Shkolla shqipe në mërgim nuk lindi si projekt formal shtetëror, por si nevojë ekzistenciale kombëtare. Ajo u krijua atëherë kur rrugës së vështirë të mërgimit, bashkë me të rriturit, iu bashkuan edhe fëmijët. Frika më e madhe e prindërve nuk ishte vetëm largësia nga atdheu, por rreziku i humbjes së gjuhës dhe i asimilimit.
Qëllimi i shkollës shqipe ka qenë i qartë: ruajtja e identitetit shqiptar përmes gjuhës shqipe. Fillimisht, ajo u organizua mbi baza vullnetare, falë përkushtimit të mësuesve dhe ndërgjegjes kombëtare të prindërve.
Një rol vendimtar në këtë proces pati profesori Meriman Braha, i cili themeloi degët e Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (1990) dhe i dha mësimit plotësues një strukturë më të qëndrueshme. Në Zvicër, përmes bisedimeve me autoritetet arsimore vendore, u mundësua përdorimi falas i objekteve shkollore për mësimin e gjuhës shqipe.
Në të njëjtën kohë, u hartuan plane-programet dhe u botuan tekstet shkollore, me kontribut të çmuar të pedagogut Shefik Osmani, duke garantuar cilësi profesionale në mësimdhënie.
Shkolla shqipe – para dhe pas luftës
Shkollat shqipe përjetuan lulëzim sidomos në vitet kur Kosova ende nuk ishte e çliruar. Në atë periudhë, mërgata u shndërrua në hapësirë të mbijetesës arsimore dhe kombëtare. Qeveria e udhëhequr nga drIbrahim Rugova, u përkujdes për themelimin e shkollave shqipe pothuajse në të gjitha vendet evropiane ku jetonin shqiptarë.
Ministri i Arsimit në ekzil, Muhamet Bicaj, në vitin 1995 përzgjodhi mësuesit përmes konkursit, duke rritur besimin e prindërve dhe numrin e nxënësve. Për herë të parë, edhe në mërgim, ndihej prania e shtetit.
Por pas luftës, pritjet u shndërruan në zhgënjim. Shkolla shqipe e mësimit plotësues nuk u institucionalizua. U harruan mësuesit, u harruan nxënësit dhe u la pas dore përvoja e ndërtuar ndër dekada. Edhe sot, pas më shumë se 30 vitesh, mungojnë marrëveshjet ndërshtetërore që do t’u garantonin mësuesve marrëdhënie pune dhe fëmijëve shqiptarë qasje të barabartë në mësimin e gjuhës amtare.
Asimilimi – rrezik i heshtur
Lënia pas dore e mësimit plotësues nuk është vetëm problem arsimor, por problem strategjik për të ardhmen e Kosovës. Një brez që rritet pa gjuhën shqipe rrezikon të humbasë lidhjen emocionale, kulturore dhe kombëtare me vendin e origjinës.
Sot flasim për remitenca, investime dhe ndikim elektoral. Por nesër, nëse fëmijët e mërgatës nuk flasin më shqip, nuk do të ketë as interes për Kosovën, as përgjegjësi morale ndaj saj. Injorimi i mësimit plotësues është në thelb vetëdëmtim shtetëror.
Votë po, përfaqësim jo
Paradoksi vazhdon edhe në politikë. Mërgata mobilizohet për zgjedhje, por përjashtohet nga vendimmarrja. Zgjedhjet e 28 dhjetorit e dëshmuan fuqinë e saj demokratike: mbi 80.000 vota nga diaspora nuk janë statistikë, por zë politik i qartë. Megjithatë, asnjë deputet nga mërgata nuk është sot në Kuvendin e Kosovës – një padrejtësi dhe deficit serioz demokracie.
Nëse shteti i Kosovës nuk investon njëkohësisht në:
atëherë ai po e shfrytëzon mërgatën në afat të shkurtër dhe po e humb atë në afat të gjatë.
Mërgata nuk është rezervuar sezonal votash. Ajo është pjesë e pandashme e trupit kombëtar.
Një shtet që nuk e përfaqëson dhe nuk e mbron identitetin e saj, nuk mund të pretendojë se po ndërton demokraci të plotë.
Mërgata nuk kërkon mëshirë.
Kërkon përfaqësim.
Dhe kërkon që fëmijët e saj të mbeten shqiptarë.
Gjenevë, 18.01. 2026
Nexhmije Mehmetaj





