Emërohen ambasadorët e rinj: Kosova tani po i pret pëlqimet e shteteve pritëse.
Kanë kaluar më shumë se pesë muaj që nga koha kur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i ka propozuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që të lirojë nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës të cilët ishin emëruar politikisht.
Në mungesë të tyre, pra të ambasadorëve nëpër ambasadat e Kosovës, sipas Ligjit ata u zëvendësuan nga diplomat tjetër me rangun më të lartë me shërbim në atë mision diplomatik, i cili merr detyrën e të ngarkuarit të përkohshëm me punë (Chargé d’Affaires ad interim).
Megjithatë, të ngarkuarit me punë, pavarësisht nëse mbajnë gradën e ambasadorit, nuk janë të akredituar tek Kreu i Shtetit, prandaj edhe tërheqja e ambasadorit konsiderohet ulje e përfaqësimit në nivel të ngarkuarit me punë.
12 ambasadorët të cilat janë shkarkuar me këtë rast nga Ministria e Punëve të Jashtme janë: Nait Hasani — Shqipëri, Gjergj Dedaj — Maqedoni e Veriut, Ylber Hysa — Mal i Zi, Shpend Kallaba — Hungari, Arbër Vllahiu — Çeki, Gëzim Kasapolli — Koraci, Avni Kastrati — Slloveni, Beqë Cufaj — Gjermani, Lirim Grajqevci — Holandë, Hajdin Abazi — Australi, Amir Ahmeti — Katar dhe Avni Arifi — Emiratet e Bashkuara Arabe.
Lidhur me këtë çështje afro gjashtë muaj më pas, Ministria e Punëve të Jashtme ka deklaruar për lajmi.net se janë përfunduar të gjitha procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj.
Poashtu ndër të tjerash është theksuar se aktualisht ndodhen në fazën e pritjes së pëlqimeve nga shtetet pritëse për emrat e ambasadorëve të rinj që do të përfaqësojnë diplomacinë kosovare në vendet e huaja.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka përfunduar të gjitha procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj. Aktualisht ndodhemi në fazën e pritjes së pëlqimeve nga shtetet pritëse”, u tha në përgjigjen e MPJD-së për lajmi.net.
Gjithashtu është thënë se pasi të përfundoj ky proces i rregullt, MPJD-ja do ta informoj opinionin publik për të gjitha detajet.
Ndryshe muaj më parë është raportuar se Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës pati dërguar disa emra tek presidentja e vendit, Vjosa Osmani lidhur me emërimin si ambasadorë të Kosovës jashtë vendit, por që kjo e fundit ka kundërshtuar ata.
Kësisoj në mos-pajtim të emrave të propozuar në mes MPJD-së dhe presidentes Osmani pati edhe më tepër vonesa lidhur me këto emërime.
Për shkarkimin e ambasadorëve në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Hungari e vende të tjera pati reagime të shumta nga opozita, por edhe nga vetë ish-përfaqësuesit e Kosovës në diplomacinë e huaj.
Madje kishte ndër ta që edhe refuzonin të tërhiqeshin nga kjo pozitë. Një nga ish-ambasadorët që pati rezistuar më së shumti që të largohet nga pozita të cilën drejtonte për disa kohë ishte edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj.
Kurse në kohën kur mori vendim për shkarkimin e ambasadorëve, Donika Gërvalla pati deklaruar se ky vendim është marrë në përputhje me ligjin dhe se 50 përqind e ambasadorëve do të jenë të karrierës, si dhe 50 përqind politik.
“50 për qind e ambasadorëve tanë do të jenë diplomat të karrierës, konsuj politik nuk ka në qeverinë tonë. Kjo nënkupton që ne me shumë kujdes do të ndërtojmë akademinë tonë diplomatike që diplomatet e karrierës do ti përgatis me shumë kujdes. Ndërsa sa i përket atasheve nuk kemi një zgjidhje për secilin, do të kërkojmë zgjidhje individuale duke marrë parasysh specifikat e ati vendi”, pati deklaruar ministrja Gërvalla në Kuvendin e Kosovës.