Psikologia Donjeta Loshi-Berisha: “Të kërkosh ndihmë psikologjike nuk është dobësi, por guxim dhe kujdes për veten”

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi. Ajo është edhe ura përmes së cilës shprehim mendimet, ndjenjat, shqetësimet dhe identitetin tonë. Por çfarë ndodh kur fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur atë që ndiejmë?

Për fëmijët dhe të rinjtë që rriten në diasporë, mes dy apo më shumë gjuhëve dhe kulturave, kjo pyetje merr një rëndësi të veçantë. Vështirësitë gjuhësore, presioni shkollor, pritshmëritë familjare dhe sfidat e integrimit mund të ndikojnë në vetëbesimin, marrëdhëniet shoqërore dhe mirëqenien psikologjike.

Por a janë problemet e komunikimit gjithmonë çështje gjuhësore, apo pas tyre mund të fshihen edhe vështirësi emocionale dhe psikologjike? Dhe si mund t’i ndihmojmë fëmijët, të rinjtë, por edhe të rriturit, që të ndihen të kuptuar dhe të pranuar?

Për të biseduar rreth këtyre çështjeve, sot kam biseduar me psikologen shqiptare Donjeta Loshi – Berisha, e cila , është rritur mes dy gjuhëve dhe kulturave dhe ka përfunduar studimet për psikologji në Friburg..

Me Donjeten do të flasim jo vetëm për lidhjen mes gjuhës dhe shëndetit mendor, por edhe për identitetin, familjen, integrimin dhe sfidat emocionale të jetës në diasporë.

NM: Zonja Loshi- Berisha, ju jeni rritur mes dy gjuhëve dhe kulturave. Si e keni përjetuar këtë rrugëtim dhe sa ka ndikuar përvoja juaj personale në vendimin për të studiuar psikologji?

DLB: ë rritesh mes dy gjuhëve dhe dy kulturave ka qenë një përvojë shumë e pasur, por edhe me sfidat e veta. Kultura shqiptare më ka dhënë rrënjët, vlerat dhe ndjenjën e përkatësisë, ndërsa ajo zvicerane ka ndikuar në edukimin dhe formimin tim personal.

Kjo përvojë më ka mësuar të kuptoj perspektiva të ndryshme, të zhvilloj empati dhe të jem më e ndjeshme ndaj sfidave të identitetit dhe integrimit.

Besoj se pikërisht ky rrugëtim ka ndikuar edhe në zgjedhjen time për të studiuar psikologji, pasi gjithmonë më ka interesuar të kuptoj botën e brendshme të njeriut dhe ndikimin e familjes, kulturës dhe mjedisit në zhvillimin e tij.

Sot, të qenit pjesë e dy kulturave e konsideroj një pasuri që më ndihmon si në jetën personale, ashtu edhe në profesionin tim.

N;M: Çfarë të frymëzoi të zgjidhje psikologjinë si profesion dhe cilat kanë qenë sfidat më të mëdha gjatë shkollimit dhe formimit tënd profesional?

Që në moshë të re kam pasur dëshirë të kuptoj njeriun, emocionet dhe sjelljet e tij. Gjithmonë kam besuar se, përpara se ta gjykojmë dikë, duhet të përpiqemi ta kuptojmë. Kjo prirje për të dëgjuar dhe për të ndihmuar të tjerët më orientoi natyrshëm drejt psikologjisë dhe shkencave të edukimit.

Studimet universitare dhe angazhimi në punë vullnetare më ndihmuan të lidh teorinë me praktikën, duke më hapur rrugën drejt profesionit që ushtroj prej 14 vitesh si psikologe këshilluese për orientim shkollor dhe profesional në Kantonin e Juras,

Sfida ime më e madhe ishte fillimi i shkollimit në Zvicër, për shkak të njohurive të kufizuara të gjuhës frënge. Megjithatë, kjo përvojë më mësoi se me këmbëngulje dhe përkushtim, vështirësitë mund të shndërrohen në forcë dhe mundësi për t’u zhvilluar.

NM: Sot punon si psikologe në COSP dhe njëkohësisht ke hapur kabinetin tënd të psikologjisë, PsyEduca, në Alle- -Jura. Si lindi ideja për këtë iniciativë dhe çfarë kuptimi ka për ty kjo arritje?

D.B: Hapja e kabinetit tim privat, PsyEduca, në Alle, është fryt i përvojës sime shumëvjeçare dhe i dëshirës për ta zgjeruar kontributin tim profesional përtej punës institucionale në COSP.

Për mua, kjo arritje është jo vetëm një hap i rëndësishëm profesional, por edhe një angazhim njerëzor për të krijuar një hapësirë ku individët dhe familjet ndihen të dëgjuar, të kuptuar dhe të mbështetur pa paragjykime.

Një vend të veçantë zë komuniteti shqiptar në diasporë, sfidat gjuhësore dhe kulturore të të cilit i njoh nga afër. Përmes konsultimeve në kabinet dhe online, synoj të ofroj mbështetje psikologjike sa më të qasshme, edhe në gjuhën shqipe.

NM: Cilat janë shërbimet kryesore që ofron në kabinetin tënd dhe si mund të përfitojnë prej tyre fëmijët, të rinjtë, të rriturit dhe familjet shqiptare në Zvicër?

D.B PsyEduca është një hapësirë këshillimi dhe mbështetjeje psikologjike për fëmijë, të rinj, të rritur dhe familje.

Shërbimet përfshijnë menaxhimin e stresit dhe ankthit, marrëdhëniet familjare, prindërimin, zhvillimin personal, orientimin shkollor e profesional, si dhe sfidat e migrimit dhe integrimit.

Konsultimet ofrohen drejtpërdrejt në kabinetin tim dhe përmes internetit në largësi edhe në gjuhën shqipe.

Për më shumë informacione: www.psyeduca.ch

NM: Një nga synimet e tuaja është të ofrosh mbështetje psikologjike në gjuhën shqipe. Sa e rëndësishme është që shqiptarët në diasporë të kenë mundësi t’i shprehin shqetësimet dhe vështirësitë e tyre emocionale në gjuhën amtare?

Gjuha amtare nuk është vetëm mjet komunikimi, por edhe gjuhë e emocioneve, kujtimeve dhe përjetimeve tona më të thella.

Për shqiptarët në diasporë, mundësia për të shprehur shqetësimet në gjuhën shqipe krijon ndjenjë sigurie, afërsie dhe besimi.

Po aq i rëndësishëm është edhe kuptimi i kulturës dhe sfidave të jetesës mes dy shoqërive. Shumë familje dhe të rinj shqiptarë përballen me vështirësi integrimi, dilema identitare dhe dallime ndërmjet brezave.

Prandaj, synimi im është të ofroj një hapësirë ku secili ndihet i dëgjuar, i kuptuar dhe i mbështetur, si në aspektin gjuhësor, ashtu edhe në atë kulturor.

NM: Nga këndvështrimi yt profesional, cilat janë sfidat më të shpeshta psikologjike dhe emocionale me të cilat përballen familjet shqiptare që jetojnë mes dy kulturave?

D.B: Familjet shqiptare në diasporë dallohen për qëndresën, sakrificat dhe përkushtimin në ruajtjen e identitetit të tyre.

Megjithatë, jeta mes dy kulturave sjell sfida, sidomos në edukimin e fëmijëve, orientimin shkollor e profesional, komunikimin ndërmjet brezave dhe përballimin e stresit të përditshëm.

Më gëzon fakti që gjithnjë e më shumë shqiptarë po kërkojnë mbështetje psikologjike, duke kuptuar se të kërkosh ndihmë nuk është dobësi, por shenjë guximi dhe përgjegjësie ndaj vetes dhe familjes.

NM: Në shoqërinë tonë, problemet e shëndetit mendor shpesh vazhdojnë të trajtohen me paragjykime ose heshtje. Si mund ta ndryshojmë këtë mendësi dhe t’i inkurajojmë njerëzit të kërkojnë ndihmë profesionale pa frikë dhe pa turp?

D.B: Ndryshimi i mendësisë fillon duke folur hapur dhe pa paragjykime për shëndetin mendor. Fatmirësisht, gjithnjë e më shumë njerëz po kuptojnë se mirëqenia psikologjike është po aq e rëndësishme sa shëndeti fizik.

Më gëzon fakti që edhe prindërit po kërkojnë këshillim për të përmirësuar komunikimin dhe edukimin e fëmijëve.

Duhet të vazhdojmë të informojmë dhe të krijojmë një mjedis mirëkuptimi, ku askush të mos ndihet i turpëruar të kërkojë ndihmë. Të kërkosh mbështetje profesionale nuk është dobësi, por shenjë guximi dhe kujdesi për veten.

N.M: Shumë prindër shqiptarë në Zvicër përballen me sfidën e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare, ndërkohë që fëmijët e tyre rriten në një shoqëri shumëkulturore. Çfarë këshillash do t’u jepje këtyre prindërve?

Si psikologe dhe nënë e dy vajzave, besoj se edukimi i fëmijëve mes dy kulturave kërkon dashuri, mirëkuptim dhe bashkëpunim të ngushtë mes prindërve. Është e rëndësishme që ata të kenë një qëndrim të përbashkët për edukimin dhe vlerat që dëshirojnë t’ua përcjellin fëmijëve.

Gjuha, traditat dhe kultura shqiptare duhet të përcillen me dashuri, jo me presion. Fëmijët nuk duhet të ndihen të detyruar të zgjedhin mes dy kulturave, por të marrin më të mirën prej tyre.

Rrënjët tona duhet të jenë burim force, jo pengesë për të ardhmen. Synimi ynë është të rrisim fëmijë të sigurt, të ekuilibruar dhe krenarë për origjinën e tyre.

NM: Si e vlerëson rolin e gruas shqiptare në diasporë dhe çfarë mesazhi do t’u përcillje vajzave të reja që ëndërrojnë të shkollohen, të bëhen të pavarura dhe të ndërtojnë një karrierë të suksesshme?

D.B: Gruaja shqiptare në diasporë është simbol i forcës, përkushtimit dhe përshtatjes. Shumë gra shqiptare kontribuojnë me sukses në fusha të ndryshme të shoqërisë zvicerane, duke kapërcyer sfida gjuhësore e kulturore.

Vajzave të reja do t’u këshilloja të investojnë në arsimim, të besojnë në aftësitë e tyre dhe të ndjekin ëndrrat pa u kufizuar nga pritshmëritë e të tjerëve. Suksesi nuk do të thotë të jesh e përsosur në çdo rol, por të ndërtosh jetën që dëshiron, duke mos harruar kujdesin për veten.

Një vajzë e arsimuar nuk ndërton vetëm të ardhmen e saj, por hap rrugë edhe për brezat që vijnë.

NM:. Duke qenë se kjo intervistë na bashkon përsëri, këtë herë jo në klasën e gjuhës shqipe, por në një bisedë për arritjet e tua, do të doja të të pyesja: çfarë kujtimesh ruan nga vitet e shkollës dhe çfarë ndikimi kanë pasur mësuesit në formimin tënd personal dhe profesional?

D.B: Vitet e shkollës shqipe mbeten ndër kujtimet më të bukura të fëmijërisë sime. Ajo ishte më shumë se një shkollë: ishte një copëz atdheu, ku mësuam gjuhën, historinë, kulturën dhe ruajtëm lidhjen me rrënjët tona.

E nderuara mësuese, përkushtimi Juaj ka lënë gjurmë të veçanta në formimin tim. Përmes veprimtarive kulturore, recitimeve dhe moderimit të programeve festive, më ndihmuat të zhvilloja vetëbesimin dhe guximin për të folur para publikut.

Ruaj me dashuri edhe takimin me poetin Agim Shehu, të cilin e kishit ftuar në shkollën tonë.

Sot, me mirënjohje të thellë, mund të them se mësuesit e vërtetë nuk na mësojnë vetëm dije, por na ndihmojnë të besojmë në veten tonë. Ju keni qenë një figurë e tillë në jetën time.

NM: Cilat janë synimet dhe ëndrrat e tua për të ardhmen? Si e sheh zhvillimin e PsyEduca-s dhe kontributin që dëshiron të japësh për komunitetin shqiptar në Zvicër?

D.B: Synimi im është që PsyEduca të zhvillohet si një hapësirë e besueshme dhe e qasshme për këshillim dhe mbështetje psikologjike, veçanërisht për komunitetin shqiptar në Zvicër.

Përmes konsultimeve në kabinet dhe online, dëshiroj të ndihmoj individët dhe familjet në përballimin e sfidave emocionale, përnderimit, marrëdhënieve familjare dhe orientimit shkollor e profesional.

Mbi të gjitha, dua të kontribuoj në ndërgjegjësimin për rëndësinë e shëndetit mendor dhe në kapërcimin e paragjykimeve.

Nëse puna ime ndihmon qoftë edhe një individ apo familje të gjejë më shumë mirëkuptim, qetësi dhe besim në vetvete, atëherë misioni im ka marrë kuptim.

NM: Në përfundim të kësaj bisede, çfarë mesazhi do t’u përcillje familjeve shqiptare në diasporë, veçanërisht atyre që përballen me vështirësi emocionale, por ende hezitojnë të kërkojnë mbështetje psikologjike?

D.B: Mesazhi im për familjet shqiptare është të mos i mbajnë vështirësitë emocionale në heshtje. Të gjithë përballemi me sfida dhe nuk është e nevojshme t’i kalojmë vetëm.

Të kërkosh ndihmë psikologjike nuk është dobësi, por guxim dhe kujdes për veten. Sot kemi profesionistë shqiptarë në diasporë që ofrojnë mbështetje edhe në gjuhën amtare.

Nuk mund t’i zgjedhim gjithmonë vështirësitë e jetës, por mund të zgjedhim të mos përballemi vetëm me to.

Të falënderoj për këtë bisedë të ngrohtë dhe domethënëse. Si ish-mësuesja jote, ndiej krenari të veçantë që sot të shoh si një profesioniste të përkushtuar, e cila dijen dhe përvojën e saj i vë në shërbim të njerëzve dhe komunitetit shqiptar.

Rrugëtimi yt është një shembull frymëzues për brezat e rinj, se me arsimim, punë dhe këmbëngulje ëndrrat mund të bëhen realitet.

Të uroj nga zemra shëndet, suksese dhe mbarësi në misionin tënd fisnik dhe në zhvillimin e PsyEduca-s!

Nexhmije Mehmetaj 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img