Një vit pas dhimbjes për ndarjen nga jeta të shkencëtarit të shquar shqiptar me njohje ndërkombëtare Artan Boricit, dr. Zenepe Dibra na sjell lajmin e mirë, se i biri Dalin Boriçi po ecën i sigurt drejt rrugës së bukur dhe të vështirë të shkencës.
Dalini përfundoi studimet bachelor me Orsejë (Paris) me dy diploma, në matematikë e në fizikë.
Tashmë, i dërguar nga Universiteti Orsej, ai është në vitin e parë të kualifikimit pasuniversitar në Kolegjin Mbretror në Londër (Angli)
Dr. Zenepe Dibra thotë se ecuria e deritashme e tij tregon se Dalini, që ka lindur në Zyrih të Zvicrës dhe është rritur në Tiranë, do të zëvendësojë Artanin. Tashmë familja shkodrane që, siç është quajtur nga mediat, si një qelizë kulturore, pedagogjike e shkencore me Hamidin, prof. dr., Myzejenin, prof. dr., Artanin akademik i asociuar, prof, dr. Mirela (bashkëshortja e Artanit), fizikane, doktore e shkencave dhe Dalini i cili po ecën i sigurt drejt rrugës së bukur dhe të vështirë të shkencës.
Në Shkodër shkencëtarët e këtij niveli si Artan Boriçi janë të rrallë, thotë dr. Dibra ndërsa kujton se e ka kaluar Shkodra një humbje të thellë dhe të madhe në vitin 1984, kur nga një vdekje e parakohshme humbi një nga shkencëtarët e shquar, në fushen e kimisë kuantike, në frontet e para të saj, Besnik Syken, misionarin e parë të suksesshëm të integrimit europian, me një devotshmëri atdhetare.
Dhe vdekja e parakohshme e prof Artan Boriçit, është humbje e madhe jo vetëm për komunitetin shkencor shqiptar dhe ndërkombëtar por edhe për Shkodrën, qytetin ku kishte origjinën ai, prindërit dhe paraardhësit e tij. Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi ka shkruar me plot të drejtë: “Amaneti i tij ishte të prehej në Shkodrën e tij, që e deshi dhe me të cilën krenohej në çdo hap të jetës, brenda dhe jashtë Shqipërisë.”
Ai kishte lindur dhe ishte rritur në Tiranë por ambienti familjar ku u rrit ishte krejtësisht shkodran me baben e nderuar prof. Hamid Boriçin, me nanen e shquar nga familja Bushati, Prof. Myzejen Boriçi, të cilët e edukuan jo vetëm me traditat më të mira shqiptare por edhe me lavditë e Shkodrës në të gjitha fushat. Ai u rrit me historitë shkodrane por në mënyrë të veçantë me kontributet dhe meritat e fisit të tij. Prandaj ai donte të prehej në tokën ku lindi edhe Daut Boriçi-personalitet i shquar i historisë, kulturës dhe i arsimit shqiptar, një nga rilindasit e shquar shqiptar, klerik përparimtar, Mësues i Popullit, hartuesit të tekstesve shkollore, dijetarit në fushën e arsimit, të gjuhësisë shqipe, të kultures dhe të edukatës qytetare, organizatorit e drejtuesit politik në mbrojtje të kauzës kombëtare; Ahmet Boriçi- Personalitet me kontribute në fushën e financave dhe ekonomisë, nismëtari i ngritjes së doganave shqiptare, Adem Ef. Boriçi (gjyshi i babait Hamid), juristit të mirënjohur, njëheri një nga anëtarët e parë të këshillit të Bashkisë së Shkodrës në themelim të saj në vitin 1913, si edhe shumë personalitete të tjerë të këtij fisi lavdiplotë, që kanë dhënë kaq shumë kontribute në disa fusha të zhvillimit ekonomik, arsimor e shoqëror të Shkodrës.
Dr.Dibra thotë se ne si shkodranë nuk e kishim njohur këtë anë të prof. Artan Boriçit; nuk e kishim ditur se sa shumë ai e kishte dashur Shkodrën, sa veneracion, dashuri dhe vlerësim kishte për te por vetëm amaneti në momentet e fundit të jetës, do të zbulonte se çfarë kishte ndjerë për këtë qytet të të pareve të tij. Ne e njihnim dhe e dinim se babai i tij, prof. Hamid Boriçi, ishte një nga gazetarët e njohur edhe tej Shkodrës e Tiranës, një nga themeluesit e të pares shkollë shqiptare, të gazetarisë që në vjeshtën e vititi 1964, pedagog i saj pa ndërprerje për më shumë se një gjysëm shekulli, projektues edhe i Degës së Gazetarisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Hamid Boriçi, që nga viti 2005 është Anëtar Nderi i Unionit të Gazetarëve të Veriut. Po ashtu dihet se nëna e Artanit, inxhiniere klimatologe, Prof. Dr. Myzejen (Bushati) Boriçi, dy herë laurate e Çmimit “Republika”, është nga dera e fisme e Bushatlinjve të mëdhej të Shkodrës.
Po kush ishte Akademiku prof. Dr Artan Boriçi që iu shtua panteonit të shkencëtarëve të shquar shqiptarë ?
Lindi në Tiranë më 1965 ku kreu shkollën 8-vjecare “Emin Duraku”, gjimnazin “Qemal Stafa” dhe u diplomua “Fizikan” në Universitetin e Tiranës. Gjatë viteve 1993-1996 kreu studimet pasuniversitare në Politeknikumin Federal të Zvicrës në Zyrih, Zvicër. Në vitet 1996-2003 mbajti pozicione, si kërkues shkencor në Institutin Kombëtar Zviceran “Paul Scherrer”, në Politeknumin Federal të Zvicrës dhe në Universitetin e Edinburgut, etj. Në vitin 2003 është kthyer në Shqipëri për të vijuar punën e pedagogut-kërkuesit shkencor, të nisur në dhjetor 1988 në Katedrën e Fizikës. Që prej vitit 2012 ai është në krye të Grupit të Fizikës Llogaritëse. Ndërkohë ka vazhduar pareshtur të bashkëpunojë me institucione shkencore ndërkombëtare si CERN-i (Qendra Evropiane për Kërkime Bërthamore) dhe Qendrën Evropiane të Supërllogaritjeve në Jylih të Gjermanisë.
Prof. Artani ishte projektues si dhe organizatori i Konferencave Ndërkombëtare: “Numerical Analysis and Lattice QCD’’ në Edinburg dhe të konferencës “The first International Ëorkshop on recent LHC Physics results and related topics in Tirana”, në Tiranë,
Ai ka ligjëruar e kumtuar referate në shumë konferenca ndërkombetare: disa here në Amerikë, në Zvicër, në Austri, në Gjermani, në Australi, në Skoci, në Itali, në Rusi, në Angli, në Singapor, në Japoni, etj.
Prof. Artani ka të arshivuar 61 botime dhe 698 faqe leksione në gjuhen shqipe, ku për here të pare fut terminologjinë e re shkencore në shkrimin e leksioneve. Ai ka 624 citime. Ka dhënë leksione në disa shkolla ndërkombëtare si dhe konsulenca të vlefshme në disa institucione të vendit dhe ndërkombëtare. Ka botuar 2 programe kompjuterike, 3 monografi dhe 2 tekste shkollore. Ndër monografitë mund të përmendim: “QCD and Numerical Analysis III”, 2005, autor i parë, Shtëpia Botuese Springer 2005, ndërsa ka shkruar për herë të parë në gjuhën shqipe tekstet monografike “Teoritë kalibruese të fizikës së grimcavee elementare”, 2010 dhe “Algjebra lineare numerike”, 2011, Instituti i karierës Proteus, si dhe tekstin mësimor “10 leksione mbi probabilitetin”, 2006, botuar nga Qendra e Analizës së Riskut në Tiranë. Ka shkruar më shumë se 50 artikuj, botuar në revistat shkencore kryesore më prestigjioze të fizikës, si “Physical Revieë”, “Physics Letters”, “Nuclear Physics”, etj.
Ishte shumë i njohur në botën akademike për “Formulimin e teorive fermionike rrjetore, Algoritmet numerike për fermionet kirale dhe zhvillimin e teorive duale Yang-Mills”.
Prof. Artani ishte pjesëtar i shoqatave shkencore dhe profesionale. Ka qenë i angazhuare dhe në organe drejtuese administrative, si: drejtor i Drejtorisë së Riskut në banken “Credins” (2007-2008), zv. dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës (mars-nëntor 2012), përgjegjës i Grupit Mësimor të fizikës llogaritëse (2012-2018), përgjegjës i Grupit Mësimor-Kërkimor të energjive të larta të astrofizikës, që prej dhjetorit 2018.
Një nga vlerësuesit e veprës dhe të personalitetit të profesor Artan Boriçit, Prof. Dr. Thomas Lippert, anëtar i Jurisë për titullin “Profesor”, Drejtor i Institutit të Simulimeve të Avancuara, Qendrës Kërkimore në Jylih dhe përgjegjës i Katedrës së Fizikës Teorike Llogaritëse në Universitetin e Vupertalit në Gjermani, ndër të tjera shkruan: “Profesor Artani ka dhënë kontribute të rëndësishme në studimet e fizikës teorike, është gjithnjë një prej pionerëve të rëndësishëm që shtyn përpara metodologjitë e reja llogaritëse në LQCD; ishte prej të parëve që u orientua drejt paraqitjeve ekzakte të fermioneve kirale në rrjet dhe simulimin e tyre. Në funksionet e tij si kërkues i mirënjohur dhe fizikan Prof. Boriçi ka treguar qartë kompetencën më të lartë shkencore”.
Kjo veprimtari e gjithanëshme e me kaq vlera, mori shumë energji nga trupi dhe mendja e tij e që ndoshta sëmundja e shpejtë e gjeti të papërgatitur për të përballuar furinë e saj. Ai do mbetet një personalitet në panteonin e elites intelektuale, shkencëtar i përkushtuar, që me pasionin, vullnetin dhe inteligjencen e tij dha kontribut në arritjet ndërkombëtare të fushës së fizikës teorike.
Ai ishte shkodrani patriot që kurrë nuk e harroi origjinën e tij, kontributet e fisit të tij, por edhe lavdinë e Shkodrës. Toka nanë shkodrane e priti të prehet në gjirin e saj, aty ku prehen edhe personalitetet e familjes së madhe Boriçi të qytetit tonë.
Është fat që në rrugën e Artanit dhe të traditave kulturore e shkencore të Shkodrës ka hyrë e po ecën edhe djali i Artanit, Dalin Boriçi.