Në historinë moderne të Kosovës, pak emra ngjallin aq shumë respekt dhe ndjenjë mirënjohjeje sa ai i gjeneral Wesley K. Clark – njeriut që udhëhoqi me urtësi, guxim dhe përkushtim ndërhyrjen humanitare të NATO-s, në pranverën e vitit 1999.
Clark si Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s, në Evropë, udhëhoqi operacionin që i dha fund një regjimi shtypës, ndaloi masakrat e përgjakshme dhe i hapi rrugën lirisë së një populli të tërë.
Falë vizionit të tij strategjik dhe humanizmit të thellë, u shpëtuan qindra mijëra jetë njerëzish, ndërsa mbi një milion të shpërngulur u kthyen në shtëpitë e tyre.
Populli i Kosovës e ruan emrin e tij me nderim të përjetshëm. Clark kudo njihet si gjenerali që solli paqen dhe u bë simbol i ndërhyrjes së drejtë kundër shtypjes së shqiptarëve nga regjimi gjakatar i Millosheviqit.
Gjenerali Wesley Kanne Clark lindi më 23 dhjetor 1944 në Çikago. Në moshë të re u dallua për disiplinë, zgjuarsi dhe pasion për dijen. Në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara – West Point, u diplomua  më 1966, me rezultate të larta.
Më pas, si bursist i famshëm Rhodes Scholar, studioi filozofi, politikë dhe ekonomi në Universitetin e Oksfordit.
Karrierën ushtarake e nisi në Vietnam, ku tregoi heroizëm të rrallë dhe u plagos rëndë në betejë, por në asnjë mënyrë nuk i braktisi ushtarët e tij.
Pas kthimit në SHBA u emërua në detyra të larta strategjike në Pentagon dhe në Këshillin e Përbashkët të Shtabeve, ku kontribuoi në zhvillimin e politikave ushtarake amerikane dhe planeve të paqes ndërkombëtare.
Kurse në vitin 1994 iu besua detyra e Drejtorit të Planeve Strategjike dhe Politikave të Pentagonit, e në vitin 1997 mori komandën më të lartë të Aleancës së Atlantikut të Veriut në Evropë.
Në këtë post historik, gjenerali Clark dëshmoi se forca e një ushtaraku nuk është arma, por humanizmi.
Ai drejtoi fushatën ajrore të NATO-s, kundër Serbisë jo si luftë kundër një populli, por si ndërhyrje për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës nga shfarosja.
Pas 38 vjetësh shërbimi të lavdishëm, u pensionua me gradën më të lartë të ushtrisë amerikane – Gjeneral me katër yje, duke lënë pas një trashëgimi të ndritur në shërbim të paqes dhe njerëzimit.
Pas luftës, Gjenerali Clark vizitoi disa herë Kosovën, ku u prit me nderime të larta nga udhëheqësit e saj.

Sidomos ra në sy dashuria dhe respekti nga populli. Clark asnjëherë nuk shihet si i huaj, por si mik i shtëpisë, si një figurë e afërt që i flet çdo zemre shqiptare me gjuhën e mirësisë dhe të drejtësisë.
Në çdo fshat e qytet të Kosovës, edhe sot emri i tij përmendet me respekt të thellë dhe me ndjenjë përmallimi. Ai mbetet shembulli i një ushtaraku që luftoi jo për lavdi e pushtet, por për paqe, humanizëm dhe barazi.
Sot, kur Kosova ecë drejt integrimeve euroatlantike, gjeneralin Clark secili shqiptar e kujton me kënaqësi dhe mirënjohje deri në përkulje.
Faleminderit, Gjeneral Clark , për paqen, humanizmin dhe lirinë që na sollët! Zoti u bekoftë Ju dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës !
ARIF EJUPI
Gjenevë,30 tetor 2025


 
                                    



