fbpx
18.8 C
Geneva
Monday, September 30, 2024

Gastronomët shesin vajin e përdorur për ta ricikluar

Petulla dhe brumëra të ndryshme që fërgohen në vaj, janë disa nga ushqimet që përgatiten më së shumti për mëngjes në restorante dhe në shtëpi.  

Këto lloj ushqimesh, i përgatit shpesh edhe kuzhinieri në restorantin “Trofta” në Istog, Hysen Meshi.  

Gatimi i përditshëm prodhon disa litra vaj, i cili më pas duhet të hidhet.  

Deri para disa vitesh, kuzhinieri tregon se vaji është dashur të hidhet në ambiente ku ka dëmtuar natyrën si dhe ka bllokuar kanalizimet.   

“Normalisht, si të gjithë e kemi hedhur (vajin) në lumë dhe nëpër vende që nuk janë adekuate për hedhjen e vajit”, tregon ai.   

Ai tregon se tash e tre vjet, vajin po e mbledhin dhe po e ruajnë për t’ia shitur një kompanie.   

Kompania “Oleum” mbledh, filtron dhe e eksporton vajin në vende të Evropës ku më pas shndërrohet në derivate për vetura.  

“Riciklimi i vajit të gatimit ndihmon bizneset dhe ambientin”  

Vlora Gegollaj që vjen nga Istogu, tani po e menaxhon kompaninë “Oleum” që gjendet në Mazgit të Obiliqit.  

Ajo tregon se ka lidhur marrëveshje me mbi 1 mijë biznese të gastronomisë, nga të cilët mbledhë vajin.  

Edhe pse vaji blihet me litër, vaji i mbledhur nga restorantet shitet me kilogramë. Një kilogram vaj, gastronomët e shesin për 45 centë.  

“Sado pak mundet edhe ata i shtyn që mos të hedhin këtë vaj, por në një farë mënyre ta ruajnë dhe ta tërheqim ne si biznes. Fitimi është i dyanshëm, sepse është rimbursim edhe për ta”, thotë Gegollaj.  

Dëmet e vajit të hedhur në natyrë e kanalizim  

Sipas Agjencisë Amerikane për mbrojtjen e ambientit, vaji i gatimit që hidhet shkakton telashe për kafshët, bimët por edhe në shumë raste në sistemet e kanalizimeve.  

Sipas kësaj agjencie, vaji i hedhur në vendet jo adekuate, mund të mbulojë bimët duke mos lejuar depërtimin e oksigjenit.    

“Vaji mund të prodhojë produkte toksike si dhe produkte që mbesin dhe shkaktojnë dëme afatgjate në ambient”, thuhet në studimin e agjencisë.  

Kjo agjenci ka theksuar edhe dëmet e përditshme që u shkaktohen gypave dhe sistemeve të kanalizimit, kur vaji derdhet në to. Kjo pasi vaji pas ftohjes forcohet dhe bllokon gypat.  

Një studim nga organizata jofitimprurëse holandeze CE Delft, thotë që 18.5 për qind e bio-dieselit të prodhuar në shtetet e Bashkimit Evropian, prodhohet nga vaji i përdorur i gatimit.  

Sipas këtij studimi, në vitin 2018, afërsisht gjysma e vajit të përdorur të gatimit u eksportua nga shtetet e tjera drejt shteteve të BE-së.   

Riciklimi në ekonomitë familjare  

Vaji i gatimit që kompania “Oleum” po e mbledh për eksport, momentalisht grumbullohet ekskluzivisht nga bizneset e gastronimisë.  

Vaji që përdoret nëpër shtëpi grumbullohet dhe kryesisht hidhet ose në kanalizim ose në natyrë.  

Kjo kompani planifikon të vendosë pika grumbullimi nëpër vendbanime që do të inkurajonin familjet të grumbullonin vajin e përdorur.  

Vlora Gegolli thotë se kanë nevojë për përkrahje në përhapjen e këtyre pikave grumbulluese që do ta largonin vajin e dëmshëm nga natyra dhe njëkohësisht do të krijonte profit për kompaninë.  

Vaji i gatimit që përdoret në Kosovë, kryesisht prodhohet nga luledielli dhe perimet e ndryshme siç është misri.  

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img