Dalin detaje të reja për shqiptarin e arrestuar për masakrën e Izbicës.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka dhënë sot detaje shtesë lidhur me arrestimin e një personi të dyshuar për krime lufte.
Përmes një komunikatë për media, prokuroria bëri të ditur se është ndaluar një person me inicialet M.A, për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.Poashtu u bë e ditur se i dyshuari në këtë rast është i nacionalitetit shqiptar, shtetas i Republikës së Serbisë, e i cili dyshohet se mori pjesë në masakrën e Izbicës.
I arrestuari në këtë rast sipas burimeve të lajmi.net është Muhamet A. nga fshati Kërrninë e Komunës së Istogut.
I njëjti gjatë kohës për të cilën edhe akuzohet kishte qenë bashkë me policinë serbe, pra ishte pjesëtarë i policisë së Serbisë.
Muhamet A, jeton në Beograd kurse prindërit e tij vazhdojnë të jetojnë në Kosovë. I dyshuari kishte ardhur në Kosovë të dielën në mbrëmje, pas 23 vjetësh.
Madje për kthimin e tij në shtetin e Kosovës me entuziazëm kishin shkruar edhe familjarët, postime të cilat më pas u fshinë.
Me t’u rikthyer në Kosovë pas shumë vitesh i njëjti është arrestuar nga autoritetet kosovare.
Nga Policia e Kosovës deklaruan se të martën është arrestuar një person i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile.
“Fsh. Izbicë, Skenderaj (1998-1999) NN. Me 30.03.2021 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti gjatë kohës së lartë cekur ka kryer veprën penale të lartë cekur. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.
Kurse në njoftimin e sotëm të Prokurorisë Speciale të Kosovës u theksua se i dyshuari në këtë rast do të paraqitet para gjyqtarit të procedurës paraprake brenda afateve ligjore.
Të dielën e 23 marsit janë bërë saktësisht 22 vite nga masakra në Izbicë të Skënderajt, në të cilën dyshohet të ketë qenë pjesëmarrës edhe Muhameti.
Në këtë masakër ishin vrarë gjithsej 150 kosovarë, në mesin e tyre edhe fëmijë, gra e të moshuar.
E gjithë kjo masakër ishte bërë nën akuzën se ishin terroristë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,anipse që të gjithë ishin civil të pambrojtur e të paarmatosur.