Bung i Dyzit,
më i fortë se hekuri
dhe çeliku.
Shpata pashallarësh,
krajlash e agallarësh,
u kryqëzuan mbi ty.
Dimra të ashpër
pamëshirshëm t’i rrahën trup e degë.
Por prapë mbete,
ikonë që të njeh i gjithë Llapi.
Nën hijen tënde
mrizuan bagëtia,
e u lanë zanat.
Jusufi dhe Beqiri
u kënduan kreshnikëve.
Mehmeti mësoi kalorësinë.
Nënat përkundën foshnjat
në djep.
Kalimtarët u munduan t’i numërojnë vitet dhe plagët.
Askush s’të di moshën,
por të gjithë thonë: i shenjtë në Llap je.
Bujqit, pas kositjes së livadheve
dhe mihjes së misrit,
drekuan dhe pinë çajin e vluar
me zjarrin e zemrës.
Vashat qëndisën këmishët e nusërisë me shqiponjë.
U fejuan djem e goca.
U pritën krushqit.
U shuan hasmëritë.
Në hijen tënde mbajtën kuvende
çlirimtarët.
U qëndrove rrebesheve ndër shekuj;
shpërblim,
ke lirinë,
me ditë të bardha e net të qeta.
Bung i Dyzit — kandil i lashtësisë dhe epokës së re.
Arif Ejupi
Gjenevë, 27 shkurt 2026





