSelimi, vlerësoi angazhimin profesional dhe kontributin e vazhdueshëm të autorit në ndërtimin e mendimit kritik dhe formimin profesional të studentëve të gazetarisë.

Në këtë kontekst, recensenti i librit, Safet Zejnullahu, theksoi se vepra vjen në një moment kur themelet tradicionale të gazetarisë po sfidohen seriozisht nga transformimet e shpejta të teknologjisë digjitale.

Sipas tij, ndryshe nga gazetaria tradicionale, ku profesionalizmi ishte më i konsoliduar pavarësisht kufizimeve teknike, gazetaria online ofron mundësi të shumta, por shpesh e zbeh thellësinë dhe rigorozitetin e gazetarisë hulumtuese për shkak të presionit të shpejtësisë dhe fragmentimit të informacionit.

Zejnullahu vlerësoi strukturimin metodologjik të librit në tri pjesë kryesore:

pjesa e parë trajton misionin, rreziqet dhe sfidat e gazetarisë hulumtuese, të ilustruara me raste konkrete vendore dhe ndërkombëtare;
pjesa e dytë analizon ndikimin e gazetarisë së internetit dhe transformimin e profesionit;
ndërsa pjesa e tretë fokusohet në teknikat moderne të raportimit hulumtues, të përshtatura për epokën digjitale.

Një vlerë e veçantë e veprës, sipas recensentit, janë 101 pyetjet dhe udhëzimet për gazetarinë hulumtuese, të ndërtuara mbi përvojën profesionale të autorit, literaturën bashkëkohore dhe raste konkrete, duke përfshirë dimensionin profesional, etik, ligjor dhe logjistik të gazetarisë hulumtuese.

Duke folur për librin, profesori Musa Sabedini theksoi se kjo vepër përfaqëson kurorëzimin e një përvoje mbi 35-vjeçare në gazetarinë profesionale, me theks të veçantë në gazetarinë hulumtuese.

Ai nënvizoi se libri nuk është thjesht një manual praktik, por një reflektim i thellë akademik mbi përvojat reale, sfidat, rreziqet dhe dilemat etike të profesionit.

Sipas autorit, përmbajtja e librit mbështetet në një arkiv të pasur profesional, në përvojën e tij akademike si ligjërues në UBT, si dhe në pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare dhe botimin e punimeve shkencore në revista prestigjioze.

Autori ritheksoi se gazetaria hulumtuese mbetet një nga shtyllat themelore të demokracisë moderne, një mekanizëm thelbësor për zbardhjen e aferave, ndriçimin e padrejtësive dhe mbrojtjen e interesit publik.

Në një kohë të rritjes së presioneve politike dhe ekonomike mbi mediat, ai vlerësoi se gazetaria hulumtuese duhet të mbrohet dhe të zhvillohet si e mirë publike, përmes mbështetjes institucionale, angazhimit qytetar dhe integritetit profesional.

Promovimi u pasurua edhe me kontributet e ish-zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi dhe kolegëve FatonIsmajli dhe Betim Musliu, të cilët vlerësuan profesionalizmin dhe integritetin e autorit, si dhe rëndësinë e librit për edukimin e brezave të rinj të gazetarëve.

Libri përmbyllet me një mesazh të qartë dhe motivues për të rinjtë: profesionalizmi, guximi, integriteti dhe përkushtimi ndaj së vërtetës janë kushtet themelore për mbijetesën dhe dinjitetin e gazetarisë hulumtuese në shoqërinë bashkëkohore.

ARIF EJUPI

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img