562 raste aktive me koronavirus, mbi 50 për qind e qytetarëve të Kosovës mbi 16 vjeç të vaksinuar me dy dozat.
Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informon në total numri i rasteve aktive është 562.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve është 157,022, ndërsa nga fillimi i pandemisë kanë vdekur 2,974 persona.
Në 24 orët e fundit janë dhënë 10.185 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.507.657 doza të vaksinës.
Deri më sot 675.582 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Ndryshe, mbi 37 për qind e popullsisë në Kosovë tashmë janë vaksinuar kundër coronavirusit, ndërkaq mbi 50 për qind ka arritur vaksinimi i grupeve të synuara që janë mosha mbi 18 vjeç në vendin tonë.
Kështu ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë përmes një postimi në Facebook, ku po ashtu janë bërë publike edhe të dhënat për të vaksinuarit më një dozë dhe ata me dy doza të vaksinës antiCOVID-19.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në nivel të popullsisë, vaksinimi në Kosovë tashmë ka arritur në mbi 37.9 për qind të vaksinuar plotësisht.
“Për aq kohë sa regjistrohen ende raste të reja të COVID-19, ndryshimi nuk do të vijë nëse nuk punojmë të gjithë së bashku për t’u vaksinuar të gjitha grupet e synuara. Vaksinimi është mbrojtja më e mirë që kemi”, thuhet në këtë njoftim.
Sipas të dhënave të publikuara, 53.5 për qind të grupeve të synuara e që janë të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, mbi moshën 18 vjeçare, tashmë kanë marrë dy dozat e vaksinës anti-COVID, ndërkaq mbi 16-vjeç janë vaksinuar 51 për qind.
Në këto të dhëna thuhet se me një dozë, janë vaksinuar 65.8 për qind.
Ndryshe, gjatë ditës së hënë është konfirmuar vetëm një rast pozitiv me COVID-19.