Ish-negociatorja e Kosovës për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë ka kërkuar që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut si dhe ndaljen e tendencave të hegjemonisë serbe.
Kjo kërkesë e Tahirit është bërë në prag të mbajtjes së Samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor. Më tutje Tahiri tha se është e rëndësishme që për shtetasit kosovar të hiqet regjimi i vizave.
“Është e nevojshme të fillohen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe t’i jepet statusi kandidat Kosovës dhe Bosnje -Hercegovinës, si dhe të hiqet regjimi i vizave i BE -së për qytetarët e Kosovës të cilët padrejtësisht mbahen të izoluar. BE -ja duhet të ndihmojë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor për të zbatuar reformat, për të mbështetur zhvillimin e tyre ekonomik dhe për t’u bërë anëtarë të BE -së”, thuhet në letrën e Tahirit.
Tahiri shkroi edhe për arritjen e marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ajo tha se paqja në rajon do të jetë e qëndrueshme vetëm nëse respektohen të gjitha traktatet e paqes.
Ne jemi të bindur se paqja në rajon do të jetë e qëndrueshme vetëm nëse respektohen të gjitha traktatet e nënshkruara të paqes dhe se marrëveshja përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore midis Kosovës dhe Serbisë, e lehtësuar nga BE dhe SHBA, duhet të rezultojë në njohje reciproke midis dy shteteve”, thuhet ndër të tjera në letrën e saj.