Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një 45 vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale ‘keqpërdorim i fëmijëve në pornografi’.
Policia bën të ditur se personi i arrestuar dyshohet se ka poseduar materiale (foto dhe video) me përmbajtje abuzuese seksuale me fëmijë, transmeton Telegrafi.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar (DHKO), konkretisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, pas pranimit të informatave paraprake dhe hetimeve të zhvilluara kanë identifikuar një person të dyshuar, për të cilin dyshohej se kishte konsumuar veprën penale ‘keqpërdorim i fëmijëve në pornografi’. Hetuesit policorë të DHKO-së, kanë arritur që pas hetimeve dhe lokalizimit të personit të dyshuar: I.G., (viti i lindjes 1976, mashkull kosovar), të njëjtin ta arrestojnë dhe ta intervistojnë në cilësi të të dyshuarit.
Personi i arrestuar dyshohet se ka poseduar materiale (foto dhe video) me përmbajtje abuzuese seksuale me fëmijë. Këto materiale, duke përdorur aplikacione për komunikim online, i ka shkarkuar dhe i ka shpërndarë edhe me persona tjerë. Në cilësi të provave janë sekuestruar një telefon celular dhe një laptop”, thuhet në njoftim.
Policia njofton se me aktvendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje deri në 48 orë.