Zona e Karadakut më 1999: ekuilibri i frikës dhe thyerja e mitit të paprekshmërisë së forcave ushtarake e paramilitare serbe

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Prilli i vitit 1999 shënon kapitullin më të përgjakshëm të historisë moderne të Kosovës. Ndërsa makineria vrastare e Sllobodan Millosheviqit vepronte me egërsi sistematike në mbarë vendin, rajoni i Anamoravës, Zhegocit dhe Karadakut paraqet një rast të veçantë studimor për historianët dhe analistët strategjikë të luftës. Këto rajone, gjatë luftës së UÇK-së, ishin pjesë e Zonës Operative të Karadakut, që përfshinte komunat e Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës.

Nga të dhënat e raporteve publike dhe nga kronologjia e ngjarjeve, vërehet se pas mesit të prillit 1999 intensiteti i masakrave masive në këtë zonë pësoi një rënie të dukshme. Sipas vlerësimit të autorit të këtyre rreshtave, kjo u diktua nga tre faktorë kyç:

Rezistenca e armatosur e UÇK-së në Betejën e Zhegocit;

Prania e dendur e popullatës civile serbe, si në fshatra të përziera, ashtu edhe në fshatra të banuara vetëm nga serbë;

Afërsia me trekëndëshin kufitar Kosovë–Serbi–Maqedoni.

Beteja e Zhegocit: pika e kthesës më 15 prill 1999

Deri në mesin e prillit, forcat serbe në këto vise vepronin me komoditetin e një force që nuk haste në rezistencë frontale. Ato dëbuan, plaçkitën dhe vranë civilë të paarmatosur në tri komunat përkatëse: në Smirë më 5 prill, në Tërstenik më 6 prill, në Lladovë më 5 dhe 6 prill, në Pozharan më 14 dhe 15 prill, në Gjylekar më 15 prill, si dhe gjatë valës së parë të vrasjeve në Llashticë rreth datës 13 prill. Po ashtu, një nga ngjarjet më të rënda ishte marrja peng e 50–60 të rinjve, pas dëbimit të popullatës së pambrojtur dhe vrasjes së shumë civilëve më 10 prill 1999 në Bresalc, fshat përmes të cilit bëheshin grumbullimet logjistike dhe përqendrimi i forcave para nisjes drejt Zhegocit e Marecit.

Kjo periudhë, në të tri komunat, u karakterizua nga dëbime masive dhe krime mizore. Megjithatë, fokusi i këtij shkrimi nuk është përfshirja kronologjike e të gjitha masakrave, vrasjeve dhe plaçkitjeve në këto vise.

Më 15 prill 1999, kodrat e Zhegocit u kthyen në skenën e një prej ballafaqimeve më të ashpra të luftës në Kosovë. Sipas vlerësimeve të njohësve ushtarakë, gjatë kësaj beteje Serbia angazhoi, brenda një dite të vetme, një përqendrim të jashtëzakonshëm të forcave të gjalla dhe të teknikës ushtarake. Beteja e Zhegocit nuk ishte thjesht një përballje ushtarake; ajo ishte një kushtrim i fuqishëm i ushtarëve të UÇK-së në këtë rajon dhe një zotim se ekspeditat vrastare të forcave okupuese mbi popullatën civile nuk do të kalonin më pa kosto për ushtrinë, policinë dhe paramilitarët serbë.

Ajo që në historiografinë tonë njihet si Beteja e Zhegocit nuk ishte vetëm një përplasje frontale mes UÇK-së dhe forcave pushtuese, por një akt i lartë sakrifice që shpëtoi mijëra jetë civile në rajonin e Zhegocit, Anamoravës dhe Karadakut.

Pas luftimeve të ashpra, me epiqendër udhëkryqin te Hanet e Zhegocit dhe pika të tjera taktike, rezistenca e tërëditore  bëri të mundur tërheqjen e sigurt të popullatës së përqendruar në Zhegoc dhe në fshatrat përreth. Megjithatë, në këtë datë ranë tetë dëshmorë dhe shumë martirë. Jehona e kësaj beteje e detyroi ushtrinë dhe policinë serbe të ndryshonin qasjen e tyre ushtarake e paramilitare. Ata nuk po përballeshin më vetëm me civilë të pambrojtur, por me një front të hapur që kërcënonte linjat e tyre të furnizimit, pozicionimit dhe kontrollit territorial.

Kjo rezistencë shërbeu si një barrierë mbrojtëse, edhe psikologjike, për fshatrat e rrafshit të Anamoravës, Karadakut dhe Zhegocit, duke e detyruar komandën serbe të përqendrohej në luftën frontale, në vend të operacioneve të pastrimit etnik “shtëpi më shtëpi”.

Faktori demografik dhe ndryshimet taktike të armikut

Një element tjetër që duhet nxjerrë në dritë është konteksti unik demografik i Anamoravës. Ndryshe nga rajone si Drenica apo Dukagjini, ku fshatrat ishin kryesisht homogjene, Anamorava kishte një ndërthurje më të lartë të popullsisë shqiptare dhe serbe.

Pas 15 prillit 1999, me shfaqjen e organizuar dhe rezistencën titanike të UÇK-së në Betejën e Zhegocit, armiku u detyrua të bënte rivlerësime strategjike. Përballë një qëndrese të tillë, pavarësisht epërsisë ekstreme të forcave elite ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, ai nisi të shpërndahej në njësi më të vogla dhe të shmangte ballafaqimin e drejtpërdrejtë me njësitet e UÇK-së.

Kjo betejë krijoi frikë dhe pasiguri te forcat armike. Ky faktor, ndonëse nuk e ndali dhunën, e transformoi atë. Qëndresa e pamposhtur e ushtarëve të UÇK-së në Zhegoc u bë pengesa kryesore që parandaloi depërtimin e forcave serbe drejt zonave më të dendura me banorë. Pa këtë rezistencë, fati i popullatës civile në fshatrat rrëzë malësisë do të ishte i ngjashëm me tragjeditë më të mëdha të atij viti.

UÇK-ja shërbeu si një “digë” morale dhe fizike, duke u dhënë kohë mijëra të dëbuarve, që kishin gjetur strehë në ato gryka, të tërhiqeshin drejt zonave më të sigurta. Pas 15 prillit, të dhënat e kohës tregojnë se krimet u zhvendosën nga masakrat masive drejt vrasjeve selektive, plaçkitjeve dhe dëbimeve sistematike në drejtim të kufirit me Maqedoninë. 

Një digë rezistence me impakt rajonal

Rezistenca heroike e UÇK-së në Zhegoc shkatërroi planin serb për një spastrim të shpejtë etnik të Anamoravës, duke u bërë mburojë jetike për mijëra civilë dhe duke e detyruar armikun të konsumonte burime të mëdha ushtarake në një terren të thyer.

Për shkak të pozitës strategjike në Karadak, kjo betejë jo vetëm që pengoi kontrollin e armikut mbi korridoret kyçe kufitare, por shërbeu edhe si një paralajmërim real për mundësinë e zgjerimit të konfliktit drejt Serbisë jugore dhe Maqedonisë. Ky “efekt domino” i rezistencës dëshmoi se lufta çlirimtare nuk ishte thjesht një vatër lokale, por një lëvizje që kërcënonte stabilitetin e forcave serbe në të gjithë trekufirin, duke e kthyer këtë zonë në një bastion të pathyeshëm që frymëzoi edhe qendra të tjera të rezistencës mbarëshqiptare.

Dëshmia e Llashticës

Ndonëse intensiteti i dhunës ra, barbaria nuk u zhduk. Rasti i Llashticës më 30 prill 1999, ku u ekzekutuan 13 civilë brenda një shtëpie, përfshirë foshnjën trejavëshe Lirim Shabani, mbetet një njollë e pashlyeshme. Megjithatë, kjo ngjarje shihet më shumë si një akt dëshpërimi dhe përpjekjeje për fshehjen e gjurmëve, siç dëshmohet nga përdorimi i buldozerëve për të rrënuar shtëpinë mbi viktimat, sesa si pjesë e një ofensive të re të hapur.

Paranoja serbe dhe arsenali i paprecedent

Siç u tha më lart, një element specifik i kësaj zone ishte demografia. Pikërisht kjo paranojë i shtyu forcat serbe që, brenda një dite të vetme, të angazhonin një arsenal që rrallëherë është parë në zona të tjera gjatë gjithë luftës:

artileri të rëndë, me granatime masive që synonin rrafshimin e çdo pike rezistence;

teknikë të blinduar, përfshirë një numër rekord tankesh dhe mjetesh të rënda brenda 24 orëve;

këmbësori speciale, me mijëra trupa të angazhuar në një sulm frontal për të thyer mbrojtjen shqiptare.

Nga harresa në histori

Është detyrë e institucioneve tona arsimore dhe shkencore që Betejën e Zhegocit ta trajtojnë me seriozitetin që meriton. Kjo ngjarje duhet ta zërë vendin e saj në tekstet shkollore të historisë, jo vetëm si kronikë lufte, por edhe si shembull i trimërisë dhe i gjenialitetit taktik në mbrojtje të popullatës civile.

Një sfidë për studiuesit e rinj

Në fund, kjo mbetet një fushë e hapur për kërkim akademik. Studentët e historisë në nivel masteri apo doktorature duhet ta marrin këtë betejë si temë studimi. Ka ardhur koha që, me metodologji shkencore, duke u mbështetur në arkivat e KMDLNJ-së dhe në dëshmitë e gjalla, të vërtetohen hipotezat mbi rëndësinë strategjike të kësaj pike:

Si arriti Beteja e Zhegocit të bëhej pengesa kryesore e planeve serbe në Anamoravë, Karadak dhe Zhegoc?

Pse u përdor përqendrimi më i madh i forcave të gjalla dhe i arsenalit tokësor pikërisht në këtë zonë?

Në përfundim, mund të thuhet se Anamorava u shpëtoi skenarëve më të zinj të masakrave të tipit të Reçakut, Krushës, Mejës, Izbicës apo Rezallës falë guximit të luftëtarëve në Zhegoc dhe pozitës gjeografike që nuk lejonte krime pa kosto. Ky shkrim le të na kujtojë se liria erdhi përmes një ekuilibri të përgjakshëm, ku lufta e armatosur u bë mburoja e fundit e popullatës civile.

Shënim: Sipas shënimeve të nxjerra nga hulumtimet në internet, në këto komuna, nga 1 janari deri më 15 prill 1999, janë vrarë më shumë civilë sesa nga 16 prilli deri më 10 qershor 1999.

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img