fbpx
8.6 C
Geneva
Friday, November 1, 2024

Dekada e dialogut me Serbinë, s’ka shpresë për marrëveshje

Kosova, sipas ambasadorit të Zvicrës në Prishtinë, Thomas Kolly, duhet të kujdeset që në Ministrinë e Punëve të Jashtme të punojnë njerëzit më të mirë.

Gjatë një debati të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) të premten, me temën “Ndikimi i dialogut me Serbinë në politikën e jashtme të Kosovës”, Kolly tha se politika e jashtme ka impakt te secili qytetar i Kosovës.

Ai e sheh dialogu si një prej pjesëve më të rëndësishme të politikës së jashtme.

“Nuk është ministri për energji ose për rregullimin e rrugëve (Infrastrukturë), ku nevojiten shumë para, edhe Ministria e Punëve të Jashtme ka nevojë për shumë para, por janë shumë të rëndësishëm njerëzit që punojnë në këtë ministri. Në këtë kuptim rekrutimi i njerëzve më të mirë, është shumë jetik për këtë ministri”, tha Kolly.

Për ambasadorin Kolly, po ashtu, proces tjetër shumë i rëndësishëm është edhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, që sipas tij, duhet të shpenzohet shumë energji.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka filluar në mars të vitit 2011, që është udhëhequr nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeministri Isa Mustafa.

Në kuadër të këtij dialogu, që nga viti 2011 deri në vitin 2020 janë arritur gjithsej 35 marrëveshje.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha se Qeveria Kurti nuk duhet ta anashkalojë dialogun me Serbinë.

Cakolli tha se është e paqartë periudha kohore kur mund të arrihet një marrëveshje ndërmjet palëve.

“Situata e tanishme nuk duket aspak shpresëdhënëse, sidomos për Kosovën. Në njërën anë kemi në Serbi zëra gjithmonë të shtuar dhe qëndrim se asnjëherë nuk do të ketë njohje të Kosovës dhe, në anën tjetër, në Kosovë kemi anashkalim të paktën deklarativ të kësaj teme dhe kemi polarizim të skajshëm që e ka vënë procesin e dialogut në një statusquo”, tha Cakolli.

Para se të zgjidhet kryeministër i Kosovës për herë të dytë, Albin Kurti, e kishte cilësuar dialogun si “prioritet të katërt” pas pandemisë, punësimit e drejtësisë.

Së fundi, ai ka thënë se nuk do të ketë së shpejti takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kurti, po ashtu, ka thënë se çështja e dialogut nuk duhet ta zëvendësojë as luftimin e pandemisë e as luftën kundër korrupsionit.

Pjesë e këtij debati ishte paraparë të ishte edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, por ajo nuk ishte e pranishme.

 

Pacolli: Nuk kemi pasur diplomaci

Deputetja e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Fitore Pacolli, tha se në qeveritë e kaluara nuk kanë investuar sa duhet në politikën e jashtme.

Sipas saj, politika e brendshme, korrupsioni dhe diplomacia e dobët kanë ndikuar në mossukseset e dialogut dhe politikës së jashtme të Kosovës.

“Ne nuk kemi pasur ambasada të përgatitura që ta shtyjnë tutje agjendën e Kosovës. Ambasadat tona janë udhëhequr nga njerëzit që kanë qenë fytyra politike të partive në pushtet, që në shumicën e rasteve u kanë shërbyer interesave të partive politike që i kanë dërguar atje dhe interesave të tyre private, por jo interesit të shtetit”, tha Pacolli.

Pacolli tha se dialogu me Serbinë, nuk duhet të pengojë zhvillimin e raporteve bilaterale me shtetet, të cilat e kanë njohur Kosovën.

Opozita: Kosova pa politikë të jashtme 

Anëtarët e partive opozitare në Kosovë thonë se qeveria nuk është transparente sa i përket dialogut me Serbinë.

Shqipe Mjekiqi, nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dialogu nuk është nevojë vetëm në rrafshin e përmbushjes së kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por për të ardhmen e vendeve të rajonit.

“Më e rëndësishmja për ne, është se ne e shohim këtë dialog të nevojshëm për të sjellë paqe dhje stabilitet në rajon. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare duhet të sjellë njohjen reciproke të të dyja vendeve dhe, gjithashtu, duke respektuar kufijtë aktualë dhe kushtetutshmërinë ose rregullimin e brendshëm kushtetues të Kosovës”, tha Mjekiqi.

Ndërsa, Bernard Nikaj, sekretar për marrëdhënie me jashtë në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), tha se Kosova nuk ka një politikë të jashtme të koordinuar në drejtim të arritjes së qëllimeve strategjike.

“Ka një kohë të caktuar që politika jonë e jashtme është në një situatë të padefinuar. Integrimi në Bashkimin Evropian është një politikë afatgjate e Republikës së Kosovës. Deri më tani mendoj që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë pjesë e pandashme e rrugës sonë dhe udhëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, tha Nikaj.

Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011.

Së fundi, Komisioni Evropian, përmes Raportit të Progresit, të publikuar më 19 tetor, ftoi Kosovën dhe Serbinë që të kenë një angazhim konstruktiv në dialog dhe që urgjentisht të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve.

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img