Qendra Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë (CICRA) njofton besimtarët se falja e namazit të Fitër Bajramit do të organizohet më 20 mars 2026 në Beaulieu-Lausanne, në adresën Avenue des Bergières 10, Halle 07, në qytetin e Lausanne.
Sipas njoftimit të organizatorëve, namazi i sabahut do të falet në orën 06:00, ndërsa namazi i Fitër Bajramit do të falet në orën 07:15. Organizatorët ftojnë të gjithë besimtarët që të marrin pjesë në këtë ditë feste dhe falënderimi, duke ardhur me kohë dhe duke respektuar organizimin e vendit.
Besimtarëve u kërkohet gjithashtu që të sillin sexhaden e tyre të lutjes dhe të kontribuojnë në ruajtjen e një atmosfere respekti, uniteti dhe vëllazërie gjatë kësaj dite të shënuar për komunitetin mysliman.
Transmetim i drejtpërdrejtë në Alb’swiss TV
Falja e Fitër Bajramit nga Lozana do të transmetohet drejtpërdrejt në televizionin Alb’swiss, duke u mundësuar besimtarëve që nuk mund të jenë fizikisht të pranishëm ta ndjekin ceremoninë në të gjitha platformat e kanalit: IPTV, YouTube, Facebook, si dhe përmes platformës zyrtare online: https://tv.albswiss.com.
Organizatorët urojnë që kjo festë të sjellë paqë, mirësi dhe begati për të gjithë, ndërsa besimtarëve u drejtojnë urimin tradicional: Urime Festa e Fitër Bajramit! Allahu e pranoftë agjërimin dhe veprat tona të mira. Këtij urimi i bashkangjitet edhe stafi i televizionit Alb’swiss, duke uruar të gjithë besimtarët për një festë të bekuar dhe të gëzuar.





