2.7 C
Geneva
Tuesday, January 20, 2026

Raif Ramë Shala – një jetë në mbrojtje të fjalës shqipe

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

(Në kujtim të Raif Ramë Shalës, 08.03.1947 – 12.10.2022)

Edhe pse po i afrohem gati të 67-tave, 1 shtatori i vitit 1970 për mua do të mbetet i paharrueshëm. Takimi im i parë me arsimtarin e Gjuhës Shqipe, Raif Ramë Shala, më kujtohet sikur të kishte ndodhur dje.

Drejtori i atëhershëm i shkollës tetëvjeçare “Meto Bajraktari” në Gllamnik të Podujevës, Shefki Sherif Shala, më shfaqet para syve me një listë në dorë, duke lexuar emrat e nxënësve të klasës V-1.

Përkrah tij qëndronte Selim I. Syla, arsimtar i Matematikës, i cili njëkohësisht ishte caktuar edhe kujdestar i klasës sonë.

Të shoqëruar prej tij dhe të rreshtuar njëri pas tjetrit, u futëm në klasën që ndodhej në anën e majtë të korridorit, ngjitur me sallën e arsimtarëve.

Nuk vonoi shumë dhe para nesh, me ditar në dorë, u shfaq një djalosh trupgjatë, i pashëm dhe plot dinjitet. Na përshëndeti ngrohtë dhe, i buzëqeshur, tha:

“Nxënës të dashur, quhem Raif Shala. Jam nga Podujeva. Këtë vit, së bashku, do ta zhvillojmë lëndën e Gjuhës Shqipe. Të gjithë qenkeni djem sokola e vajza sokolesha.”

Na prezantoi planprogramin në letërsi, morfologji dhe sintaksë. Të gjithë u bëmë sy e veshë kur nisi të shkruante në dërrasën e zezë. Çdo germë dukej sikur e qëndiste; kishte një shkrim të bukur dhe të lexueshëm.

Foli për alfabetin dhe historikun e tij, për Kongresin e Manastirit dhe për burrat e guximshëm që në vitin 1908 i dhanë shqipes 36 shkronjat e saj. Përmendi Pal Engjëllin, Gjon Buzukun, Marin Barletin dhe Naum Veqilharxhin, pastaj vëllezërit Naim e Sami Frashëri, të cilët i quajti bilbilat e fjalës shqipe.

Më pas vazhdoi me Ndre Mjedën, Asdrenin, Andon Zako Çajupin, Faik Konicën, Migjenin, Fan Nolin, si dhe At’ Gjergj Fishtën, të njohur me epitetin Homeri shqiptar. Fatkeqësisht, Fishta ishte i anatemuar në të dyja pjesët e atdheut, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, por arsimtari Raif nuk e harroi.

Zilja ra dhe ora përfundoi. Të gjithëve na u duk se kishte zgjatur vetëm pesë minuta. Me një zë thamë:
“O sa me fat jemi që u bëmë me një arsimtar kaq të mirë!”

Nga arsimtari Raif mësuam se qëndrimi i verbër mbi libra nuk mjafton pa përqendrim, disiplinë dhe logjikë të shëndoshë. Ai na nguliste në mendje njësitë mësimore, sidomos kohët e foljeve, emrat, përemrat dhe ndajfoljet. Me një durim për t’u admiruar, na e sqaronte çdo detaj dhe vazhdimisht përsëriste:

“Pa njohuri të shëndosha gramatikore nuk bëhet as prozë, as poezi. Me to ndërtoni koment letrar dhe shtroni udhën e ideve me margaritarë.”

Ora e Gjuhës Shqipe, nën drejtimin e tij, ishte shndërruar në një kopsht me lule. Me qetësi dhe përkushtim, na bëri të aftë të shkruanim ese dhe të thurnim vargje.

Me rastin e Ditës së Shkollës dhe Festës së Flamurit, recitonim poezitë e rilindësve tanë, si: “Ti, Shqipëri, më jep nder”, “Mëmëdheu”, “Vaji i bilbilit”, “O moj Shqipëri”, “Shko, dallëndyshë!”, “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”, “Sot, gjithë djalëria”, “Syrgjyn vdekur”, e deri te poezia e poetit anglez Xhorxh Gordon Bajron, “Bijtë e shqipes”.

Në gjysmëvjetorin e dytë të klasës së tetë, meqë jetonte në Podujevë, arsimtari Raif kaloi në shkollën tetëvjeçare “Vëllazërim–Bashkim”, tani “Shaban Shala”.

Ndarja me të ishte e dhimbshme. Të gjithë u mallëngjyem dhe qamë. Një nga një na përqafoi, me lot që i rridhnin rrëke nëpër faqe.

Kur më 1 shtator 1974 filluam mësimet në gjimnazin “8 Nëntori” të Podujevës, e takoja shpesh. Ishte i njëjti: plot dashuri dhe respekt. Më pyeste jo vetëm për mësimet, por edhe për vëllain tim Ahmetin, i cili ende i mitur kishte migruar në Austri. Madje më furnizonte edhe me libra të ndryshëm.

Prej tij mora librin “Lahuta e Malcis” të Fishtës dhe librin me poezi të Hil Mosit, “Zani i Atdheut”, që në atë kohë ishin të ndaluara. Përveç dijes, ai kishte mbjellë te ne atdhedashurinë dhe besën.

Gjatë veprimtarisë së tij 40-vjeçare, nxori breza nxënësish të aftë, të cilët shkëlqyen në shkollat e mesme dhe në fakultete. U nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, pikërisht kur duhej të shijonte frytet e punës së tij dhe çlirimin e Kosovës.

Në vitet ’90, kur shkollave shqipe pushteti serb ua kishte vënë drynin, ai e kreu me përkushtim detyrën e sekretarit të LAPSH-it, dega në Podujevë.

Më 25 gusht 1991, me qëllim që të motivonte mësuesit, arsimtarët dhe nxënësit llapjanë që të qëndronin dhe të mos dorëzoheshin përballë armikut, z. Raif Ramë Shala, i shoqëruar nga ish-nxënësi i tij, Arif Ejupi, veprimtar i LDK-së, mbajti një tubim me banorët e Vendenisit, në ambientet e punëtorisë së vëllezërve Rifat dhe Rrahman Ejupi.

Secili, i vetëdijshëm se mosmbajtja e mësimit në gjuhën shqipe çonte në analfabetizëm të përgjithshëm, pa hezitim jepte kontributin e tij, qoftë edhe me 5 (pesë) marka gjermane.

Ky ishte edhe takimi ynë i fundit me arsimtarin Raif. Kur u takuam sërish, pas 16 vjetësh, u përqafuam me një mall të papërshkrueshëm. Evokuam kujtime nga vitet ’70, përmendëm të gjallë e të vdekur, pa e ditur se ai ishte takimi ynë i fundit.

Lajmin e vdekjes së arsimtarit Raif Shala ma kumtoi zonja Anita Hazir Haziri, ish-nxënëse dhe kolege e tij. Madje m’i përcolli edhe disa fotografi ku shihej arsimtari Raif Shala me nxënësit e tij.

Pas këtij lajmi pikëllues dhe të dhembshëm, kontaktova edhe mësuesin tim të parë, Sabri Raçi, i cili po ashtu është skalitur thellë në shpirtin dhe në zemrën time. Ai më foli gjatë, e me respekt të veçantë, për punën e ndritur të Raif Shalës, me të cilin kishte punuar plot katër dekada.

Arsimtari Raif dhe mësuesi Sabri ishin njerëz të fjalës dhe të besës së pashkelur. Ata ishin busull orientimi për ne, sepse na edukuan dhe na pajisën me njohuri të shëndosha të gjuhës shqipe, të cilën gjithmonë e quajtën: “Themel të Atdheut dhe Kombit.”

ARIF EJUPI
Gjenevë, 19 janar 2026

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img