Spanja do të luajë me Kosovën në kualifikimet për Kampionatin Evropian të mërkurën, në Sevilla.
Spanjollët kanë tentuar ta injorojnë Kosovën në mënyra të ndryshme para kësaj sfide, duke mos pranuar të publikonin flamurin dhe emrin e Kosovës si shtet.
Një qëndrim politik së fundi e ka dhënë edhe ambasadori i Spanjës në Beograd, Raul Bartolome. Ai ka deklaruar se Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se nuk do ta njohë as në të ardhmen Kosovën si shtet.
“Spanja nuk do të ndryshojë pozicionin e saj në lidhje me çështjen e Kosovës. Disa vende kanë kërkuar njohjen e Kosovës, por kjo nuk do të ndodhë. Karshi Kosovës, ne do të pranojmë atë që e pranon edhe Serbia”, ka thënë Bartolome.
Ambasadori spanjoll, gjithashtu komentoi deklaratën e fundit të zëvendëskryeministrit të parë të Maqedonisë Veriore, Artan Grubi, se vendi do t’i kërkojë Spanjës të njohë Kosovën.
“Nuk e di që dikush nga BE-ja ka lëvizur drejt Madridit për këtë qëndrim. Pozicioni ynë është publik dhe i pandryshuar”, ka thënë ambasadori spanjoll në Beograd.