A do ta votojë LDK-ja Vjosa Osmanin për presidente, flet Anton Quni.
Anton Quni, kandidat për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e brendshme të kësaj partie që do të mbahen më 14 mars ka thënë se vota për presidentin e Kosovës do të diskutohet në organet e partisë pas zgjedhjes së kryetarit të ri
Quni nuk ka komentuar paralajmërimet se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje do të takojë krerët e partive politike lidhur me votimin e presidentit, shkruan lajmi.net.
“Sa i përket raundit të takimeve të z.Kurti, unë nuk komentoj agjendat politike të asnjë politikani”, ka thënë Quni.
Por tutje Quni është shprehur se sa i përket çështjes së votës për zgjedhjen e presidentit, Quni është shprehur se kjo i mbetet strukturave të LDK-së e posaqërisht kryetarit të ri të LDK-së.
Ai thotë se duhet të koordinohet me strukturat përkatëse të partisë vendimi lidhur me qëndrimin që do të merret për presidentin.
Quni thotë se duhet të ketë bashkëpunim të ngushtë me strukturat partiake dhe të vlerësohet situata e që gjithmonë të vihet në plan të parë rëndësia e funksionimit të organeve shtetërore dhe interesi shtetëror.
“Sa i përket raundit të takimeve të z.Kurti, unë nuk komentoj agjendat politike të asnjë politikani. Sa i përket aspekteve tjera lidhur me votimin e Presidentit, apo qëndrimin në sallë, strukturat udhëheqëse të LDK-së e posaqërisht i mbetet detyrë kryetarit të ri të LDK-së, të koordinojë me strukturat përkatëse të partisë që të marrin qëndrimin e tyre. Ky vendim do të merret në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha strukturat partiake, duke vlerësuar situatën momentale dhe çdoherë duke konsideruar rëndësinë e funksionimit të organeve shtetërore dhe interesin shtetëror”, tha Quni për lajmi.net.
Sot, deputetja e zgjedhur e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila që është edhe kryetare e Alternativës po paralajmëron takime të kreut të LVV-së, Albin Kurtit me partitë tjera pikërisht për këtë çështje.
“Zgjedhja e presidentit është obligim kushtetues ligjor për ne të gjithë për arsye se dështimi për të bërë një gjë të tillë e çon Kosovën në një proces zgjedhor. Nuk e besojmë që partitë të cilat kanë marrë pjesë në zgjedhje e shohin si moment të duhur të paktën që të shkohet në zgjedhje natyrisht që pozita dhe zyra e presidentit në këtë rast presidentes paraqet personin e autoritetin unifikues dhe po besoj që mbështetja e madhe që i është dhënë Vjosa Osmanit në këto zgjedhje me personin më të votuar ndonjëherë në Kosovë me 300 mijë vota tregon që për herë të parë arrihet komplet qëllimi i të pasurit një person që ka mbështetje popullore masive siç e ka Vjosa Osmani.”, tha Kusari-Lila sot.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i mbajë zgjedhjet e brendshme për kryetarin e partisë të dielën dhe pritet që kryetari i ri të vendos lidhur me çështjen e presidentit.
Quni është njëra nga pesë kandidaturat tashmë zyrtare për të marrë në udhëheqje partinë pas dorëheqjes së Isa Mustafës nga kjo pozitë si marrje e përgjegjësisë për rezultatin e dobët të LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit ku ka mbetur me vetëm 15 deputetë në Kuvend.