Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një takim me anëtarë të komunitetit shqiptar në Belgjikë dhe Luksemburg, në një pritje të organizuar në Ambasadën Shqiptare në Bruksel.
Në një postim në rrjetin e saj zyrtar në Facebook, Spiropali shprehu vlerësimin për shqiptarët që jetojnë dhe kontribuojnë në vendet evropiane, duke theksuar rolin e tyre aktiv e dinjitoz në fusha të ndryshme si administrata, arsimi, biznesi, arti dhe kultura.
“Një pritje kuqezi në Ambasadën Shqiptare në Bruksel me shqiptarët e Belgjikës dhe Luksemburgut, që janë pjesë aktive dhe dinjitoze e jetës evropiane në administratë, në universitete, në kompani ndërkombëtare, në art e kulturë.
Me mirënjohje të veçantë për secilin prej tyre që di të jetë ambasador i vlerave shqiptare, në veçanti atyre që punojnë për trashëgimin ndër breza të gjuhës shqipe në qytete si Namur, Antverpen dhe Bruksel, ku fëmijët shqiptarë kanë sot mundësinë të mësojnë gjuhën mëmë, historinë dhe kulturën shqiptare. Diaspora”, shkruan Spiropali, transmeton rtsh.





