Faktorët joekonomikë nuk duhet të ndikojnë në marrëdhëniet e qëndrueshme ekonomike mes Kosovës dhe Turqisë, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë të Odës Tregtare Kosovare-Turke.
“Pavarësisht faktorëve të tjerë, midis Kosovës dhe Turqisë janë duke u zhvilluar marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike. Shpresojmë se këto marrëdhënie të forta ekonomike nuk do të ndikohen nga faktorë joekonomikë”, thuhet në përgjigje.
Përgjigjja pason deklarimet e mëhershme të Ambasada turke në Prishtinë, ku kanë thënë se Turqia e kundërshton hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem të Izraelit.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan më 25 mars i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të rishikojë çështjen e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Turqia vazhdon të mbetet një ndër partneret më të mëdha tregtare, me prezencë të investimeve direkt dhe importit të produkteve në Kosovë.
Mbi 435 milionë euro investime, zero remitenca
Vlera e investimeve në 15 vjetët e fundit nga shteti i Turqisë në Kosovë arritën në mbi 435.6 milionë euro, thuhet në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës. Kurse nga ky shtet nuk ka remitenca.
Kompania “Infinit”, që gjendet në qytetin e Prizrenit, importon ujë me shije të ndryshme si dhe pije alkoolike dhe joalkoolike nga shteti i Turqisë. Mentor Çollaku, menaxher i marketingut në këtë kompani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se kanë marrëdhënie të mira me kompanitë turke.
“Ne do të vazhdojmë biznesin, nuk kemi hasur në ndonjë problem në aspektin ekonomik. Produktet turke janë të kërkuara në tregun vendor”, tha ai.
Gjatë dy vjetëve të fundit (2019-2020), rreth 840 milionë euro ka arritur vlera e mallrave të importuara nga shteti i Turqisë në Kosovë. Ndërkaq, Kosova në Turqi ka eksportuar rreth 20 milionë euro.
Turqia, partnere strategjike e Kosovës
Edhe profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu shprehet se Turqia ka qenë, është dhe duhet të jetë partnere strategjike e Kosovës me një qasje pozitive. Kosova, thotë ai, është produkt i diplomacisë ndërkombëtare dhe në këtë drejtim Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane kanë dhënë kontribut të pakontestuar në formimin dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ku nuk duhet të mohohet edhe kontributi i Turqisë, dhënë në forma të ndryshme.
Shteti i Turqisë është një ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008.
Kosova zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Jerusalem, më 14 mars. Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem u parapa në Marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.