Deklaratat e bëra publike, edhe pse mund të jenë me vite të vjetra, vjen një moment kur ato duhet përsëritur.
Kësisoj, ishte lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj që për demarkacionin me Malin e Zi, ishte në gjendje të përleshej me Polici, të thyej Kuvendin e Qeverinë, të gjuaj gaz me bashkëpartiakët e tij, por edhe të ‘flijohet’ për Kosovë!
Megjithatë, ky ishte një moment i shkurtër, pasi që, Haradinaj ndërroi mendim e qendrim!
Në një kohë, ai ishte në opozitë, dhe vendosi një bllok opozitar bashkë me liderin e LVV-së, Albin Kurtin dhe Fatmir Limajn e Nismës.
Dilnin ballëhapur në protesta. Aty para mijëra qytetarëve u dukshin si ‘tre gjiganta’!
Ramushi gjeneral lufte, Fatmiri gjithashtu komandant me nofëkn e tij ‘Çeliku’, e bashkë me ta, edhe Albin Kurti që përveç popullit që kishte pas vetes, nuk shquhet për epitetet e tij të forta. Megjithatë, fjalën e ka më të fortë se plumbi!
Së këndejmi, shkuan pak muaj dhe Ramush Haradinaj bëhet kryeministër i Kosovës.
Ai pas kësaj, ndërroi mendimin dhe qëndrimin e tij.
Filloi të takohet me njerëz. Zyrën e tij e frekuentojshin njerëz të ndryshëm. Në mesin e atyre që Haradinaj priti në takim ishte edhe Milan Radojçiqi. Një serb nga veriu i Kosovës, i njohur për shqiptarët e më gjerë si një ndër kriminelët më të mdhenj në veri.
Ai ka lidhje të forta me kriminelin tjetër, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por edhe me disa politikanë në Kosovë, që thuhet se kryejnë kontrabandë në mallra së bashku!
Milan Radojçiq dhe Ramush Haradinaj
Megjithatë, kjo nuk është çështja. Sot çështja është Ramushi dhe Albini!
Tutje. Me të ardhë në pushtet Haradinaj e arriti një marrëveshje të madhe. Për këtë marrëveshje ai ishte gati të kallë e gjithë Kosovën. Por kjo kohë ishte kur ai ishte në opozitë!
Demarkacioni u votua nga Kuvendi i Kosovës. Aty përveç dostave të Haradinajt votuan edhe Lista serbe, dhe të gjitha partitë politike.
Qeveria e Kosovës me kryeministër Ramush Haradinaj miratoi raportin e komisionit për shënimin e kufirit me Malin e Zi, si dhe marrëveshjen e nënshkruar të vitit 2015.
Por, Haradinaj e kundërshtonte ashpër këtë marrëveshje të nënshkruar nga Hashim Thaçi.
Madje, ai në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme nuk kishte hezituar që ta fyej edhe kryetarin e atëhershëm të komisionit për demarkacion, Murat Mehën, të cilin Haradinaj e kishte quajtur edhe “peder”.
“Nuk bën me shpërnda raportin e atij pederi këtu… Nuk do të lejoj me ndodh takimi i komisionit me raport të atij njeriu këtu… Fizikisht nuk e lejoj derisa të vjen policia unë nuk dal prej kësaj salle, sepse duhet edhe ju ta keni një kufi se deri ku mund të shkoni kështu , nuk është temë hajgare, nuk është temë opozitare, është temë e territorit të këtij vendi…. Nuk guxoni raport të Murat pederit me pru edhe njëherë këtu. Nuk ka kështu, nuk është ky vend bash qysh po kujtojnë njerëzit , kujt t’i ç… i pari me ardh me u tall me ne”, kishte thënë Haradinaj.
Po ashtu, këtë marrëveshje Haradinaj e kishe shpallur të vdekur. Por, ajo u ngjallë për Haradinajn, i cili edhe njëherë hëngri fjalët e veta. Ai e ringjalli këtë marrëveshje. Kjo ishte ‘goditja fatale’ për Kosovën!
“Parlamenti ishte jo për demarkacionin dhe kjo u tregua qartë dhe kjo jo i dha fund kësaj marrëveshje e cila tashmë ka vdekur. Nëse flasim për demokraci apo vend demokratik, parlamenti ishte sot pikërisht aty për të dhënë votën jo. Ishte në rend dite dhe heqja nga rendi i ditës i qeverisë pas gjithë kësaj traume që i është bërë vendit nënkupton që kjo marrëveshje ka vdekur”, thoshte Haradinaj, në momentin kur Qeveria Mustafa e kishte hequr nga rendi i ditës ratifikimin e kësaj marrëveshje në Kuvend.
Këtë marrëveshje e kishte kundërshtaur ashpër Vjosa Osmani, sot presidente e Kosovës.
“A është e mundur që e gjithë ajo vëmendje sot ishte te reagimi “kuku, kuku” i Kryeministrit, e jo te fjalët që i tha përderisa ngriste dorën për të votuar PËR: “Miratohet/Aprovohet Marrëveshja për Shënjimin e Kufirit në mes të Kosovës e Malit të Zi”. Po, po: ështe po e njëjta marrëveshje e vitit 2015. Asnjë pikë, asnjë presje s’ka ndryshuar. Po e njëjta marrëveshje nëpërmjet së cilës dhuna dhe akuzat për tradhti ishin bërë përditshmëri. Po të njëjtën, sot e votoi Kryeministri dhe kabineti i tij qeveritar”, kishte shkruar në faqen e saj në facebook, Vjosa Osmani.
Këtë marrëveshje e kishte kundërshtaur më së ashpri Lëvizja Vetëvendosje dhe kreu i saj Albin Kurti, i cili sot është kryeministër i vendit.
Këtë çështje, sot ia përkujtoi ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.
Miftari në një postim në facebook thotë se Haradinaj nuk e priti një minut Kurtin në takim, derisa Radojçiqin e kishte pritur deri në mesnatë për të votuar Qeverinë, e pastaj me ia fal Malit të Zi tokën e Kosovës, për të njëjtën tokë qe Murat Mehen e kishte quajtur ‘peder’.
“Vëllain tuaj z. Kurtin nuk e prite 1 minut kurse vëllain tuaj z.Radojçiq u cili dihet se është kriminel serb, i cili vinte nga Beogradi e prite deri në gjysmë të natës me të ba kryministër, që pastaj ju me ia fal Malit të Zi 8200 hektar tokë të Kosovës, për të cilën tokë sa nuk ishe kryministër dojshe ti vet me ia nxjerr sytë Murat Pederit!”, shkruan Miftari në facebook.
Këto deklarata Miftari i bëri pas një debati të ashpër që u zhvillua sot në Kuvendin e Kosovës, ndërmjet kryeministrit Albin Kurtit dhe Ramush Haradinajt.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Kuvendin e Kosovës, sot ka folur për dy operacionet e fundit nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut.
Haradinaj tha në Kuvend se pas këtyre dy aksioneve, ka ndodhur përkeqësim i gjendjes dhe dobësim i shtetit ligjor.
“Besoj që të gjithë ata që janë të fushës mund ta jepin këtë vlerësim. Pas dy herë që ka operuar policia e Kosovës në veri të vendit, kemi dalë më të dobët. Herën e parë na është mbajtur policia peng në pikat doganore, edhe një i sëmurë polic nuk ka mundur të bartet dhe të shkojë në spital. Herën e dytë policia jonë ka arritur mjaftueshëm të jetë në konflikt me grupe kriminale, operacioni blic me ndodh në shpejtësi me u kthy dhe me e lënë terrenin në dorën e kriminelëve”.
“Po bëhet qëllimshëm me e dorëzua veriun, është projekt diku. Nuk e di pse ndodh kështu, ata që merren me këtë e dinë që Kosova është me dobët në veri pas këtyre dy operacioneve. Kërkoj sqarim të detajuar pse duhet të dobësohet shteti ligjor në veri, pas këtyre proceseve që i kemi kaluar. Pasi që iu paguhet rryma në veri, pse duhet policia të mbahet peng prej grupeve kriminale, pse duhet të merremi vesh me ata për t’u tërhequr. Pse kur shkojmë të operojmë përballemi me ta”, tha Haradinaj,
Haradinaj e ka pyetur Albin Kurtin në fillim se pse siguria në veri është në gjendje më të keqe pas operacioneve të policisë së Kosovës, ndërsa përgjigja e Kurtit ishte e ashpër.
Kurti i tha Haradinajt se siguria është në nivelin më të mirë që nga shpallja e pavarësisë, dhe ia ka përmendur këtij të fundit një takim të tij me Milan Radojiçiqin në zyrën e tij.
Për më tëpër, Kurti e ka akuzuar Haradinajn se po i sulmon në moralin e tyre policinë e Kosovës.
“Në veri të Ibrit ka më shumë rend e ligj tani e sot se kurdoherë tjetër që nga shpallja e Pavarësisë, asnjë barrikadë nuk ka në veri të Kosovës. Ka punë e sfida dhe janë të trashëgruara, por do t’i zgjidhim. Veriu ka qenë i rrezikuar atëherë kur deputeti Haradinaj priste në zyrë kriminelin Radojiçiq, nuk e rrezikon veriun policia, por kriminelët dhe bashkëpunimi i deputetëve me ta. Fjala e deputetit Haradinaj është sulm moral ndaj policit të Kosovës, por kot e keni z.Haradinaj, morali i policit të Kosovës është shumë i lartë. Edhe atëherë kur shkon me Njësinë Speciale për ta ndihmuar policinë kufitare. Ju po përpiqeni ta sulmoni moralin e policisë tonë kur të shkojë në veri”, tha Kurti.
Ndërkaq, në kundërpërgjigje Haradinaj tha se i beson Policisë dhe Ushtrisë së Kosovës, por theksoi se dyshon në veprimet e Kurtit, të cilat “janë ndërmarrë qëllimshëm dhe vetëm për një arsye”.