NE DHE ATA

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

(Poemë liriko-epike kushtuar minatorëve të Trepçës)

Ne,
me durim e urtësi, nëpër dekada
kemi gjurmuar
në çdo damar të nëntokës
së Stantërgut, Hajvalisë, Artanës dhe Goleshit.

Me duar të përgjakura,
buzë të shkrumbuara
e fytyra të nxira katran
nga pluhuri, bloza e balta,
kemi ushqyer djajtë e kuq.

Ne,
me litarët e lidhur në bel
dhe vdekjen më afër
se këmisha në trup,
kemi jetuar
në zgafellet e errëta
si zogjtë në kafaz.

Ne,
që jemi flijuar për të tjerët,
jemi trajtuar
si skllevër të damkosur.

Ata,
që na kanë shfrytëzuar deri në palcë,
na kanë ofenduar
e denigruar.

Ata
na kanë mbajtur
shtatë ditë e shtatë net
të ngujuar si kafshët në thark,
pa ngrënë
e pa pirë.

Ata
e kanë përgjakur Kosovën,
e ne jemi munduar
t’ia ruajmë fytyrën
dhe t’ia pastrojmë plagët.

Me llambën e Diogjenit në ballë
e kazmën në duar,
kemi shkruar
në çdo shkëmb e gur
historinë e Kosovës.

Të 1300,
aq sa ishim,
prej thellësive 900 metërshe të nëntokës,
i kemi thirrur
lirisë së Kosovës.

Ata,
që na pinë gjakun
e na gërryen edhe kockat,
të dëshpëruar me ne,
na burgosën,
na rrahën,
na përzunë
pa rroba në trup
nga vendet tona të punës;
menduan
se na shuan fare.

Por ata harruan
se ne,
me urtësi e dinjitet,
u bëmë
roje e Atdheut.

Ata,
të turpit.
Ne,
të së vërtetës.
Ata,
të shkatërrimit të vetvetes.

Minatorë të Stantërgut,
Hajvalisë, Artanës dhe Goleshit —
rrënjë, trung dhe fryt
i pemës komb,
heroizmi juaj
u kujtoftë
për jetë e mot!

Arif Ejupi
Gjenevë, 20 shkurt 2026

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img